Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Policia kundër kriminalitetit, jo kundër informalitetit

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 11 vite më parë

Artan Hoxha
Policia kundër kriminalitetit, jo kundër informalitetit

KRIMI NE OFENSIVE

Janari i këtij viti ngjan si muaji i ofensivës së krimit. Spikasin atentatet me tritol, grabitjet spektakolare me maska dhe sulmet kaçake në akset rrugore. Nuk mbeten pas edhe krimet e tjera"tradicionale", si ato brenda familjes, vrasjet për grindje banale, për prona a për pasion, vjedhjet e rëndomta të banesave a të xhepave. E sikur të mos mjaftojnë këto, po rigjallërohen trafiqet.

TREMBJE DHE STRUKJE SHOQERORE

Pasojat e drejtpërdrejta janë jetë të humbura dhe pasuri të grabitura. Pasojat edhe më të rënda janë ato të tërthorta – një ndjenjë frike dhe pasigurie që po përhapet gjerësisht te qytetarët. Frika me prirje për tu shndërruar në panik ndihet kudo. Mediat sjellin përditshëm zërin e qytetarëve. Njerëzia trembet çdo ditë e më shumë e struket çdo ditë e më thellë.

NGUSHELLIME STATISTIKORE

Ministri Tahiri, Kryeministri Rama e me radhë eksponentët e tjerë të maxhorancës qeverisëse po ngushëllohen me rezultatet statistikore.
Disa nga treguesit e kriminalitetit për tre muajt e qeverisjes PS+LSI qenkan ca më të ulët se ato të së njëjtës periudhë të një viti më parë, kur vendi qeverisej nga PD+LSI. Nga këtu PD rezulton fajtore, LSI pa rol, ndaj shfajësohet, PS e suksesshme.

Duke i pranuar statistikat siç i jep Qeveria – pa vënë fare në dyshim vërtetësinë e tyre – as këto të dhëna nuk e ndihmojnë Qeverinë. Të njëjtët tregues të kriminalitetit, përfshirë edhe atë të aksidenteve me pasojë vdekjen, të përmirësuar në tre muajt e qeverisjes së PS-LSI, janë të përmirësuar edhe për gjithë vitin 2013 krahasuar me vitin 2012, edhe për nëntë muajt e parë të vitit 2013 krahasuar me nëntë muajt e parë të vitit 2012.

Me të njëjtin kriter përmirësues e suksesi që përdor Qeveria e që sipas saj është produkt i Rilindjes së Policisë dhe Shtetit me rilindësit në ardhje e sipër në pushtet, do të rezultonte se rendi po përmirësohej edhe nga ish-qeveria, ndonëse demokratët ishin në ikje e sipër prej pushtetit. Nga këtu del se ose të gjitha meritat i ka LSI, ose të gjitha fajet i ka LSI, ndërsa PD e PS mbeten pa rol në gjithë këtë mesele.
Kaq mjafton sa për pak humor me mënyrën e interpretimit të statistikave që bën Qeveria.

QEVERI E ÇORODITUR, REND I TRONDITUR


Kriminaliteti ka ligjësitë e tij, që duhen studiuar me kujdes e mbi këtë bazë duhet ndërmarrë veprimi afatshkurtër dhe afatgjatë i shtetit, Policisë në radhë të parë, e më pas i të gjitha institucioneve shtetërore, deri tek ato shoqërore. Trajtimi i politizuar jo vetëm nuk ndihmon, por bëhet edhe pengesë. Kjo vlen për të majtët dje në opozitë e sot në qeveri, e për të djathtët dje në qeveri e sot në opozitë.


Megjithatë, karakteristikat e metodës qeveritare të përballjes me kriminalitetin janë tashmë të dallueshme dhe një farë lidhje shkak-pasojë mund të formulohet si një hipotezë fillestare që gjithsesi mbetet për tu provuar në të ardhmen.


Qeveria Rilindëse e bazon aksionin e saj te: i) ndryshimi i shpejtë dhe masiv i strukturës dhe personelit policor; ii) orientimi i Policisë më shumë kundër informalitetit sesa kundër kriminalitetit; iii) përdorimi i muskujve më shumë se i mendjes dhe iv) vlerësimi i suksesit bazuar më së shumti në treguesit sasiorë e jo ata cilësorë.


Këto karakteristika nuk vërehen vetëm në fushën e rendit publik, por edhe në thuajse të gjitha fushat e tjera, dhe pra nuk është çështje vetëm e mënyrës së të menduarit të ministrit Tahiri, por e mënyrës së të menduarit të Qeverisë në tërësi, pra e Kryeministrit.


Ndryshimi i shpejtë dhe masiv i strukturës dhe personelit policor duhet të ketë shkaktuar paaftësi të policisë, të paktën afatshkurtër, për tu përballur me krimin, paaftësi kjo që perceptohet nga aradhet e kriminelëve dhe iu japin atyre kurajë për të vepruar. Nëse ky faktor do të shuhet në afatgjatë apo do të vazhdojë të ndikojë negativisht, kjo mbetet për tu parë. Gjithsesi, disa ndryshime strukturore mund të rezultojnë fatalisht të gabuara edhe në afatgjatë. I tillë mund të rezultojë reduktimi i ndjeshëm i personelit në qendër në favor të personelit në bazë me idenë e luftës më të efektshme kundër krimit të përhapur në territor, por që mund të sjellë dobësinë e policisë në luftën kundër krimit, që nuk ka lidhje me territore specifike, por ka një natyrë universale dhe të përqendruar, siç është krimi i organizuar, trafiqet nga rrjetet mafioze, aktet terroriste dhe të tjera krime të kësaj natyre.


Me ardhjen e rilindësve në pushtet Policia u orientua drejt ndëshkimit të shkeljeve ligjore në lojërat e fatit, ndërtimet pa leje a në tejkalim të lejes, shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, lidhjeve të parregullta në rrjetin e furnizimit me energji elektrike, prerjes pa kriter të pyjeve dhe të tjera fronte të këtilla, të cilat janë, më së shumti, shkelje ligjore të tipit kundërvajtje administrative ose penale dhe përballja me to është, në thelb, përballje me informalitetin dhe jo me kriminalitetin.


Pa nënvleftësuar rëndësinë e të gjitha këtyre çështjeve, një orientim i këtillë i Policisë është i tepërt dhe i dëmshëm. Shteti ka plot struktura të tjera të specializuara që mund të merren me këto çështje, përfshirë edhe qarkullimin rrugor e parkimin në hapësirat qytetase, me të cilat mund të merrej Policia Bashkiake. Përdorimi i Policisë do të ishte i justifikuar vetëm në raste të izoluara dhe kur vendosja e rregullit në çështjet fiskale, ndërtimore apo mjedisore has në rezistencë të papërballueshme nga inspektoratet e posaçme.


Ndërkaq, përfshirja e Policisë, me orientim dhe stimulim nga lart, në këto fusha jo të natyrshme, sjell atë që personeli, mjetet, fondet, teknologjia dhe koha e policisë të shpenzohet më shumë në këto drejtime të reduktimit të informalitetit e, për pasojë, më pak në drejtimin më kryesor, atë të luftës kundër kriminalitetit.


Gjithashtu, metoda e vlerësimit të suksesit nga qeveria që iu diktohet shefave të epërm të Policisë, e këta ua diktojnë strukturave më poshtë deri te polici më i thjeshtë, është ajo sasiore – sa më shumë aksione e sa më të dukshme mediatikisht, sa më shumë gjoba, sa më shumë shembje ndërtimesh, sa më shumë ndalime, sa më shumë kallëzime, sa më shumë arrestime e gjitha këto kryesisht për kundërvajtje administrative. Dhe, kur shefat kërkojnë sa më shumë, atje poshtë puna bëhet shumë e për lumë.

PASOJAT NGA "NJE SHTET, NJE POLICI"


Çpo ndodh nuk është gjë tjetër vetëm zbatimi i idesë së gabuar rilindëse "Një Shtet, një Polici", që po përçudnon objektivin e Policisë dhe po ekzagjeron aksionin e saj.
Nën presionin e policisë bien qytetarët që nuk i zbatojnë sa e si duhet rregullat, por që nuk janë assesi kriminelë. Këta janë në fakt shqiptarët tipikë, pra më të shumtët, e që këto aksione masive të policisë i vlerësojnë si tejkalim në shkallë të gjerë të dhunës.


Kësisoj, policia përqendrohet mbi informalitetin dhe mbi shumicën e shqiptarëve dhe detyrohet të veprojë, për shkak të natyrës së gjithëpërhapur të informalitetit, me aksione masive që edhe kërkojnë shumë forca e burime, edhe japin rezultate të paqëndrueshme, edhe shkaktojnë reagim shoqëror, njëherazi duke i lënë, për rrjedhojë të këtij përqendrimi të gabuar të forcave dhe burimeve, fushë të lirë kriminalitetit dhe kriminelëve.


E gjitha kjo shkakton humbjen e dyfishtë të besimit te Policia e Shtetit dhe një perceptim të tejrritur të pasigurisë.


DY QASJET E MUNDSHME TE QEVERISE


Eksperienca njerëzore dhe ajo shqiptare tregojnë se, në kushtet e një frymëzimi ekstremist liderët e kanë të vështirë të dalin nga spiralja kokëposhtë e aksionit ekstremist të nxitur në fillesë nga frymëzimi ekstremist. Arsyet e dështimeve gjenden gjithnjë te pamjaftueshmëria e ekstremizmit të aksionit dhe te pengesat e krijuara nga kundërshtarët e frymës dhe aksionit ekstremist. Për rrjedhojë, zgjidhja pasuese gjendet tek aksionet edhe më ekstremiste, e kështu në vijim deri në dështimin e plotë e me shumë pasoja të kësaj qasjeje.


Shenjat fillestare të kësaj spiraleje ekstremiste po shfaqen çdo ditë e më shumë te qëndrimet e qeveritarëve dhe mediave mbështetëse që: i) e paraqesin kriminalitetin në rritje të rrezikshme e të krahasueshme me 1997-n, kur gjendja në fakt është tepër larg gjendjes së atij viti dhe sot për sot Shqipëria bën pjesë në vendet me shkallë të mesme kriminaliteti; ii) apo që njehsojnë vrasjen me tritol si akt personal kundër individit me aktin terrorist me shpërthime bombash të organizatave terroriste a individëve ekstremiste ose të çmendur; iii) apo që SHISH nuk jep informacion për këto "akte terroriste" dhe pra ska çbën policia kur këtë pyetje ministri Tahiri dhe Policia duhet tia bëjnë vetes se ku e kanë rrjetin e vet informativ; iv) e deri te marrëzitë e dikurshme që ripërdoren pa teklif edhe sot se "të gjitha fajet i ka Saliu".


Pas kësisoj shpjegimesh vjen "logjikshëm" zgjidhja përmes "dorës së fortë" dhe "ligjit special për rendin publik", i ngjashëm me Aktin Patriotik të SHBA pas sulmit terrorist islamik mbi Kullat Binjake më 11.09.2001, i diskutueshëm edhe në rrethanat e atyre kohëve në SHBA dhe tërësisht i pajustifikuar, i padobishëm, por edhe i dëmshëm për situatën në Shqipëri, apo kërkesa – rroftë sebepi – për ndryshimin e drejtimit të SHISH.


Ndoshta Qeveria do të reflektojë mbi qasjen e gabuar të këtyre muajve dhe rrugën pa krye ku ajo të çon e do ti kthehet një qasjeje më të arsyeshme, më të orientuar e më pak të politizuar.
Zgjedhja është në dorën e Qeverisë. Reagimi është në dorën tonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama