Ne të gjithë po prisnim me kërshëri e interes raportin e Brukselit, mbi bazën e të cilit do t’i vihej një notë Shqipërisë në përpjekjet e bëra për t’u integruar në BE. Nëse biem dakord që integrimi në BE ka rëndësi për vendin tonë, që ky integrim duhet të përbëjë një përparësi absolute, e që ky integrim është një arritje që e shpëton Shqipërinë, atëherë kuptohet lehtësisht kërshëria dhe interesi mediatik lidhur me përmbajtjen e raportit. Në fakt, politika shqiptare ka bërë çmos që ta sublimojë këtë proces të anëtarësimit, por po merret vesh se kjo është një pesë me hiç. Neve na duhet më shumë europianizimi i vendit, se sa integrimi i natyrës politiko-administrative në Europë. Ndërsa ky integrim në BE, i përdorur si një alibi nga klasa politike shqiptare, me të cilën ajo përligj të gjitha prapësitë e bëra, nuk i lipset askujt me mend në kokë. Këtij lloj integrimi personalisht do t’i thoja “jo” qysh tani e në çdo moment. E kam frikë se janë të shumtë ata që do të bënin të njëjtën gjë.
Edhe për ata, të cilëve ideja e integrimit në BE u ka hyrë nga njëri vesh e u ka dalë nga tjetri, ka ekzistuar, megjithatë, bindja se sa më shumë përparon ky proces, aq më shumë rriten shanset që klasa politike të jetë më e kujdesshme dhe më e përgjegjshme. E kemi menduar këtë gjë me rastin e anëtarësimit në NATO, por establishmenti u bë çuditërisht më arrogant, më i papërgjegjshëm e më i korruptuar, dhe gjërat në përgjithësi njohën një përkeqësim pas atij momenti, kur në Tiranë u festua si të bëhej fjalë për ndonjë krushqi tonën me hyjnitë. Të njëjtën gjë mendojmë dhe tani me integrimin në BE, ngaqë e shohim këtë të fundit edhe si një gardian të praktikës rule of law e të demokracisë. Është provuar tanimë, që nuk është kështu. Raporti i pardjeshëm është një provë tjetër. Ai raport e penalizon Shqipërinë e Berishës, të Ramës e të Metës, por e bën këtë gjë mbi bazën e një leximi të përciptë të realitetit shqiptar. Nuk është se i qortoj për këtë; jo, thjesht dua të them, se ai raport është punë e tyre, nuk është puna jonë. Nuk kemi pse të merremi më shumë se sa duhet me të.
Po risjell në vëmendjen tuaj një pasazh nga raporti: “Qeveria e Shqipërisë ka bërë përpjekje për të ecur përpara në axhendën e integrimit në Bashkimin Europian, veçanërisht në përgatitjen e Planit të Veprimit për të trajtuar prioritetet kyçe të Bashkimit Europian. Ky proces përfshin diskutimet me opozitën në Komisionin Parlamentar për Integrimin Europian. Ka pasur disa përmirësime të kufizuara në Rregulloren e Kuvendit. Shqipëria ka miratuar strategjinë e reformës së gjyqësorit dhe një plan veprimi, që përbën një bazë të mirë në përpjekjet për reformë. Një vendim i Këshillit të Ministrave ka vendosur një qasje uniforme dhe standarde për krijimin e enteve publike. Lufta kundër krimit të organizuar ka ecur përpara, veçanërisht nëpërmjet bashkëpunimit të mirë ndërkombëtar dhe vënies në zbatim të ligjit ‘antimafie’ që përfshin edhe konfiskimin e pasurive kriminale. Zbatimi i Ligjit për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijës dhe disa përmirësime në trajtimin e të burgosurve paraqesin përparim të rëndësishëm në fushën e të drejtave të njeriut. Shqipëria vazhdon të luajë një rol konstruktiv në ruajtjen e stabilitetit rajonal dhe në nxitjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor dhe vendet e Bashkimit Europian”.
E shikoni se çfarë syzesh përdorin eurokratët për ta lexuar realitetin shqiptar? Ata e shohin integrimin e Shqipërisë si një numër ligjesh, premtimesh, angazhimesh, vendimesh, strategjish, e gjëra të këtij lloji. E kanë gabim? Përsëris: kjo është puna e tyre. Ata mund t’na e jepnin neve statusin e vendit kandidat, nëse do të ishin miratuar ca ligje me 3/5, nëse do ishin zgjedhur në mënyrë konsensuale nja dy krerë institucionesh, nëse do kish një dialog dosido mazhorancë-opozitë (Mr. Fule tha dje, i frymëzuar nga prania e opozitës në Parlament, se “sot ka shenja të një klime dialogu”, ndërkohë që të gjithë e dimë se kjo është gjepura më e madhe; opozita po shkon në Parlament, por dialog nuk po shohim të ketë). Kaq duan ata, me sa duket. Dhe kaq shohin.
Ata nuk duan të shohin që votimet manipulohen (Tirana më 8 maj ishte një shembull ditën me diell), që institucionet po bien një e nga një nën presionin e Kryeministrit, që administrata publike është e tëra partiake, që mësuesit urdhërohen të mbyllin shkollat, sepse nxënësit duhet të marrin pjesë në festat e pushtetit e në vizitat e pushtetarëve, që policia është e tëra e rekrutuar me logjikë klienteliste, që asnjë biznesmen simpatizant i opozitës nuk guxon të thotë se është simpatizant i opozitës, që media ka harruar të bëjë watch dog-un, për shkak të presioneve qeveritare, me të cilat i duhet të përballet, që Kryeministri vrau katër vetë më 21 janar (raporti thosh thatë, se “mbetën katër të vdekur”; do ta ketë shkruar Grossruck-u këtë pjesë), që ai pengoi hapur hetimin duke mos pranuar të dorëzojë gardistët tek prokurorët, që ai iu vërsul krerëve të institucioneve me gjuhë rrugaçësh (“horra e lavire bulevardi”, i quajti), që ai shpalli një putsch, të cilin filloi ta hetonte në mënyrën më idiotike të mundshme, etj, etj.
Megjithëse kemi gjithë këto probleme, ne do ta kishim marrë pra statusin e kandidatit. Do t’na i kishin dhënë këtë biçim statusi, nëse Kryeministri shqiptar s’do të ish kaq i trashë e tahmaqar, e kështu ai, tok me klasën politike shqiptare, do kish dalë “i nerum”, s’ka gjë se është një nga gjërat më të poshtra që ka prodhuar ky komb. Ç’do të thotë kjo gjë? Kjo do të thotë se statusi i vendit kandidat, ashtu si integrimi i plotë në BE nuk ka lidhje me shqiptarët e me aspiratën tonë për t’u zhvilluar e për të përparuar në modelin e Europës së vlerave të tolerancës, të bashkëjetesës, të fjalës së lirë, të demokracisë, të garës mbi bazën e rregullave të qarta, të tregut të lirë e të iniciativës së lirë në këtë treg, të institucioneve të pavarura, të sundimit të ligjit, etj., etj. Integrimi në BE pra, për të cilin flet gjithë ditën politika shqiptare e të cilin na e jep me pikatore ushtria e eurokratëve, është punë e këtyre të fundit. Neve të tjerëve s’na hyn asgjë në qese në këtë histori.