Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Një fitore e trefishtë e sistemit të drejtësisë

Shkruar nga: Arjan Vasjari  
Botuar më: 14 vite më parë

Arjan Vasjari
Një fitore e trefishtë e sistemit të drejtësisë

Për një koincidencë fatlume, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me kombësinë dhe kauza e Aleancës Kuq e Zi, u gjendën në të njëjtën anë. Mirëpo, nëse vetëkuptohet revanshi mbi politikën, pas disfatës së kësaj të fundit, është krejt pakuptim përpjekja për të përvetësuar pjesë të meritës. Aleanca Kuq e Zi ka gjithë të drejtën legjitime të jetë pjesë e gëzimit, por nuk mund të vetëshpallet si pjesë e fitores. Jo më shumë prej faktit se fitorja është e qartë, sfiduese, prepotente, sesa prej identitetit të qartë të fitimtarit. Ai është sistemi ynë i drejtësisë. Le t’i njihet atij ekskluziviteti i kësaj fitoreje, e cila ngjit mirë sepse është një fitore e trefishtë.

Është, më së pari, një fitore mbi politikën. Shpallja si antikushtetues i “Ligjit për Gjendjen Civile” nuk është vetëm një rrëzim ligjor, por edhe një disfatë politike që fillon që më 2003-in dhe mbaron më 2009-n. Flagranca antikushtetuese e këtij segmenti normativ nuk të lejon ta përkufizosh atë, thjesht, si mediokritet në ligjbërje. Ndonëse arsyetimi i vendimit nga trupa kushtetuese do kohë të dalë, është shumë e qartë se konflikti evident me, së paku, tri dispozita kushtetuese, shkon përtej natyrës ligjore të çështjes. Ai përvijohet si një konflikt i hapur mes kartës kushtetuese dhe interesave politike. Mjafton të dallosh sinkronizmin e binomit pozitë-opozitë në qasjen ndaj ligjit, për t’u bindur për këtë. Por, më thelbësorja, askush prej aktorëve politikë nuk ndërhyri për të riekuilibruar rendin e shprishur kushtetues. Ishin njerëzit e sistemit të drejtësisë që e bënë. Dhe kjo është fitorja e tij e parë.

Fitorja e dytë është mbi atë pjesë të stërmadhe të opinionit publik që, me ose pa vetëdije, e përbalt pa dallim gjithë sistemin e drejtësisë, si një oligarki të depersonalizuarish apo mafiozësh që janë të aftë vetëm të nënshtrohen politikisht, të korruptohen dhe të mbrojnë të paligjshmen. Vendimi i pardjeshëm i Gjykatës Kushtetuese lipset të jetë një moment i thellë reflektimesh nga të gjithë, jo vetëm pse triumfoi kushtetuesja mbi antikushtetuesen, por sepse iniciatorë dhe bartës përgjegjësish në këtë mision delikat juridik ishin pikërisht njerëzit e drejtësisë. Mbase, më në fund, ka ardhur koha që t’i largohemi njëherë e mirë stilemave totalitare të llojit “të gjithë pa përjashtim” dhe të këmbëngulim se ne nuk kemi sistem drejtësie të dekompozuar prej veseve, por një enklavë të kufizuar, brenda sistemit të drejtësisë, që nuk përfaqëson devocionin e saj ndaj rregullit dhe ligjit. Nisur nga ky vokacion i lartë, ai grup gjykatësish, pa asnjë lloj kompleksi, iu kundërvunë haptazi paligjshmërisë së politikës dhe e mundën atë.

Por, fitoren e tretë dhe më të rëndësishme, sistemi i drejtësisë e bëri me veten. Ka shumë të dhëna se, duke spekuluar me diskrecionin që natyra ligjore e çështjes ofronte, gjykatësit që kanë dekretuar vendime për ndryshimin e kombësisë e kanë bërë këtë në këmbim të parasë. Fakti që  antikorpet kundër kësaj sëmundjeje i prodhoi vetë sistemi i drejtësisë dhe jo ndonjë pushtet tjetër, është frymëzuese. Gjeni, ju lutem, një shembull të tillë brenda pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, nëse mundeni! Nuk ekziston! Janë dy pushtete të cilave u është dëmtuar sistemi imunitar, prandaj dhe gërryhen përditë. Sistemi i drejtësisë ka shumë patologji, por nuk është një organizëm i komprometuar përfundimisht. Ai ka shpresë sepse, në ndryshim nga dy pushtetet e tjera, është i aftë t’i luftojë sëmundjet e tij nga brenda. Nisma e atij grupi gjykatësish për të provuar antikushtetutshmërinë e ligjit për Gjendjen Civile ishte, indirekt, edhe guxim kundër asaj enklavës së keqe që shfrytëzonte atë ligj për t’u pasuruar.

Të rralla janë fitoret e sistemit të drejtësisë, por, tamam për këtë arsye, kjo e fundit duhet treguar fort. Pas sulmeve të përditshme, njerëzit e këtij sistemi, kanë nevojë që t’i gjejnë sensin ekzistencës së tyre demokratike brenda sistemit. Afërmendsh që nuk janë më të mirë se të tjerët, por nuk janë edhe më të këqij. Vetëm se, në ndryshim nga të tjerët, akuzohen më shumë dhe e hapin gojën vetëm kur i vrasin me tritol. Prandaj thashë se, këtë fitore të trefishtë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, t’ua njohim ekskluzivisht atyre. E meritojnë!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama