Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Shpresë a hile e radhës

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Hoxha
Shpresë a hile e radhës

1. Të premten e kaluar, veç 20 ditë para 12 Tetorit, ditë kur pritet raporti i Komisionit Europian për Shqipërinë lidhur me statusin e vendit kandidat, lideri opozitar Rama shpalli paktin “Për Shqipërinë si gjithë Europa”. Pakti, përmes narrativës hyrëse e përmbyllëse dhe 10 pikave programore rreket të shprehë “angazhimin e opozitës për një proces konsensual mbi një vizion të përbashkët integrues”. Dëgjimi live më dha, pas kaq kohësh, një ndjesi për mirë. Platforma më tingëlloi konstruktive. Një farë kthese drejt arsyes.

2. Këtë vlerësim ua transmetova menjëherë disa prej eksponentëve të opozitës. Dikujt i pëlqeu vlerësimi. Dikush heshti. Një tjetër nuk ia përtoi të më kthehej e të zbrazte mërinë a neverinë e tij për mua, duke thënë se “s’priste vlerësim pozitiv nga dikush që është pjesë e regjimit berishist; i zhytur në batak nga ku veç Zoti mund të më shpëtonte e se ai vetë s’më ndihmonte dot të dilja nga ky batak”. Ngaqë s’më kanë sëkëlldisur ndonjëherë kësi etiketimesh, ia ripërsërita edhe këtij tipit vlerësimin, duke e inkurajuar të vazhdojnë në drejtimin për mirë të platformës.

3. Të njëjtin vlerësim ua transmetova edhe disa prej eksponentëve të mazhorancës. E shkuara e largët dhe ajo e afërt më japin mundësinë të komunikoj ca më lirshëm e me mirëbesim reciprok. Në tërësi mora mbrapsht një reagim thellësisht mosbesues ndaj platformës. Dikush ndante pak a shumë të njëjtin vlerësim me mua. Dikush filloi të më argumentonte të kundërtën. Dikush më tha: “Mos u bëj naiv”. Një tjetër nuk ia përtoi të më thotë: “Si është puna jote? Mos po e dredh?”. Meqë as kësi opinionesh nuk më sëkëlldisin, ripërsërita sugjerimin që platformën ta shohin me kujdes e të mos thonë menjëherë të fundit në fillim.

4. Leximi i platformës ma prishi, deri diku, vlerësimin me vesh të saj. Aty ka propozime pa kuptim. Gjithsesi, ajo mbetet e vlefshme. Platforma përmban lëndë të parë të mjaftueshme për një fillim kthese. Një rast i humbur ishte periudha pas darkës në Bruksel, tek lokali tashmë i famshëm “Krokodil”. Ka kaluar më shumë se një vit. Rastet e shpresës kanë qenë shumë të rralla. Ndaj kur shfaqen, duhen trajtuar si kapital me vlerë të madhe. I këtillë është edhe ky rast i ri.

5. Që të mundësohet arritja e gjendjes konstruktive, secila nga palët duhet të plotësojë disa kushte të domosdoshme. Unë i kam përmbledhur në PESË JO-të për opozitën: i) jo dhunë; ii) jo bojkot; iii) jo destruktivitet, as obstruktivitet; iv) jo epitete për regjime fashiste, mafioze a familjare; v) jo mosnjohje të humbjes elektorale; dhe PESË JO-të për mazhorancën: i) jo provokim; ii) jo padurim; iii) jo mosbesim; iv) jo destruktivitet, as obstruktivitet; v) jo epitete për opozitë mafioze apo të shthurur.

6. Sipas këtij modeli, mjafton që njëra nga palët të mos plotësojë një nga kushtet dhe efekti domino e risjell bashkëveprimin politik në konfliktin e thellë të provuar prej dy vitesh. Asnjëra nga palët nuk i ka plotësuar këto kushte. Secila prej tyre ka bërë diçka, aspak mjaftueshëm, në plotësimin e tyre. Çështja është nëse do vazhdojnë rrugën drejt plotësimit gradual apo do mbesin në vend. Nuk kam asnjë iluzion se plotësimi i këtyre kushteve do të mund të bëhet në kohë të shkurtër. Ndaj, pa dashur të them se shpresa ka humbur, praktikisht ta harrojmë vlerësimin pozitiv të Komisionit Europian këtë vit. Veç në ndodhtë ndonjë mrekulli. Plotësimi i kushteve mjafton të bëhet hap pas hapi e ditë pas dite. Më shumë se marrja e statusit këtë vit e rëndësishme është hyrja e politikës në rrugën e mbarë. Të tjerat vijnë vetiu. Duhet nxitje pozitive nga palët e treta. Jo vetëm nga ndërkombëtarët.

