Konteksti politik, stili dhe përmbajtja rreth të cilëve kryeministri Rama vendosi të riaktivizojë publikisht betejën e qeverisë kundër korrupsionit, në rastin më të mirë, e bëjnë atë një betejë të paragjykuar. Ndërkaq mund të kishte shfrytëzuar çfarëdo aule tjetër, të ndryshme nga ajo e partisë së tij, për ta shpallur për të disatën herë këtë betejë. Por mbi të gjitha, lipsej, në respekt të sensit të shtetarit, të artikulohej si një kryeministër që nuk ka asnjë ngarkesë në këtë betejë ligjshmërie. Në të kundërt,vetë beteja kundër korrupsionit rrezikon të delegjitimohet.
Duhet pranuar me ndershmëri se konteksti politik nuk është nga më të favorshmit për të pretenduar nga zoti Rama gjakftohtësi. Normalisht, ai nuk ka qenë sokratik as në kohë paqe, kështu që nuk mund të imagjinohet të jetë i tillë sot. Pra, përtej çdo keqkuptimi të mundshëm, nervozizmi i tij është i përligjur. Keqmenaxhimi i çështjes së trafikut të drogës i shoqëruar me koston politike përkatëse, është arsyeja themelore e këtij nervozizmi. Me ose pa të drejtë, zoti Rama i është nënshtruar një agresioni të shproporcionuar politiko-verbal i cili, në të enjten e fundit të parlamentit preku kuotat ekstreme të durimit. Diatriba me ish- kryeministrin Berisha dhe deputetët e tjerë të opozitës ishte mbushja e kupës së nervozizmit, e cila diku duhej derdhur. Pikërisht këtu zoti Rama gaboi. Gaboi sepse, viktimë e nervozizmit të tij, zgjodhi të përdorë çështjen e korrupsionit si një çështje të hesapeve politike, duke ngritur kësisoj pikëpyetje serioze rreth luajalitetit të tij në trajtimin e këtij fenomeni kanceroz. Përse?
Për të gjithë ata që dëgjuan premtimin e kryeministrit në mbledhjen e pardjeshme të grupit parlamentar socialist, duket sheshit se lufta e rishpallur kundër korrupsionit konceptohet si luftë kundër opozitës dhe jo si luftë kundër fenomenit. Sintaksa e tij politike nuk lë pikën e dyshimit se buron nga një gjendje neurotike e llojit “ua tregoj unë qejfin tani”.Verbi kërcënues për “ish ministra, ish-funksionarë të lartë dhe shumë të lartë” tingëllon gati-gati si një zotim i hapur se do ta përdorë çështjen e korrupsionit për të larë hesapet me këtë opozitë agresive që duket se ka fituar njëfarë terreni politik pas skandalit të drogës. Atëherë, instrumenti për ta ndalur këtë ofensivë, në pikëpamje të kryeministrit, është shfletimi i detajuar i të gjitha dosjeve, dokumenteve, shkresave të kabinetit të shkuar, përmes një procesi auditimi laboratorik. Gjë që në kushte normale do të përbënte dhe duhet të përbëjë një rutinë në punën e çdo institucioni të përgjegjshëm. Mirëpo fryma dhe mënyra sesi kryeministri kërkoi angazhimin e auditit, kompromenton vetë arsyen e angazhimit. Instrumenti i auditimit institucional nuk është një instrument pushteti dhe aq më pak një instrument kontrolli politik mbi kundërshtarin. Kjo është, as më shumë e as më pak, doktrina leniniste mbi të drejtën. Auditimi i brendshëm ka detyrë të zbulojë abuzimet, korrupsionin, paligjshmëritë, por asnjëherë i frymëzuar politikisht. Nëse do ta konceptonim auditin të tillë, atëherë kemi njëmijë dyshime të arsyeshme se nxitja që kryeministri i bëri auditit për të hapur kartat për “ish-ministrat, ish-funksionarët e lartë dhe shumë të lartë” vlen vetëm për të gjithë ish-ministrat dhe funksionarët e lartë, përveç atyre të LSI-së që sot janë aleatët e tij politikë, kurse dje, kundërshtarët e tij. Duke rikujtuar sakaq se, pikërisht këta të fundit kanë qenë targeti i parapëlqyer, e mbase edhe logjik, i akuzave të zotit Rama dje në opozitë kur LSI qeveriste me zotin Berisha. A mos vallë duhet të mendojmë për një fushatë antikorrupsion me direktivë nga lart? Apo, larg qoftë, ferma e tij politike funksionon mbi brokardin orwellian “disa janë më të barabartë se të tjerët”?
Buonsensi për të mos e paragjykuar na detyron ta presim zotin Rama. Beteja kundër korrupsionit, në çdo kohë dhe hapësirë, endet në një tokë të minuar prej interesave, shprishjes së ekuilibrave, tejkalimit të sensit të masës, hakmarrjes politike dhe destabilitetit moral. Të gjitha këto nga pak, rrezikojnë edhe betejën e zotit Rama kundër korrupsionit, por momentalisht ekziston një besim i përhapur se kërcënimi kryesor i kësaj beteje ngelet nervozizmi i tij në marrëdhëniet me opozitën. Nervozizëm i shpjegueshëm, por absolutisht i papranueshëm. Jo më shumë si një çështje e standardit të sjelljes politike, sesa si një rrezik që mund të delegjitimojë përfundimisht betejën e tij kundër korrupsionit.