Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Hapa, prova, gabime

Shkruar nga: Kleanthi Zoto  
Botuar më: 17 vite më parë

Kleanthi Zoto
Hapa, prova, gabime

Ato janë komplekse se të tilla janë ngjyrimet, shtresat, klasat e forcat e ndryshme që i përbëjnë. Një shoqëri cilado qoftë ajo, madje dhe atë që marrin për model, ka suksese, arritje e dështime; hapa përpara dhe gabime, prova të suksesshme e konkrete dhe prova artificiale e të dështuara. Këtej lindin pyetjet: Pse disa personalitete politikë glorifikojnë ngjarjen, fazën apo dhe një periudhë të tërë historike dhe pse errësojnë atë pasardhëse? Pse sajohet gabimi? Pse në fund të fundit, është prova ajo që të bind dhe të tregon se ç'je? Pse. . .

Në fillim të këtyre radhëve dëshiroj të bashkohem me tezën sipas së cilës, kur hedhim hapa përpara, të përgatitemi të mësojmë prej gabimeve tona. Dhe mëson apo nuk mëson, i sheh me sy kritik apo jo arritjet, provat e gabimet, nuk është një çështje e thjeshtë, por një problem që ka të bëjë me filozofinë, që e lakojnë aq shumë politikanët tanë, me aparatin konceptual e me qëndrimet që lëvizin. Në shoqëritë e mbyllura totalitare liderët kryesorë politikë realitetin e të kaluarës e ngjyrosin zi, ndërsa të sotmen të glorifikuar, rrëzëllitëse, deri diell pa "njolla". Në shoqëritë e hapura, siç priret edhe shoqëria jonë, hapat përpara shihen në korelim me provat e gabimet. Dhe kur veprohet kështu atëherë dhe metoda e provave dhe e gabimeve merr karakter shkencor. Ndaj duhet të udhëhiqemi e të ushqehemi nga mendësia se asgjë nuk është e përkryer, madje edhe në shoqëritë demokratike e të civilizuara ku dëshirojmë të mbërrijmë.

Hapat politikë të një shoqërie në progres janë pozitive dhe negative, ngjitje e zbritje, prova të suksesshme e të dështuara. Rëndësi ka që shoqëria, lideri politik" të këqyrë me kujdes në ka gabime, t'i gjejë ato, t'i nxjerrë hapur në shesh, t'i analizojë dhe të mësojë prej tyre". (Karl Popper, "Mjerimi i Historicizmit", fq.81).

Shtrohet pyetja: Veprojnë me këtë mendësi liderët tanë kryesorë? Le të kthejmë kokën mbrapa. Përgjigja është: Jo.

Sukseset e arritjet kanë gojë e flasin, ndërsa gabimet e provat e dështuara shpesh janë memece e shurdhe. Për varfërinë, p.sh., që është një dukuri shqetësuese për shoqërinë tonë në këtë fazë, heshtet. Buzëqeshjet guipleniane, fytyrat rrëzëllitëse (edhe kur akuzohen për përvetësime të përmasave të mëdha!), euforia e mos disiplinimi i subkoshiencës, janë pasqyrë e një shoqërie të përfytyruar në lëvizje njëtrajtësore e nivelore, por që nuk i ngjan aspak tonës. Ka prova të dështuara e gabime nga klasa jonë politike, sidomos ajo pozitare, për këtë varfëri ekstreme? Mendoj se po. Pa mundur të bëj "zhytje" vertikale në këto radhë, por politikat e gabuara agrare, p.sh., janë një nga shkaqet e varfërisë. Faktet flasin vetë. Shurdhi më i keq, sipas fjalëve të Shekspirit, është ai që nuk do të të dëgjojë.

***

Hipoteza sipas së cilës të "fillojmë botën nga e para" jo vetëm nuk arriti dot të krijojë embrionin e një teorie, por si hipotezë bastarde, ajo solli me vete një politikë e një praktikë me pasoja tepër negative për shoqërinë. Nuk po i vërejmë edhe sot metastazat e kësaj hipoteze të dështuar në qëndrimet ndaj Akademisë së Shkencave? Shkenca, nga vetë natyra e saj nuk duron dot tutelë. Si një organizëm i pastër e i shëndetshëm që është, reagon ndaj "bacileve" sidomos atij që ka emrin "histeri" politike. Kjo se përparimi i shkencës, siç thekson Niels Bohri, një nga mendjet e ndritura të shkencës e filozofisë, varet nga konkurrenca e lirë e mendimit dhe që këtej, në fund të fundit, nga liria politike. Ndaj akademikët nuk janë të shqetësuar se duhet bërë reformë në Akademi (se në fakt ka vite që janë në lëvizje për këtë gjë), por për ndërhyrjet e qeverisë në punët e saj. Vetë ecja përpara e shkencës nuk i ka duruar ndërhyrjet e politikës. Vetëzhvillimi i tyre ka qenë në konflikt të hapur me politikën sidomos me militantizmin ekstrem të saj. Shkencëtarët që janë marrë me radioaktivitetin, p.sh., kanë kundërshtuar me forcë synimet e politikanëve që kanë dashur të përdorin zbulimet e tyre për qëllime agresive e kërcënuese. Shkencëtari është shkencëtar dhe objekt ka shkencën, gjë që edhe politika (ajo objektive ama!) e ka vlerësuar. P.sh., Frederik Zhylio Kyri-së, pavarësisht se ishte komunist, iu besua në kohën e Luftës së Dytë Botërore ruajtja e Ujit të Rëndë. Po kështu Jurgen Habermas, (një nga filozofët më në zë të kohës sonë), vlerësohet sot edhe për qëndrimin që mbajti kundër disa historianëve që minimizonin krimet naziste.

Të gjitha institucionet e Akademisë së Shkencave (edhe ato që ndonjë i ka quajtur akademike e larg praktikës), i kanë dhënë e i japin një ndihmesë të çmuar si qytetërimit e civilizimit të shoqërisë, ashtu edhe zhvillimit të ekonomisë. Instituti i Matematikës Llogaritëse p.sh., që u drejtua nga matematicienë të aftë e të specializuar në Francë e jo nga politikanë, pavarësisht nga ndërhyrjet, i hapi portat Informatikës edhe në vendin tonë, ndërkohë që politika zyrtare ishte izolacioniste. Kështu mund të themi edhe për institutet e tjera të këtij lloji.

***

Provat politike, ndryshe nga provat që bëhen në laborator largojnë nga shoqëria konfliktualitetin, hipokrizinë, megalomaninë, euforinë e premtimet boshe. Ato ballafaqojnë politikanin me qytetarin, afrojnë liderin me forcën e tij politike. Ka ardhur koha e pragmatizmit dhe e zvogëlimit të distancës në kohë mes Teorisë dhe Praktikës. Qytetari ynë nuk u beson më fjalëve të bukura e premtimeve boshe, ai kërkon prova të besueshme. U ngjir z.Berisha edhe në këtë seancë parlamentare se u arritën këto suksese e u tejkaluan këto realizime, por ai harron se realiteti është konkret e i prekshëm nga qytetarët… Do t'i përfundoja këto radhë me tezën sipas së cilës, "progresi shoqëror mund të arrihet vetëm duke u huazuar shkencave metodën e provave e të gabimeve, domethënë duke ndërmarrë reforma pragmatike. (Edmund Jacoby: "Filozofët më të mëdhenj të kohërave", fq.277).

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama