Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Po vjen viti 2005!

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 14 vite më parë

Skënder Minxhozi
Po vjen viti 2005!

E vetmja stafetë normale mes dy rreshtimeve të mëdha politike, në dy dekada pluralizëm, ka qenë ajo e vitit 2005, kur qeveria Nano ia dorëzoi shtetin “me dosje në dorë”, aleancës së djathtë të Sali Berishës. Ky moment mbahet mend si episodi që nxori socialistët në opozitë pas tetë vjetësh dhe riktheu në pushtet ish-presidentin e vendit gjatë viteve ’90.

Për shumë e shumë muaj kanë vijuar (në fakt, ato vazhdojnë edhe sot) komentet dhe analizat e kushteve specifike që prodhuan atë pauzë normaliteti, në mesin e një jete politike ku rrallë humbësi e pranon humbjen dhe i lëshon vendin paqësisht fituesit. Vitet që pasuan, veçse provuan edhe një herë më tepër karakterin e pazakontë e unik të asaj vere, kur Fatos Nano jo vetëm lëshoi pushtetin, por edhe politikën aktive. Një fund kalorësiak i një karriere pak kalorësiake!

Tani, më shumë se gjashtë vjet pas atij rotacioni pushteti, po shfaqen në ajrin e rënduar të politikës shqiptare disa shenja që të bëjnë të mendosh se po i afrohemi të njëjtës situatë. Megjithëse është pak e guximshme ta thuash këtë, në kushtet kur kryeministri quhet Sali Berisha, të paktën simptomat që përgatitën atë rezultat elektoral e politik po fillojnë të jenë prezente. Le ta shohim konkretisht këtë.

Së pari, në krah të shumicës së sotme, ashtu si në vjeshtën e vitit të largët 2004, po shfaqet një rivale e brendshme, potencialisht po aq e rrezikshme. Partia e shumëpërfolur e Bamir Topit është diçka më shumë se një premisë. Mjafton të shihet lufta e përditshme që po i bën kryeministri, interesi që ka tërhequr në media dhe opinionin publik, e mbi të gjitha, impakti real që pritet të ketë brenda një paneli të djathtë të lodhur e të demotivuar.

Së dyti, opozita socialiste po tregon se, pasi ka provuar ta destabilizojë sistemin, duke dalë jashtë tij, tashmë duket se ka vendosur të zgjedhë një rrugë tjetër. Pasi u kthye në Parlament, duke mbyllur alibinë e bojkotit, që qeveria e përdorte faqe të huajve, PS-ja mori një kthesë të rëndësishme në kongresin e fundit, duke mos zgjedhur grushtin ndaj disidentëve, e për më tepër, duke ftuar të gjithë ata që kishte larguar nga forumet e saj, me kalimin e viteve.

Së treti, por jo më e parëndësishmja, këtyre dy faktorëve të mësipërm u rri si një garniturë e palëvizshme shkalla e frikshme e konsumimit të qeverisë. Një kabinet qeveritar i mbytur nga akuzat korruptive, klientelizmi dhe aferat e dyshimta, e ka lëshuar tërësisht veten në dorën e karizmës së shkuar mode të kryeministrit dhe të vullnetit të tij proverbial për të mos u dorëzuar kurrë. Ministrat e Berishës janë të gatshëm të dëgjojnë lloj-lloj broçkullash në mbledhje qeverie që ngjajnë si dy pika uji me njëra-tjetrën, ata pranojnë të bëjnë dekorin e inaugurimeve të përsëritura për rrugë e rrugica, me kushtin e vetëm; që të shmangin më të keqen në vitin 2013.

Megjithatë, e keqja duket e fshehur tashmë pas qoshes. Fundi i karrierës presidenciale të Bamir Topit po e shtyn kreun e shtetit drejt një aventure që duket se ai nuk e ka shumë për zemër. Gjithsesi, me hir ose pahir, ai po dëshmon se nuk do ta pranojë postin e pensionistit luksoz, duke u rreshtuar në listën e ish-presidentëve flokëbardhë. Ambicia e Topit qenka më e fortë, mesa duket, sesa ç’e kujtonim. Nëse ai arrin ta fokusojë drejt dhe pa kosto pesimizmin e një pjese të madhe të së djathtës tradicionale, si dhe të disa prej të ikurve nga partia ndër vite, nëse arrin të ruajë kuotat e pëlqyeshmërisë publike që ka dëshmuar prej vitesh, Bamir Topi mund të jetë një Ilir Meta i dytë. Kësaj radhe, djathtas.

Faktori i dytë që po krijon një ambient të ngjashëm me atë të gjashtë vjetëve më parë, është ai i bashkimit të opozitës. Përtej një doze të mirë zhurme mediatike, e cila shoqëron rëndom çfarëdo veprim apo mosveprim të Edi Ramës, përtej tam-tam-it të njohur që një pjesë e shtypit i bën përçarjeve reale apo të pretenduara brenda opozitës, kongresi i fundit, në vend që të prodhonte partinë e re të Malajt apo Islamit, zbuti gjuhën e Blushit, nuk i tregoi derën askujt, dhe në të kundërt, ftoi një listë jo të vogël të ikurish të dikurshëm. PS (në fakt kreu i saj, Rama), mesa duket po fillojnë të kuptojnë se vetëm duke afruar, e jo duke larguar njerëz në parti, do të mund të fitojnë dikur, kur të vijnë zgjedhjet. A s’ka qenë kjo një nga kritikat e mëdha që i kanë bërë nga shumë anë Edi Ramës këto vite?!

Historia nuk përsëritet kurrë dy herë në mënyrë identike. Uji s’kalon kurrë dy herë nën të njëjtat ura, thoshte njëri nga presidentët e SHBA vite më parë. Por në Shqipërinë e tranzicionit nuk ka qenë dhe nuk është e vështirë që të gjesh situata, rrethana dhe zhvillime që ngjajnë mes tyre. Ky i tanishmi duket një i tillë. Të paktën për momentin, pasi po kjo Shqipëri, ku gjithçka duket statike dhe e palëvizshme, ka ditur të ofrojë edhe surpriza të befta që kanë përmbysur gjithçka. Të gjitha opsionet janë të hapura, megjithëse për momentin po jetojmë, mesa duket, një “prag 2005-e”!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama