Ditët e fundit ka pasur një vëmendje të madhe gazetareske mbi disa kryetarë të bashkive të rëndësishme, që i mbajnë postet e tyre prej dy, tre apo edhe katër mandatesh. Kjo ka lidhje, afërmendsh, me zgjedhjet komunale që po afrojnë. Ka dalë tanimë dekreti i Presidentit dhe ato do të mbahen më 21 qershor. Partitë janë duke bërë diskutime të brendshme mbi kandidaturat (në fakt, janë duke bërë pëshpërima, pasi, në vazhdën e traditës sonë politike, janë kryetarët e tyre që do të marrin të gjitha vendimet) dhe një nga idetë “novatore” që dëgjohet nëpër ambiente të ndryshme mediatike është ajo që lë të nënkuptohet futjen në lojë të personazheve të rinj në jetën politike lokale, ngaqë të vjetrit, sidomos një pjesë syresh, janë konsumuar mes mandateve të njëpasnjëshme dhe praktikave korruptive të qeverisjes. Ç’është e vërteta, nuk kuptohet mirë, nëse kjo gjë është një provokacion gazetarësh, një lojë deputetësh të caktuar që duan të kenë një voce in capitolo në rrethana të tilla apo një projekt real i kryetarëve, të cilët me publikimin e lajmeve të tilla përgatisin terrenin e ndryshimeve që duan të bëjnë. Por kjo lojë ka filluar, sidoqoftë. Dhe nuk ka për t’u ndalur deri sa të vijë dita e publikimit të listave të kandidatëve për kryetarë bashkie. Dorëheqja e kryebashkiakut të Pogradecit, edhe pse mund të jetë fryt i një gjykimi personal e të pavarur të situatës, të bën të mendosh se, derisa të vijë dita e listave, do të ketë lëvizje të tjera kësodore, ashtu siç do të ketë inskenime, diversione, rihedhje për diskutim të kandidaturave të dala boje, tentativa për të promovuar fytyra të reja etj., etj.
Ka edhe një rrethanë tjetër që e ka rritur interesin e gazetarëve në këtë mes dhe kjo rrethanë ka të bëjë me lajmet që kanë dalë së fundmi mbi padi penale në ngarkim të krerëve të disa prej bashkive të vendit. I pari në këtë histori ishte Shpëtim Gjika. Të fundit e morëm vesh nga lajmi i para dy ditëve. Është kryebashkiaku i Peshkopisë, Ilir Krosi. Mes të dy rasteve në fjalë janë përmendur të tjerë. Ka shumë njerëz që, ca prej një logjike konspirative që e shtien në punë rëndom në të gjitha analizat e tyre, ca prej një dreq përkimi në kohë të këtyre veprimeve me pragun e fushatës për zgjedhjet lokale, e shohin me dyshim këtë aktivizim frontal të organit të akuzës kundër këtyre personazheve të rëndësishme të qeverisjes lokale. Dhe mendojnë se prokurorët janë të kurdisur nga politika. Me fjalë të tjera, mendojnë se kryetarët e partive që janë në hall me këta kryebashkiakë që kanë shumë ndikim, që janë shumë të fuqishëm në qytetet e zonat ku qeverisin, e që në rastin më të mirë mund t’ua komprometojnë llogaritë elektorale, i kanë dhënë dum punës që t’i rrethojnë me presion të një natyre tjetër. Dhe me këtë, janë duke u përcjellë mesazhin: Ose hapni rrugën me të mira e mos bëzani, ose do të keni prokurorët mbi qafë. Reporterët janë duke e ushqyer këtë pandehmë, duke informuar vazhdimisht mbi orekset e njërit apo tjetrit kryebashkiak për të kandiduar për herë të n-të, qoftë dhe në kundërshtim me vullnetin politik të partive të tyre apo duke u bërë atyre intervista, në të cilat nuk harrojnë kurrë t’u bëjnë pyetjen: Po ju, pavarësisht këtij veprimi të prokurorisë, do të kandidoni sërish?
Ka pak gjasa që të ketë vend për një përbetim apo hakmarrje, të politikës e të prokurorisë kundër ca “ujqërve të provincës”. Përkimi në kohë mes këtyre padive dhe fushatës elektorale është bajagi i çuditshëm, por do të ishte më e çuditshme situata, në të cilën prokurorët bien dakord të bëjnë në mënyrë simultane një lojë të pistë të të dy krahëve të politikës. Ka që mendojnë se kjo është lojë e vetëm njërit krah, atij të mazhorancës, por ky version, sipas të cilit është Rama që urdhëron ndonjë arrestim apo padi edhe djathtas, në mënyrë që ta konfeksionojë në mënyrë jopolitike aksionin e prokurorëve, duket edhe më i çuditshëm.
Shqetësimi lidhur me skenarë të tillë është i natyrshëm, dhe media, teksa ngre pikëpyetje, është duke bërë punën e vet. Por nuk do të ishte keq që t’i mëshonim më shumë ndonjë shqetësimi tjetër. Dua të them se shqetësim më i madh sesa fakti që po u vihet shkelmi ca qeveritarëve lokalë, të cilët po përmenden jo për ndonjë sukses, por thjesht për numrin e madh të mandateve në krye të bashkive të tyre, është fakti tjetër se kush do të vihet në vend të tyre. Mund të duket si lajm i bukur largimi i një bande qeveritarësh lokalë të korruptuar, por nuk është hiç i tillë, nëse të rinjtë do të zgjidhen mbi të njëjtat kritere, e nëse partitë nuk mësojnë të privilegjojnë nevojat për një qeverisje të mirë përpara oreksit të anëtarëve e të klientëve të tyre.
Një gjë është e sigurt në këtë histori. Kandidatët në këto zgjedhje do t’i caktojnë kryetarët e partive, e duket se edhe brenda partive, me ndonjë përjashtim, janë pajtuar me këtë gjendje. Pakkujt i shkon mendja të ngrejë zërin apo ta vërë në dyshim forcën e krerëve të partive (është një forcë që nuk buron nga asnjë ligj apo statut). Madje, një nga pak zërat që kanë dalë kundër kësaj praktike ka qenë ai i Ben Blushit, por edhe ky e ka bërë publike idenë e vet në mënyrë të ndrojtur. “Të mos zgjidhen kandidatët siç u zgjodhën ministrat”, tha Blushi. E vërteta është që ministrat nuk mund të zgjidhen në rrugë tjetër. Fituesi i zgjedhjeve, alias Kryeministri, nuk mund të drejtojë një skuadër që ia japin të tjerët. Sigurisht, Kryeministri ka për dobi e për detyrë të marrë në konsideratë të gjitha ndjeshmëritë e fraksioneve që ekzistojnë brenda partisë dhe të mundësojë përfaqësimin e tyre në ekzekutiv, por, nga ana tjetër, askush nuk mund ta pengojë atë që të marrë në sy rreziqet prej këtij mospërfaqësimi e të ndërtojë kështu një skuadër të tij. Ndërsa caktimi i kandidatëve për postet e drejtimit të bashkive nuk është punë ekskluzive e Kryeministrit. Në këtë mes nuk mund të injorohen as forumet partiake, as opinioni politik lokal, e as nevojat e elektoratit në tërësi. Dhe mes këtyre tre faktorëve, më pak të rëndësishmit janë dy të parët, d.m.th. opinioni i eksponentëve të partisë në qendër e opinioni i drejtuesve politikë lokalë, të cilët nuk kanë demonstruar asnjëherë se janë të aftë të hedhin sytë edhe jashtë ambienteve të partive kur vjen puna të zgjedhin qeveritarët lokalë e qendrorë apo krerët e institucioneve të ndryshme. Partitë tona e kanë bërë rrugë që të bëjnë një lojë të mbyllur. Dhe është për të ardhur keq që asnjë prej boss-ëve politikë nuk ka dhënë shenja se është i interesuar që qeverisjen lokale ta lërë në dorë të njerëzve më të aftë që mund të gjenden nëpër qytetet e Shqipërisë. Përkundrazi, kanë dhënë shenja se këtë proces të përzgjedhjes së kandidaturave do ta mbajnë deri në fund nën kontroll, në mënyrë që qeverisjen lokale, ashtu si çdo strukturë e institucion tjetër të vendit, ta lënë në duar të njerëzve të tyre.
Mirë do të ishte që të bënim përpjekje për ta demokratizuar procesin e përzgjedhjes së kandidaturave, gjë që bëhet me ndihmën e votimeve paraprake (Primaries). Por sa kohë që kjo ide është e parakohshme (ne kemi dëshmuar se dimë që çdo moment elektoral ta shndërrojmë në një tollovi të frikshme), nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të ushtrojmë presion për të mos e lënë këtë proces të përzgjedhjes së njerëzve që do të qeverisin bashkitë e Shqipërisë në dorë të strukturave më të korruptuara të shoqërisë shqiptare, d.m.th. në dorë të partive politike. E di që mund të dështojmë në këto përpjekje, por ne barazimin në xhep e kemi. Barazim i thënçin!