Dje, në “Shqip” ishte publikuar një letër, që një mësuese nga Korça, Ana Verushi, ia dërgonte ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj. Me siguri, ajo letër (e klasifikuar tek ‘letrat e hapura’) ka për të kaluar pa u vënë re. Në fund të fundit, fakti që një mësuese kërkon t’i thotë diçka ministrit nuk ka në vetvete ndonjë rëndësi kushedi se çfarë, sidomos kur marrim në konsideratë përparësi të tjera ku e ku më të mëdha që mund të ketë në këtë vend. Por duhet shpresuar që t’mos kalojë pa u vënë re nga ministri, i cili jo vetëm do ish mirë të jepte përgjigje, por edhe t’i vinte në vend dinjitetin e nëpërkëmbur nga aparatçikët lokalë të kësaj mazhorance kësaj zonje. Do ta bëjë, vallë? S’më ha buza kulaç, thonë andej nga anët e mia.
Historia e Anës është e thjeshtë. Ajo ka mbaruar Fakultetin e Shkencave të Natyrës, në degën biologji-kimi. Ka gati tri dekada që e ka mbaruar, dhe ka mbi shpinë një përvojë të madhe si mësuese në një numër shkollash të vendit, fillimisht në Gramsh, e më pas në Korçë. Vitet e fundit ka qenë në gjimnazin me emër ‘Themistokli Gërmenji’, e më pas zv/drejtore dhe drejtore e Drejtorisë Arsimore të Korçës. Ajo e do profesionin e vet, por ajo ka dhe një pasion politik, i cili e ka shtyrë drejt një angazhimi të fortë civil: është zgjedhur anëtare e Këshillit Bashkiak në emër të të majtëve.
Pse e njoh kaq mirë? Nuk e njoh hiç. Nuk e di se ç’njeri është, se çmendojnë për atë në Korçë, apo ku di unë çfarë tjetër. Sa më sipër i kam nxjerrë nga letra e saj, ku ajo, me shumë përunjësi, i bën një përshkrim përvojës së vet si mësuese. Përveç kësaj, më bëri përshtypje mënyra se si ish formuluar letra. Ndonëse ka gjithë arsyen e botës të jetë e pakënaqur, e zemëruar dhe e revoltuar, pasi drejtuesit lokalë të arsimit e kanë nëpërkëmbur, ajo i drejtohet me shumë elegancë ministrit, duke demonstruar me këtë se ka respekt për institucionet e shtetit dhe për ata që bëjnë gjëra në emër të këtyre institucioneve.
Po çfarë kanë bërë drejtuesit e arsimit në Korçë? Kanë bërë atë që drejtuesit lokalë të arsimit apo të sektorëve të tjerë, të frymëzuar nga harbutëria që buron nga Tirana, bëjnë në të gjithë Shqipërinë. E kanë larguar nga puna. E kanë transferuar në fshatin Plasë, në shkollën e mesme të këtij fshati. Pa asnjë motivacion. Në rrugë jozyrtare, saktëson në letrën e saj Ana Verushi, thonë se është transferuar për arsye tekniko-administrative. Çfarë motivacioni! A thua se punon CEO në Silicon Valley. Në të vërtetë – për këtë Ana është e sigurt (se mos vetëm Ana) – e kanë hequr nga shkolla’ Themistokli Gërmenji’, sepse ajo është e majtë. Në vend të saj duhet të punojë një i/e djathtë.
Kuptohet, në këtë mes nuk është thjesht halli i Anës. Edhe për rastin e Anës do ia vlente të bëheshin shkrime e komente, por këtu bëhet fjalë për një gjë më të madhe, që shkon jo vetëm përtej fatit individual të saj, por edhe përtej arsimit. Ky pushtet ka frymëzuar e finalizuar pushtimin e administratës publike nga militantët e partisë. E di, nuk përjashtohet mundësia që mes militantëve të gjenden dhe njerëz të zotë. Edhe të zotët mund të jenë militantë, dhe anasjelltas, militantët mund të jenë të zotë. Ana gjithashtu mund të jetë një militante e flaktë, dhe më e bukura është se unë nuk e di nëse Ana është e zonja. Por s’është ky problemi. Problemi është se emërimet, promovimet e gradimet në administratë, në rastin tonë në arsim, bëhen të gjitha, një e nga një, mbi bazën e logjikës e të shqetësimit për të shpërblyer ata që i kanë dhënë një dorë partisë gjatë fushatave e midis fushatave. Kjo do të thotë se Ana “e majtë”, edhe pse mund të jetë e zonja sa të dojë, do të ketë mbi vete mërinë e drejtuesve. Ndërsa një Anë tjetër, d.m.th “e djathtë”, do ta ketë grurë muhabetin me kapot lokalë të arsimit.
Kjo është një nga çmenduritë më të mëdha që ndodhin në këtë vend plot çmendurira. Nuk di njeriu i shkretë se kujt t’i drejtohet në rrethana të tilla, pasi së pari dukuria është shtrirë si një murtajë, dhe së dyti kjo punë është në dorë të atyre që s’dinë të bëjnë ndryshe, është në dorë të atyre që, kur kish në qytete tubime elektorale të Partisë Demokratike, jepnin urdhër të mbylleshin shkollat e të nxirreshin nxënësit në tubim. Ministri nuk e ka thënë kurrë të vetën lidhur me këtë fenomen; as nuk e ka përgënjeshtruar ndonjëherë. Dhe mendja ta thotë se ai ka formimin e duhur dhe informacionin e nevojshëm, mbi bazën e të cilave duhet të ketë akoma fuqi të skandalizohet përballë fakteve të tilla, që na turpërojnë të gjithëve, por mbi të gjitha atë vetë.
Do doja t’i drejtohesha ministrit edhe për rastin e Anës, do doja t’i thosha që ta zgjidhte këtë situatë, që të ndërhynte tek drejtorët e Korçës, po frenohem, së pari ngaqë – siç thashë – nuk është vetëm çështja e Anës, dhe së dyti - edhe sikur të ish vetëm çështja e Anës – ai ka çelësat e ahurit të kashtës në duar. Nuk e them për ta denigruar (s’kam pse); e them se kështu është, dhe ai e di. Ai ka thënë dje në komisionin parlamentar, në përgjigje të zërit të ngritur të deputetëve të opozitës, se problemi i drejtuesve të shkollave (ky është një nga problemet) do të marrë zgjidhje në muajin nëntor, kur do të futet sistemi i konkurseve për postet e drejtimit të shkollave në të gjithë Shqipërinë. Mirëpo, nuk di pse e mendoj që ministri e thotë këtë pa e menduar gjatë. Në nëntor nuk ka për të ndodhur asgjë. Nuk ka interes askush që kjo gjë të bëhet. Edhe nëse do bëhen konkurset, kanë për të qenë si konkursi elektoral, d.m.th, përfundimi i tyre do të jetë i paracaktuar dhe më të zotët do të rezultojnë të jenë ata që qeverinë e kanë xhan. Ministri duhet ta dijë mirë këtë gjë. Nuk i falet të mos e dijë.