Është shumë e vërtetë që, në planin e demokracisë së brendshme, PS-ja e sotme nuk është duke jetuar kohët e arta të Fatos Nanos, kur kundërshtarët e kryetarit zbuteshin e shtroheshin nëpërmjet promovimit, gradimit e dhurimit të posteve. Por është po aq e vërtetë, që kjo PS, në po këtë lloj diskutimi, nuk ka lidhje me PD-në e Berishës, siç duan të krijojnë idenë një numër kundërshtarësh të Ramës. Personalisht nuk do doja të isha në një parti të tillë, si kjo e Ramës, ku – po i mbahem gjetjes figurative të Blushit – timonin e autobusit e ka vetëm njëri e ku të tjerët janë të dënuar të jenë udhëtarë. Por duhet thënë për hir të së vërtetës, që udhëtarët e autobusit të PS-së, edhe pse s’mund ta marrin dot timonin në dorë, mund ta thonë ndonjë fjalë me gjysmë zëri kundër shoferit (ky është momenti që krahasimi i Blushit s’mban më). Ndërsa në krahun tjetër situata është krejt ndryshe: askush s’guxon ta kërkojë timonin, e askush nuk guxon ta thotë një fjalë kur shoferi i jep keq makinës; edhe sikur në greminë të drejtohet shoferi, udhëtarët e autobusit të PD-së do përfundojnë pa bëzajtur, tok me shoferin, në greminë. Kjo është e provuar, tanimë. Më se njëherë.
Sa më sipër, e nënvizoj për të rrëzuar krahasimin që bëhet. Por – përsëris – PS-ja e Ramës është një parti me probleme. Nuk është se është e lehtë të rrish aty në rrethanat kur kryetari nuk të ka për zemër, apo kur kryetari nuk të sheh si të tijin. Dhe kjo është, gjithashtu, një gjë e provuar dhe e stërprovuar. Ka që mendojnë se ky lloj drejtimi është prej efektit “Berisha” (në një garë, kundërshtari të kondicionon sa të duash, deri dhe në pikën që të bën si veten), por ata që e njohin Ramën e dinë mirë se Rama është kështu sepse është kështu, e jo sepse mendon që “një parti plot zëra e ngjyra përballë partisë monolite të Berishës do të shkërmoqej e thërrmohej, duke ia bërë të lehtë punën këtij të fundit”. Ideja e sapothonjëzuar nuk është e pathemeltë, por Rama nuk duket se është cytur prej kësaj ideje për të ndërtuar partinë që ka ndërtuar. Puna është se Rama nuk di të ndërtojë një gjë të ndryshme.
Ja një ilustrim, e pas tij ndonjë konkluzion. Para ca ditësh, dikush u prishi një tubim disa kundërshtarëve të tij (Malajt, Harasanit etj). Këta “maverick-ë” kishin organizuar një takim me socialistët që janë në mbështetje të tyre, dhe e panë veten papritur nën agresionin e anti-mitingashëve (kjo është një racë e njohur në traditën politike të 20 viteve të fundit). U penguan të thoshin atë që donin të thoshin në një takim me mbështetës të tyre, apo në rastin më pak të nxehtë, me ca njerëz që kishin qejf të dëgjonin se çfarë mendonin do politikanë që nuk janë dakord me linjën zyrtare të PS-së. Kjo është një gjë e rëndë. Madje, pikërisht kjo, d.m.th. të mos lejosh tjetrin të flasë, është gjëja më e rëndë në demokraci (dhe këtu po përjashtojmë rrethana ekstreme që karakterizohen nga dhuna, vrasjet, etj.; edhe në demokraci verifikohen herë pas here rrethana të tilla).
