Papandreu po ikën, e gjasat janë që t’i heqë duart për fare nga timoni i makinës greke, duke shënuar kështu fundin e një dinastie, që zgjati dekada të tëra. Nuk e pati të lehtë të ikte, por në fund, mes ndërdyshjesh e presionesh, e mori vendimin. Pati ngasjen të rezistonte, tentoi nja dy proçka në harkun e disa orëve, siç ishte ideja e rifreskimit total në majën e hierarkisë së ushtrisë, marinës e aviacionit dhe ajo e referendumit lidhur me marrëveshjen e lidhur midis Greqisë e BE-FMN-së (askush s’i mori vesh këto lëvizje), por rendi i gjërave ishte i tillë që nuk pranonte asnjë tundje bishti në ikje e sipër. Dhe të mendosh se nuk është e drejtë të jetë vetëm ai kurbani (fjala “kurban” është bërë në modë këto ditë në Tiranë) i së gjithë kësaj krize, për të cilën ka faj një establishment i tërë, majtas e djathtas (Papandreu e mori vendin nën komandë në momentin që ishin hapur petët e lakrorit grek dhe kur çdo gjë po merrte të tatëpjetën).
Çfarë do ndodhë tani me Greqinë? E vërteta është se rënia e qeverisë në Athinë, përveçse është një larje e rregullim hesapesh që historia bën shpejt e shpejt dhe herë pas here me fajtorët, nuk zgjidh ndonjë gjë. Greqia do vijojë të jetë në krizë dhe grekëve do t’u duhet të shtrëngojnë rripin për shumë vite. Kohët kur ishin shkapërdarë e hovardarë janë pas. Përpara do jenë kohë sakrificash, e ndërkohë ka një shans për ripërtëritjen e zëvendësimin e kësaj klase politike, që e “ka sunduar” vendin, duke u mbështetur tek klientelizmi, nepotizmi, korrupsioni, trukimi i situatave etj. Ne shqiptarët do duhet t’i bëjmë llogaritë e marrëdhënieve të fqinjësisë në vitet e ardhshme me një Greqi të dobët e në tranzicion. Nuk është shenjë e mirë të kesh të bësh me një vend të tillë. Grekët e dinë më mirë se sa ne, pasi gjatë 20 viteve të shkuara kanë pasur një fqinj në veri, që ka qenë gjithashtu i dobët e në tranzicion.
Në të njëjtën kohë po ikën dhe Berlusconi. Nesër është një votëbesim tjetër, dhe mund të ndodhë që ai të mbahet prapë më këmbë, por nuk duhet të kemi pikën e dyshimit që atij po i vjen fundi. Po e lënë të gjithë. Ministri Brendshëm Maroni (i partisë aleate Lega Nord), tha dje se “është e kotë të mbahesh pas kolltukut, pasi mazhoranca po bie”. Dje kaloi me opozitën dhe Gabriella Carlucci, një soubrette e zgjedhur deputete prej Berlusconi-t pikërisht për meritën e të qenit soubrette. Deri dhe delfinët e tij janë duke i pëshpëritur në vesh të tërhiqet. Prandaj, një votëbesim i fituar nesër prej tij do të ish një fitore që s’do t’i hynte në qese askujt, as vetë atij. Fati i tij tani është shkruar.
Duhen kërkuar paralele me Papandreun në këtë mes? Jo, nuk duket se kanë lidhje. Përkimi kohor është pa ndonjë domethënie. Tani, ndonjë paralele edhe mund të hiqet (të dy largohen në mes të një krize e për shkak të kësaj krize), por nga një analizë në detaje e në thellësi nuk rezulton që rastet të kenë lidhje apo ngjashmëri. Berlusconi është një fenomen më vete dhe një personazh i përmasave kontinentale, aq sa mund të thuhet pa frikë se ai ka hyrë qysh tani në historinë europiane si një rast i veçantë. Nuk ka diskutim që do të studiohet në shkolla. Është leader-i më jetëgjatë në historinë e kontinentit pas rrëzimit të Murit të Berlinit, dhe më e bukura është se ky do të jetë tipari më i parëndësishëm, me të cilin historianët do përpiqen ta vizatojnë nesër fenomenin “Berlusconi”. Ka gjëra të tjera që e dallojnë atë. Dhe Italinë e komanduar prej tij.
Italia me të ka përjetuar një tërheqje demokratike. Madje, dhe praktika rule of law njohu një zbythje në këtë periudhë. Ai hyri në politikë në një moment delikat të Italisë. Ishte koha kur klasa e vjetër po ikte “e përndjekur” nga drejtësia, dhe Berlusconi nxitoi të zinte vendin bosh. “Po zbres në fushë; Italia ka nevojë për mua”, këto ishin fjalët pretencioze që përuruan epokën e tij. U fut në politikë, por duke mbartur një numër problemesh me drejtësinë italiane, të cilat më pas iu shumëfishuan n’daç prej armiqësisë që ndillte ai vetë me protagonizmin e pushtetin, n’daç prej zullumeve të fshehura që tani i kërkoheshin më me zell prej prokurorëve. “Gjyqtarët e prokurorët janë të kuq”, bërtiste ai pas çdo “avviso di garanzia” që i binte në dorë. “Shtypi është i kuq”, lëshonte piskamën sa herë që gazeta të ndryshme nxirrnin në shesh paudhësi të supozuara apo të dokumentuara të tij. “Profesorët e kuq”, thosh në adresë të trupave akademike që në Itali janë përgjithësisht të rreshtuara majtas. E kështu me radhë.
Dhe problemi nuk ishte pushteti politik dhe ai ekzekutiv (kur ish në pushtet) i tij, por pushteti financiar dhe mediatik, me anë të të cilit ai e kish më të lehtë të thithte konsensus mes njerëzve. Kur ish në opozitë, ai kish tre televizione nacionale, që punonin për të (ishin televizionet private të tij), dhe kur ish në pushtet televizionet në funksion të tij bëheshin gjashtë (tre kanalet e RAI-t, në një mënyrë a në një tjetër, kontrollohen nga mazhoranca). Po të shtojmë këtu dhe një numër gazetash e revistash, dhe ndonjë shtëpi botuese (ai bleu para se të hynte në politikë dhe shtëpinë botuese “Mondadori”, që është më e madhja në Itali), merret vesh se gara elektorale në Italinë e dy dekadave të fundit ka qenë më shumë farsë se sa ballafaqim politik. Të kuptohemi, nuk është se Berlusconi trukonte rezultatin (Italia nuk është Shqipëri dhe Berlusconi nuk është Berisha), por ai trukonte garën me fuqinë që kish (një garë e pabarabartë është vetvetiu e trukuar). Dhe është kryesisht ky kontekst elektoral e mediatik që ka përbërë një tërheqje demokratike të Italisë së Berlusconi-t. Për këto arsye e të tjera, ikja e Berlusconi-t është një ngjarje e rëndësishme për Italinë.
Do të kenë ndikim këto ikje (e Papandreut dhe e Berlusconi-t) në Shqipëri? Sigurisht, por kjo do të ishte një analizë më vete. Hë për hë duhet shpresuar që këta të dy të tërheqin këmbën zvarrë.