7. Kjo është një ndërmarrje mjaft e vështirë. Shanset për shndërrimin e platformës opozitare në kthesë vendimtare janë të pakta. Lidhur me platformën, qëllimi opozitar mund të jetë “i sinqertë” apo “hileqar”. Edhe qëndrimi mazhoritar mund të jetë i këtillë. Sikur secilit variabël të sjelljes t’i jepnim probabilitetin 50%, rezultati pozitiv do ishte vetëm kur të dy janë të sinqertë. Probabiliteti i ngjarjes pozitive është veçse 25%. Rezultati negativ ka probabilitet 75%. Situata reale është edhe më shumë dëshpëruese.

8. Si në pjesën hyrëse të platformës, ashtu edhe në editorialin e së dielës së liderit Rama rezulton se platforma është hedhur me pikëpamjen se përballë kanë “një regjim oriental e familjar… i cili nuk e dëshiron integrimin në Bashkimin Europian… pasi kjo do ta vinte nën një trysni monitoruese… që e çon … regjimin në rrezikimin e interesave të tij të mbrapshtë”. Ndaj, platforma, më shumë se ofertë për zgjidhje, duket se është një taktike e re e strategjisë së vjetër të tensionit e mposhtjes së kundërshtarit. Një taktikë për ngecjen e fajit në dështimin e radhës së proceseve integruese. Ndaj, variabëli “hileqar” opozitar është shumë më tepër se 50%.

9. Reagimi publik mazhoritar pas shpalljes së platformës flet për një shkallë të lartë mosbesimi të mazhorancës ndaj saj. Për rrjedhojë, mazhoranca s’do ta hajë karremin opozitar e do sillet në mënyrë simetrike. Ndaj edhe variabëli “hileqar” mazhoritar është më shumë se 50%. Nëse u japim vlerën 90% variabëlit “hileqar” opozitar dhe mazhoritar, përfundimi i lojës me rezultat pozitiv është veçse 1% dhe ai negativ 99%. Ndërsa unë po u jap vlera të njëjta variabëlve për të dyja palët politike, çdo lexues, sipas informacionit a preferencës, mund t’u japë vlera të ndryshme.

10. Një lexues me prirje të majta do ta ulte “hilenë” opozitare e do rriste atë mazhoritare. Rezultati pozitiv do ishte përsëri me shanse shumë të pakta por, për këtë lexues, faji do ishte i mazhorancës. Një lexues i djathtë do bënte të kundërtën. Rezultati pozitiv do ishte përsëri me shanse të pakta e fajtore do mbetej opozita. Shkurt, në të gjitha kombinimet, shanset për dalje nga kriza janë tepër, tepër të vogla. Kthimi në gjendjen e konfliktualitetit, me shanse të shumta.

11. Kjo s’do të thotë të heqim dorë. Përkundrazi. Sa më të pakta shanset, por jo zero, aq më të shumta duhen përpjekjet për kthesën pozitive. Palë të treta, që nuk ushqejnë dashuri të zjarrtë a urrejtje të thellë për njërën apo të dyja kampet politike, duhet të lëvizin. Secili mund të bëjë diçka që kthesa të ndodhë. Secili mund të shfrytëzojë njohjet, lidhjet dhe konfidencialitetin që ka me njërën, tjetrën apo të dy kampet. Paqja është e vetmja zgjidhje e zgjedhje për palët e treta.

12. Mazhoranca nuk duhet ta hedhë tej platformën opozitare. Besimi deri në provë të kundërt është domosdoshmëri. Nëse ka pika që nuk i kupton a ka dyshime, le të kërkojë sqarime. Me durim! Opozita s’duhet të kërkojë me kokëfortësi pranimin në total të të 10-të pikave. Ato janë hartuar në mënyrë të njëanshme dhe s’ka se si, edhe në një situatë besimi të plotë, të jenë tërësisht të pranueshme nga pala tjetër. Mazhoranca dhe opozita duhet të ulen së bashku. Është e udhës t’ia nisin nga puna me pikat për të cilat bien dakord më lehtë. Të tjerat gradualisht. Në punë e sipër, njerëzit flasin, diskutojnë, shtrëngojnë duart, gjerbin kafe. Ndoshta një ditë edhe të dy liderët. Këta veçanërisht. U bë kohë që s’flasin. Nëse arrihet bashkëpunimi, vetë palët politike do të kuptojnë se ç’budallallëk kanë bërë dy vite me radhë. Nëse s’ndodh, durim! Do konsumojmë hilenë dhe sherrin e radhës deri në shpresën tjetër të radhës. Europa do mbetet ende larg. Faji gjithnjë tek tjetri.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama