Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Plehrllëqe dhe gomarllëqe

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 14 vite më parë

Artan Hoxha
Plehrllëqe dhe gomarllëqe

1. Ligji “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, miratuar nga Kuvendi më 22.9.2011, u kundërshtua nga opozita dhe u kthye për rishqyrtim nga Presidenti. Grupe mjedisore dhe individë iu bashkuan kundërshtimit opozitar dhe presidencial. Kundërshtarët premtojnë se çështjen do ta shtrojnë edhe në referendum.  Lideri opozitar Rama i dedikoi kësaj çështjeje dy nga 12 editorialët e tij të përjavshëm. Maxhoranca deklaron se nuk tërhiqet. Palët përdorin termin “plehra” për kundërshtarin. Po përplasen kësisoj, “Aleanca opozitare e plehrave” me “Qeverinë fashiste të plehrave”.

2. Mes zallamahisë së debatit, po dalin në pah, me vështirësi, disa çështje thelbësore dhe argumentet por e kundër. Çështjet bazë që arrij të shquaj janë: I) a po hapet një portë hyrëse e mbetjeve e mbyllur më parë; II) porta e hapur për mbetjet jo të rrezikshme a është një mundësi e qenësishme për hyrjen e mbetjeve të rrezikshme; III) a është e dëmshme që përveç mbetjeve shqiptare, industria shqiptare të përdorë edhe mbetje të importuara.

3. Lidhur me çështjen e parë, kundërshtarët pretendojnë se qeveria po hap portat e vendit për importin e gjithfarëlloj plehrash, portë e cila paskësh qenë e mbyllur më parë. Sipas qeverisë, porta ka qenë gjithnjë e hapur dhe thjesht po mbahet e hapur. Cilido lexues i vullnetshëm, që nuk beson verbërisht as opozitën e as qeverinë, mund të kërkojë në www.ligjet.org ligjin Nr. 8934, datë 5.9.2002 “Për mbrojtjen e mjedisit”, neni 22 dhe ligjin Nr. 9010 datë 13.2.2003 “Për administrimin mjedisor të mbetjeve të ngurta”, neni 26 e t’i krahasojë me nenet 48 dhe 49 të ligjit të sotëm në diskutim.

4. Ajo çka më rezulton nga të tri tekstet ligjore është e njëjta, në thelb dhe në pamje, që: a) importohen vetëm mbetje jo të rrezikshme; b) ndalohet importi i mbetjeve të rrezikshme, pavarësisht qëllimit; c) ndalohet importi i mbetjeve qoftë edhe jo të rrezikshme me qëllim ruajtjen apo asgjësimin. Porta ka qenë e hapur dhe mbetet e hapur. Kontrolli i portës bëhet edhe më i rreptë, deri në tepri, me ligjin e ri. Që nga viti 2002, në fakt edhe më herët, e deri më sot, janë eksportuar dhe importuar mbetje jo të rrezikshme. Pretendimi i kundërshtarëve është një gënjeshtër ashiqare. Propagandë për të ngacmuar emocionet e atyre që nuk lexojnë apo të atyre që, edhe nëse lexojnë, u besojnë veshëve dhe jo syve.

5. Me shikim të shpejtë, çështja e dytë është më se legjitime. Kushdo ka plotësisht të drejtë të perceptojë që porta e hapur për mbetjet jo të rrezikshme mund të shërbejë për hyrjen e mbetjeve të rrezikshme. Parë me kujdes, ky është një shqetësim i ekzagjeruar deri në absurd. Futja në vend e mbetjeve të rrezikshme të kamufluara si jo të rrezikshme është një veprimtari trafiku ilegal i ngjashëm me atë të drogës. Kundër kësi lloj trafiqesh vepron një sistem i tërë kontrollesh parandaluese e ndëshkuese, jashtë e brenda Shqipërisë. Por ndërsa për drogën bëhet fjalë për sasi të vogla në gramë a kilogramë e që mund të fshihen lehtësisht për mbetjet e rrezikshme, si rregull, bëhet fjalë për një proces të vazhdueshëm në kohë, për sasi me tonelata në çdo parti malli, për subjekte biznesi të regjistruara dhe për veprime mbi mbetjet në vende e përmasa që nuk i shpëtojnë syrit të njerëzve.

6. Kalimi fshehtas, qoftë edhe duke përdorur korrupsionin, i zinxhirit të kontrolleve që nga vendi i origjinës deri në destinacion do të ishte një ndërmarrje me sukses tepër-tepër të dyshimtë. Kur arrihen të kapen sasi të vogla të drogës, si mundet që rreziku të jetë më i madh në rastin e mbetjeve? Të pretendosh që për këtë risk, të mbyllësh portën, do ishte një gomarllëk. Me të njëjtën logjikë, në rastin e drogës do të duhej të mbyllej porta hyrëse për paracetamol, miell apo niseshte. A nuk mund të kamuflohet shumë më lehtë pak sasi droge mes tonelatave të miellit apo arkave me kuti paracetamoli?

7. Ndërsa hyrja fshehtas do të ishte e vështirë, kundërshtarët e ligjit në fjalë pretendojnë se “Qeveria që vjedh votat për të vjedhur Shqipërinë” mund të autorizojë haptas, me vendim të Këshillit të Ministrave, importin e mbetjeve të rrezikshme. Ligji, që vetë kjo qeveri ka përgatitur, ia ndalon. Nëse qeverinë, këtë apo ndonjë tjetër më vonë, e lë mendja të bëjë një veprim të këtillë, ajo ose do shkelë haptas ligjin, ose do kërkojë paraprakisht ndryshimin e ligjit. Imagjinata ime nuk arrin dot deri këtu. Gjithsesi, takohemi kur kjo të ketë gjasa reale që të ndodhë. Zhurma e sotme për këtë është ose paragjykim ekstrem, ose politikë e mbrapshte, ose nastradinizëm.

8. Çështja e tretë është e vetmja që meriton diskutim dhe analizë të thelluar. Këtu vihet në balancë, nga një anë përfitimi publik i zhvillimit industrial riciklues me të gjitha efektet pozitive të tij, si: shtesë prodhimi, punësimi, të ardhurash publike e private, eksport dhe, nga ana tjetër, humbja publike mjedisore, duke konsideruar të gjitha efektet e mundshme negative mjedisore a shëndetësore, të drejtpërdrejta a të tërthorta, nga zhvillimi i kësaj industrie. Shënojmë me “K” kapacitetin e industrisë ricikluese, matur me sasinë e mbetjeve që përdoren si lëndë e parë. Në fillimet e industrisë, kur “K” është e vogël, përfitimi publik shtesë “P” nga një rritje me një njësi e “K” është i lartë dhe kosto mjedisore shtesë “M” është e ulët. Me rritjen e “K”, dobësohet efekti shtesë pozitiv “P” dhe rritet efekti shtesë negativ “M”. Pika optimale e ekuilibrit mes ekonomisë dhe mjedisit është ai kapacitet përpunues “Ko”, në të cilin efektet shtesë mbi “P” dhe “M” barazohen. Pika ku Po=Mo përcakton kapacitetin industrial ricklues “Ko”, që konsiderohet shoqërisht i dobishëm. Kjo logjikë ndiqet për çdo lloj zhvillimi industrial dhe jo vetëm për atë riciklues.

9. Rritja e kapacitetit përpunues mbi vlerën “Ko” është humbje neto publike e padëshirueshme, pasi efektet negative mjedisore tejkalojnë ato pozitive ekonomike. Mbajtja e një kapaciteti më të vogël se “Ko” është gjithashtu një humbje neto e padëshirueshme, pasi humbin të mira që mund t’i kishim. Çështja është teorikisht e thjeshtë. Praktikisht jo kaq e thjeshtë, por plotësisht e mundur nëse do të bazohemi në analiza, studime dhe procese transparente të vendimmarrjes. Ligji në fjalë hap rrugën për këtë qëllim. Autoritetet shtetërore, shkencore, subjektet private, si dhe grupet shoqërore të interesit do t’i kenë të gjitha mundësitë për t’iu përafruar gradualisht këtij optimumi shoqërisht të dobishëm.

10. Mundet që “Ko” të jetë më e vogël se sasia e mbetjeve që prodhon apo do të prodhoje vetë Shqipëria. Në këtë rast s’do ketë nevojë që të importohen mbetje me kushtin që ato shqiptare të mblidhen e përpunohen paraprakisht që të mund të shërbejnë si lëndë e parë për riciklim. Diskutimit mbyllet këtu. Nuk ia vlen. Mundet që “Ko” të jetë mjaft më e madhe se mbetjet shqiptare. Analiza e mësipërme ekonomike e mjedisore na tregon se importi i diferencës së mbetjeve do të ishte shoqërisht i dobishëm derisa të arrihej kapaciteti “Ko”. Ndalimi i importit do ishte një gomarllëk. Sipas llojit specifik të mbetjeve do të shfaqej një nga këto dy situata dhe çështja import ose nuk ekziston, ose importi është i dobishëm deri në kapacitetin optimal të industrisë përkatëse të asaj lloj mbetjeje.

11. Ca më e komplikuar është çështja nëse importi i mbetjeve do të pengonte tërheqjen në riciklim të një pjese të mbetjeve shqiptare. Kjo do të ndodhte vetëm nëse kostoja e mbetjeve të importuara do të ishte më e vogël se ajo vendëse. Por kostoja e grumbullimit e përpunimit të mbetjeve në Shqipëri, për të njëjtin nivel të këtij përpunimi për t’i shndërruar në lëndë të parë për riciklim, është më e vogël se në vendet e zhvilluara, nga ku dhe pretendohet se do vijnë këto mbetje. Një pjesë e mbetjeve seleksionohen sot privatisht dhe furnizojnë industrinë ricikluese, duke konkurruar me importin e të njëjtave mbetje. Mbeten pa u tërhequr për riciklim kryesisht ajo pjesë e mbetjeve shqiptare të shpërndara në mijëra fshatra anembanë Shqipërisë, pasi mbledhja e tyre ka kosto të lartë private në kushtet e dobësisë së sistemit publik të grumbullimit joselektiv të mbetjeve.

12. Këtu është problemi dhe zgjidhja. Kërkohet që të funksionojë më mirë sistemi publik i grumbullimit, mundësisht selektiv, në mënyrë që edhe kjo pjesë e mbetjeve anembanë Shqipërisë t’i kalojë, me kosto konkurruese krahasuar me importin, industrisë shqiptare të riciklimit apo si lëndë e parë në industri të tjera. Kaq. Nëse kjo s’bëhet, ndalimi i importit s’ka për të çuar, si për mrekulli, në tërheqjen për kompensim nga vetë industria ricikluese të mbetjeve të shpërndara sa andej-këndej. Harrojeni. Ligji në fjalë e përcakton qartë dhe sipas modeleve europiane menaxhimin e integruara të mbetjeve, përfshirë qarkullimin e lirë të këtyre lëndëve të para dhe riciklimin e ripërdorimin e tyre. Sfida është zbatimi i tij. Dështimi vjen nëse nuk duam e jo se për këtë na penguaka importi. Tek e fundit, nëse qenkërka e thënë që të mbesim të rrethuar nga plehrat tona, se s’duam a s’jemi të zotë t’i hedhim edhe/ose t’i mbledhim si evropianë, pse duhet të pengojmë një zhvillim industrial riciklues, një sektor i ri, dinamik e premtues, qoftë edhe me mbetje të importuara deri në pikën shoqërisht të dobishme “Ko”. A nuk do ishte ky veprim një gomarllëk i pamasë?!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama