Duket si një film i parë dhe i stërparë. Jozefina Topalli që sulmon Bamir Topin. Njëri ndër ritualet e përsëritura të politikës shqiptare, të viteve të fundit. Megjithatë kësaj radhe “celuloidi” ka një detaj të ri, aspak të parëndësishëm: Bamir Topi kthen përgjigje. Madje të fortë dhe të prerë, duke e akuzuar personalisht Kryetaren e Kuvendit. E ka quajtur spikere që reciton atë që i japin të gatshme të tjerët (pra Berisha), si dhe e ka tallur, duke thënë se nuk e di mirë shqipen. Më ashpër se kaq, zor se mund të mendohet. Presidenti kundër kreut të Kuvendit dhe shefit të qeverisë. Ose e thënë ndryshe, një luftë tashmë e pakthyeshme, mes ish-nënkryetarit të PD-së dhe lidershipit të partisë së tij.
Përplasja ka marrë trajta të ashpra në një segment institucional e politik, i cili edhe më parë ka dhënë shenja se nuk do ta duronte presionin e akumuluar mes Presidentit, nga njëra anë, dhe ish-partisë së tij, nga ana tjetër. Jozefina Topalli ka qenë veçanërisht e zellshme në nxitjen dhe mahisjen e mërisë fillimisht të shurdhët që mbizotëronte brenda PD-së për Bamir Topin. Ajo e ka ushqyer me durim e vullnet këtë sherr, duke vëzhguar tinëzisht edhe egërsimin gradual të Berishës ndaj ish-ndihmësit të tij më të afërt. Një Bamir Topi i rikthyer normalisht në PD, pas mandatit presidencial, do të ishte një rival i rrezikshëm më shumë, për gruan ambicioze që drejton Parlamentin e këtij vendi.
E prirur që në përgjithësi t’u fryjë të gjitha zjarreve që shfaqen rreth saj, Kryetarja e Kuvendit është sot përfaqësuesja klasike e një stili politik që, më shumë sesa demokracisë, i përket periudhës së Luftës së Ftohtë. Teksa e sheh të drejtojë Parlamentin, si të ishte një mbledhje partie, nuk mund të mos mendosh sesa jashtë kohe dhe hapësire ka mbetur klasa jonë politike. Dhe më shqetësuesja e gjithçkaje është se këtë demonstrim të përjavshëm force, Jozefina Topalli ua shet për vlerë, si shqiptarëve, ashtu edhe anëtarëve të partisë së saj.
Debatet rreth formimit dhe kulturës së Jozefina Topallit, elemente që Presidenti i ironizon hapur në deklaratën e tij të fundit, kanë qenë të hershme. Pak a shumë po aq të hershme, sa edhe eksperienca politike e vetë Topallit. Megjithatë kreu i shtetit mund të ketë gabuar kur ka vënë në dukje vetëm faktin se Jozefina Topalli s’e flet drejt shqipen korrekte. Është e vërtetë që ajo e ka këtë defekt, por nuk është ky problemi, kur flitet për një figurë të këtij profili të lartë politik. Zonja Topalli është e skeduar nga Bashkimi Europian që nga dhjetori i vitit të shkuar, me emër dhe mbiemër, si një funksionare e lartë e shtetit, e cila “e ka keqpërdorur politikisht postin që mban”. Kjo penallti e Brukselit, është ku e ku më e rëndë dhe skandaloze, sesa dialekti i saj gjuhësor.
Jozefina Topalli i ka dhënë Parlamentit shqiptar një frymë të egër klasore, një drejtim totalisht të anuar nga aspekti politik, i cili diskriminon orë e çast të drejtat e të gjithë atyre përfaqësuesve të popullit shqiptar, të cilët nuk bëjnë pjesë në borderonë politike të mazhorancës. Më shumë sesa shqipja e pasaktë, deformimi institucional që ajo ka sjellë me vete, duke u ulur në poltronin më të lartë të Kuvendit, është defekti më i rrezikshëm që zonja Topalli mbart me vete.
Duke e ushqyer pa pushim nga brenda sistemin, me mllefin e saj arkaik, Kryetarja e Parlamentit ka futur në institucionin më të lartë të vendit, kulturën e dhunës verbale e të urrejtjes ndaj kundërshtarit. Fraza tashmë e famshme “nxjerreni për zhelesh jashtë”, është paradigma më e goditur për këtë stil drejtimi parlamentar, ku militantizmi politik dhe agresiviteti ideologjik, e pse jo edhe krahinor, janë ulur këmbëkryq.
Jozefina Topalli ka dalë hapur kundër Bamir Topit. E pati bërë në disa raste, në të shkuarën, por pa u përplasur publikisht me kreun e shtetit. Ajo ndien tani se është momenti për ta atakuar në mënyrë frontale ish-kundërshtarin e tij të vetëm, i cili ka pas vetes, prej shumë muajsh, edhe mallkimin e Kryeministrit. Por, ashtu si Berisha, Jozefina Topalli ndien gjithashtu edhe diçka tjetër, që mazhoranca po tregon se e ka frikë: zbritjen në fushë të Bamir Topit në zgjedhjet e ardhshme. E mesa duket, ka gjasa (ende për t’u provuar deri në fund megjithatë), se kësaj radhe Topi po shtrëngohet të ndërtojë një projekt serioz për vitin 2013. Për atë moment kur do të jetë thjesht një figurë publike, formalisht e papunë.
Qeveria po shfaqet nervoze dhe mosbesuese rreth kësaj mundësie, e cila mund të përbëjë një simetri të vonuar me atë të LSI-së së vitit 2004. Bamir Topi po kërkohet të kryqëzohet tashmë jo sepse më 21 janar u soll “si horr”, jo sepse më 8 maj “votoi Edi Ramën”, jo sepse kohë pas kohe guxon të kthejë mbrapsht ligje të caktuara, por sepse mbi të gjitha, mesa duket po guxon të pretendojë një grusht të mirë votash djathtas. Aty ku PD-ja prej kohësh e ka humbur sharmin, duke u përpjekur të fshihet pas kurrizit të Ilir Metës e Shpëtim Idrizit. Topi po rrezikon të kryejë mëkatin final ndaj Berishës e Topallit – të rrezikojë qëndrimin e tyre në pushtet në zgjedhjet e vitit 2013. Më se e mjaftueshme që kundër tij të thirren në rresht shoqata, të përndjekur, rapsodë e gjithfarë personazhesh të njohur e të panjohur, për të anatemuar një person që ka shumë gjasë të jetë “kingmaker”-i i votimeve të ardhshme. Beteja ka nisur që tani.