Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Aty ku ka frike transparenca eshte tirani

Shkruar nga: Andrea Stefani  
Botuar më: 14 vite më parë

Andrea Stefani
Aty ku ka frike transparenca eshte tirani

Po shfaqen shenjat e para që e tregojnë konsensusin për reformat të pamundur. Një propozim i opozitës për ndryshimin e rregullores së Parlamentit ka ndeshur kundërshtimin e vendosur të folëses së Kuvendit. Dhe pavarësisht se Jozefina Topalli u përpoq, si gjithnjë pa shumë klas, të përdorë përvojën e demokracisë amerikane për të hedhur poshtë sugjerimet e opozitës, bëhet e qartë se ajo është e vendosur të ecë në kursin e tiranisë së shumicës. Që do të thotë të shpërfillen ndjeshmëritë e pakicës, edhe pse kritikat e ardhura nga Brukseli, edhe për zonjën Topalli personalisht, sugjerojnë pikërisht të kundërtën.

Disa ditë më parë, ambasadorja gjermane në Tiranë dështoi në një përpjekje për t’i bërë Ramën dhe Berishën të shtrëngojnë publikisht duart. Incidenti flet edhe për naivitetin këmbëngulës të diplomacisë europiane, që refuzon të shohë se çarja është shumë e thellë për t’u riparuar me një “shtrëngim duarsh”. Në dy kampet e politikës nuk ekziston ndjenja e përbashkët për diçka. Gjë që e bën konsensusin të pamundur. Sepse konsensusi, nga vetë fjala, është bashkëndjerje. Nga njëra anë kemi një lider dhe një pushtet që tenton të sundojë gjithçka në shtet, dhe në anën tjetër një opozitë që kërkon t’i shpëtojë kësaj kapjeje vdekjesjellëse për të. Rasti i fundit me Jozefina Topallin, është një provë më shumë. Opozita kërkon, ndër të tjera, që rregullores së Kuvendit t’i rikthehet neni që detyron votë të fshehtë në rastet e shkarkimit të anëtarëve të institucioneve kushtetuese. Sikundër, për shembull, është prokuroria.

Një nen që është ndryshuar kohë më parë nga shumica berishiste, pa konsensusin e opozitës, pikërisht për të ushtruar presion dhe kërcënim autokratik mbi institucionet e pavarura. Korrigjimi i këtij neni do ta bënte më të vështirë për çdo shumicë, jo vetëm për këtë të sotmen, që të ushtronte kërcënim të suksesshëm mbi institucionet e pavarura. Por Jozefina Topalli thotë “jo”! Përse? Sepse Berisha thotë “jo”!

Sepse qëllimi i tyre nuk është europianizimi i Shqipërisë, duke u dhënë më shumë liri dhe mbrojtje nga qeveria institucioneve, por futja e tyre edhe më fort nën zapin e qeverisë autokratike me lëkurë demokratike. Për Topallin institucionet e pavarura nuk duhet të jenë realisht të pavarura, por shërbëtore të maskuara të qeverisë për të maskuar korruptimin e qeverisë dhe për të shantazhuar opozitën. Për shembull, prokuroria vetëm në letër, në faqet e Kushtetutës duhet të jetë e pavarur. Por realisht, në jetë, ajo nuk duhet të grumbullojë prova për korrupsionin e qeverisë, ndërsa duhet të pjellë prova kur Berishës do t’i duhet ta akuzojë opozitën për “puç”. Si më 21 janar. Dhe nëse prokuroria do të refuzojë të zbatojë rolin e skllavit të qeverisë hyn në lojë vota e shumicës në Kuvend, që i jep grushtin përfundimtar institucionit të pabindur dhe ia “pret kokën” kreut të pabindur.

Ky sistem oriental është skema e Berishës dhe e Topallit, ndërsa hedhin poshtë me argumente “demokratike dhe perëndimore” sugjerimet e opozitës. Edhe në Kongresin e SHBA-së votohet në mënyrë të hapur, sepse populli do të dijë si votojnë deputetët e tij - tha Topalli. Kjo e fundit “harron” se në SHBA deputetët demokratë nuk e kanë frikë Obamën, nuk kanë frikë se mos qeveria u prish bizneset apo hakmerret në forma të ndryshme. Dhe jo vetëm se Obama nuk është autokrat, por edhe sepse kanë mbrojtjen e gjykatave që i japin drejtësi çdo qytetari, edhe nëse kjo drejtësi nuk është vullnet i qeverisë apo i Presidentit të SHBA-së. Si për herë në qëndrimin e berishistëve, edhe në rastin ë fundit të Topallit, kemi atë eklektizëm vulgar, mashtrues dhe të paprincip, që transparencën e votës e quan antikushtetuese kur rrezikon të denoncojë vjedhjen e votës nga pushteti dhe kushtetuese kur përdoret po për të dhunuar lirinë e votës po nga pushteti. Në 2009-n transparenca nuk u lejua për të fshehur vjedhjen. Më 8 maj “transparenca” u përdor për të justifikuar vjedhjen. Edhe sot, në rastin Topalli, tentohet të përdoret për të penguar votën e lirë.

Nuk ka asnjë sekret se në ç’mënyrë. Si të gjithë pushtetet autokratike edhe ky berishist bazohet gjithnjë e më shumë te frika. Vetë pushteti, tashmë tepër i korruptuar dhe i kriminalizuar, ka frikë nga vota e lirë edhe e deputetëve të tij. Prandaj kërkon t’i kontrollojë votat e tyre duke u hequr fshehtësinë. Këtë synim e maskon me gjoja transparencën “në emër të popullit”. Njësoj si regjimi i Enver Hoxhës e hoqi fare kutinë e fshehtë, sepse “populli” nuk kish pse ia fshihte votën partisë së dashur. Nga ana e tyre, edhe deputetët e shumicës, në rastet kur duan të votojnë kundër vullnetit të Berishës, kanë frikë të bëjnë një gjë të tillë hapur. Sepse Berisha të bën gjëmën. Dhe ata nuk janë heronj, por njerëz me biznese dhe halle të tjera. Kështu transparenca bëhet pranga e votës për deputetët, por edhe arma e tmerrshme e tiranisë së shumicës, shpata e Demokleut mbi kokën e institucioneve që tentojnë të jenë realisht të pavarura nga Berisha.

Transparenca, demokracia, përvoja e SHBA-së përdoret kështu nga Topalli e K° kundër vullnetit të sovranit, që i shprehur në Kushtetutë, kërkon institucione të pavarura nga Kryeministri. Frika është motra e vdekjes, thoshte Berisha, duke cituar Erih Fromin, sa kohë ishte në opozitë. Në fakt, koha po provon se frika që mbjell pushteti i Berishës është, për demokracinë, vdekja vetë. Dhe një aleate e përhershme e autokratizmit nekrofilo - “demokratik”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama