Televizionet tona transmetojnë kryesisht programe të tipit talk show, të cilët nënkuptojnë një studio të mbushur me të ftuar, të cilët flasin me radhë, shpesh dhe pa radhë, mbi një argument të caktuar. Nuk kanë të numëruar programe të tilla këtej nga anët tona, të cilat kanë kapur intervalin më bombë televiziv, atë që fillon në orën 21.00 e mbaron në 23.00. Gjithë beteja nëpër televizionet e botës bëhet mbi këtë interval të artë kohor, por në Shqipëri e kanë të thjeshtë: ia lënë në dispozicion programeve talk-show. “Top Channel”-i, “Tv Klan”-i, “Vizion Plus”-i, “Ora News”-i, TVSH-ja përgatisin e transmetojnë secili nga 5-6 debate televizive të kësaj natyre gjatë javës.
Kuptohet pse janë kaq të parapëlqyer. Së pari, ndiqen nga shikuesit. Këta të fundit nuk kanë të ngopur me përplasje televizive, dhe kuptohet, nuk është një tabiat shqiptarësh; kudo i ndjekin debatet. Shikuesit shqiptarë mund të qortohen që kanë një standard të ulët etik e shije jo fort të përpunuara, gjë që i bën të ndjekin plot qejf një sherr me gjuhë vulgare (madje, sa më shumë të shndërrohet debati në një sherr me gjuhë vulgare, aq më shumë ndiqet), por nuk mund të qortohen që jepen pas debateve. Debati ndjell. Është gara në përgjithësi që ndjell. Është humane kjo.
Arsyeja e dytë që televizionet tona parapëlqejnë talk show-n ka të bëjë me faktin që ky i fundit, kështu si bëhet këtu, është gjëja më pak e kushtueshme. Të bësh një debat televiziv kushton shumë më pak sesa përgatitja e tri lajmeve mbi konferencat e shtypit të zëdhënëseve të partive kryesore. Për tre lajme të tilla fare të kollajta do të duhet të nxjerrësh gazetarët jashtë, pranë selive të partive, me nga një kamerë, rrjedhimisht me nga një reporter dhe këta të fundit, tok me gazetarët, kanë nevojë për një makinë që t’i marrë, t’i çojë në vendngjarje, të rrijë me ta derisa të mbarojnë punë, t’i marrë e t’i kthejë në televizion, ku gazetarëve u duhet të punojnë një copë herë të mirë me montazhierët, e kështu me radhë. Ndërsa për të bërë një debat, duhet llogaritur kostoja e investimit fillestar (një studio e vogël, një dekor modest, ndonjë videowall), rroga e moderatorit dhe rroga e ndonjë vajze që ndihmon moderatorin (shumica e debateve janë fare të thjeshtë, e nuk kërkojnë më shumë).
Ku është e keqja? E keqja është që këto programe janë pothuaj njësoj, ose që ndryshojnë në atë masë që ndryshojnë moderatorët nga sho-shoqi. Suksesi i debateve të tilla varet nga lloji e statura e të ftuarve, e prandaj moderatorët vihen në garë kush e kush të ftojë më parë personazhe që supozohet se ndjellin, që njëherë mund të jetë Sali Berisha, njëherë tjetër Edi Rama, e njëherë tjetër akoma ndonjë ambasador. Për ta nuk është i rëndësishëm personi që ftojnë, por personaliteti, d.m.th një funksionar i lartë publik konsiderohet vetvetiu një i ftuar i mirë, që i rrit vlerën programit. Është aq evidente kjo dukuri, sa ka studio ku një personalitet i rëndësishëm politik mund të ketë shkelur 10 herë në tre muaj.
Kjo ndodh, ngaqë studiot nuk janë tërësisht në dorë të gazetarëve e moderatorëve, por ndodh edhe ngaqë debati nuk ngrihet mbi çështje e mbi argumente, që kanë të bëjnë me jetën reale të vendit e me shqetësimet reale të shoqërisë, dhe në këtë pikë jemi tek e keqja tjetër e madhe. E di, nuk ka gjë për të cilën nuk është folur në studiot tona televizive, por pikërisht këtu qëndron gënjimi i madh. Duke përjashtuar nja dy studio, në të tjerat sa më shumë bërtitet, aq më pak flitet rreth këtyre problemeve e shqetësimeve të mëdha të vendit e të kombit.
Çfarë dua të them? Po të pyesësh ndokënd, nëse është folur apo jo për Gërdecin në studiot televizive të debateve, do të marrësh përgjigjen: “Si jo? Është folur shumë”. Në fakt, nuk është folur kurrë seriozisht, nuk është bërë kurrë një debat i vërtetë mbi këtë çështje. Televizionet në shërbim të pushtetit e kanë trajtuar këtë çështje me synimin për t’i mbuluar të vërtetat, apo për t’mos folur mbi to, ndërsa në televizionet jo e antiqeveritare kanë pasur frikë të merren me këtë argument.
E njëjta gjë mund të thuhet për rrugën Durrës-Morin, korrupsioni i së cilës është denoncuar nëpër gazeta. Nëpër televizione është folur sa për të larë gojën. I vetmi program ku flitet disi troç për çështje të tilla, e ku denoncimi ngrihet mbi fakte e investigime, është ai “Fiks Fare”, por ky nuk është debat; është program satirik, e ka rrezik që denoncimi të lihet në hije nga elementi satirë. Por ky nuk është faji i programit. Ky është limit i programit, i cili është projektuar për të qenë një përzierje e satirës me denoncimin e investigimin.
Nuk është se bëhet fjalë vetëm për patate të nxehta të natyrës politike, të cilat televizionet nuk duan t’i mbajnë në dorë. Jo, është në natyrën e talk show-t shqiptar të mos merret me thelbin e asaj që ndodh në Shqipëri. Vetëm gjatë një jave, në dy televizione të rëndësishme të vendit (njëri kombëtar e tjetri lokal) kanë ftuar nëpër studio ambasadorin amerikan, me të cilin, në prime time (ora e pikut të audiencës pra) kanë bërë intervista të gjata deri dhe mbi detaje të jetës së tij intime (se ku qëndron interesi publik në këtë mes, ec e merre vesh!). Dhe ish një javë që përkoi me dy ngjarje të forta lokale: 1. në Vlorë vranë një gjyqtar; e vranë në mënyrë spektakolare, mu në mes të qytetit; e vranë – kështu duket nga të dhënat e deritanishme – për prona të pretenduara nga më shumë se një palë, dhe 2. Në Bulqizë pati një përplasje kilometrike, që mori forma e nënvizime të ndryshme me kalimin e ditëve, mes minatorëve dhe kompanisë që ka marrë të drejtën për të administruar minierën e Bulqizës.
Në fakt, u bënë nja dy a tri diskutime nëpër studio, por ato ishin të natyrës “kompasionale”. Asgjë më tepër. Askush nuk ndaloi gjatë në këto ngjarje, thellë të cilave ka një mori problemesh të një rëndësie të dorës së parë. Dhe me sa duket, askush nuk ka për t’u ndaluar gjatë. Është në stilin e talk show-t shqiptar të mos ndalet në çështje të tilla, e në përgjithësi, të mos ndalet në çështje.