Dje Malaj ka pasur një ballafaqim verbal në Parlament me Saimir Tahirin (sipas disa gazetave), ngaqë Tahiri ka qenë organizatori i grupeve me anti-mitingashë në atë takim (sipas Malajt). Nuk e di, e nuk dua ta besoj, që pretendimi i Malajt është i vërtetë, e në këtë kuptim Ramën nuk e qortoj për këtë gjë (kjo do ishte rrugaçëri e pafalshme e stilit berishian). Ramën e qortoj që, me të marrë vesh këtë ngjarje, nuk doli ta dënonte aktin. Prisja që, në mos ai vetë, të dilte dikush tjetër në emër të tij e ta dënonte atë që ndodhi. Ai takim nuk është prishur me urdhër të tij (unë vetë nuk e besoj këtë), por është prishur nga mbështetës të tij që kanë vepruar në emër e në mbrojtje të tij. Prandaj ai, ose të tijtë, duhej ta dënonin aktin si një mënyrë për të shkurajuar çdo tentativë për t’u mbyllur gojën atyre që mendojnë ndryshe brenda partisë. Dhe është e sigurt që një reagim i kryetarit do të ishte leksion i mirë për të gjithë mujsharët socialistë (një kryetar që dënon dhunën që çon ujë në mullirin e tij, do të thotë se është kundër çdo lloj dhune).
Të kuptohemi, personalisht nuk jam veçantërisht i interesuar për atë që ndodh brenda PS-së, e nga ana tjetër nuk është se më digjet barku shumë për Malajn, Harasanin, Islamin etj. Këta të fundit nuk më duken njerëz për t’u mbështetur, por kjo nuk më bën të justifikoj apo inkurajoj lloj-lloj rrugaçësh që duan t’u mbyllin gojën, ngaqë janë kundër kryetarit. E pikërisht ky është motivimi më i parë, mbi të cilin duhet të ngremë zërin kundër këtyre bandave parapolitike që mobilizohen në mbrojtje të kryetarit, s’ka gjë se rëndom pa urdhër të kryetarit. Në demokraci ke mundësi t’i bindësh, t’i bësh për vete, t’i mposhtësh në garë kundërshtarët apo të negociosh marrëveshje me ta, por nuk je i lirë t’u mbyllësh gojën.
Ka dhe një arsye tjetër të një natyre praktike, pse kjo sjellje është e patolerueshme. Po vihem në lëkurën e Ramës e po bëj këtë përsiatje: “Kemi përballë një regjim që vjedh, plaçkit, që vret njerëz, e që në fund s’e ka për gjë të bëjë çmos për të trukuar dhe rezultatin e zgjedhjeve. Ky regjim mund të rrëzohet me metoda jo demokratike, por kjo është një rrugë që s’të çon asgjëkundi. Prandaj ky regjim duhet mundur me vota. Zgjedhjet e fundit kanë treguar se është e mundur ta mundësh me vota. E për ta mundur me vota, duhet zgjeruar koalicioni i të gjitha vullneteve anti-regjim. Duhet parë dhe nga krahu tjetër për t’i marrë ndonjë aleat të mundshëm Berishës, sidozot çamët. Duhet menduar për të mbledhur çdo votë të mundshme. Në zgjedhjet e ardhshme nuk mund të shkohet më tafti-bafti”.
Me siguri Rama i mendon këto gjëra, e me siguri është duke menduar për ta zgjeruar koalicionin, siç e ka zgjeruar. Pyetja për Ramën është: Përderisa jeni duke menduar të hyni në negociata me djallin e të birin me synimin për të rrëzuar një regjim, pse nuk uleni në tryezë së pari me kundërshtarët brenda partisë? Pse qenka e lehtë të kesh aleat Ndokën, Ngjelën, Milon, Gjinushin, Zogajn, Kurt Kolën, Vangjel Dulen etj., e qenka e vështirë të ribësh aleat, fjala vjen, Blushin e Malajn?
Personalisht s’e kuptoj pse. Dhe më kap një shqetësim, që në këto rrethana s’ka të bëjë as me demokracinë e brendshme të PS-së, as me bythët e Malajt e Islamit që s’do kenë karrige ku të ulen, por me regjimin që Rama, në vend ta mundë, mund ta përjetësojë.