Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kjo Shqipëri vilajetesh

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 14 vite më parë

Skënder Minxhozi
Kjo Shqipëri vilajetesh

Paradoksalisht, Shqipëria e 28-29 Nëntorit 2011 nuk ngjante dje dhe pardje me një vend që festonte dy festat që personifikojnë unitetin dhe afirmimin e kombit shqiptar. Me krerët kryesorë të shtetit dhe të politikës të shpërndarë nëpër qytetet e mëdha nga Jugu në Veri e Kosovë, patëm përshtypjen se ky shtet (në fakt ky komb), feston ende i ndarë më shumë në logjikën e vilajeteve të vjetra otomane, sesa në logjikën e këtyre datave historike që duhet të na bashkojnë pavarësisht ngjyrave dhe shijeve.

U duk sikur të gjithë qenë më të qetë e më të kënaqur që s’ishin bashkë, pasi panë sesi kundërshtari përballë iku sa në Vlorë, sa në Prishtinë, ose qëndroi në Tiranë, si në rastin e kreut të qeverisë, pasuar nga sozia e tij flokëgjatë, Kryetarja e Kuvendit.

Në vetvete nuk ka asgjë të keqe që gjithsecili festoi në vendin dhe në mënyrën e vet harkun e festave. Ajo që nuk shkon, siç ndodh rëndom në një ambient thellësisht bizantin, si ai i politikës shqiptare, është gjuha e shenjave dhe e mesazheve (jo edhe aq) të kriptuara, që shpërfill protokollin, ligjet e rregullat dhe që i konsideron datat e vendet e shënuara, fitimtarët, të mundurit, heronjtë e kuislingët, sipas kutit të vet subjektiv. Kjo ndodhi pak a shumë edhe këto dy ditë që lamë pas.

Kur Ismail Qemali, në kohëra të tjera tejet më të turbullta e të paqarta se kjo e sotmja, arriti të ngjisë në ballkonin e tij prej druri miq e armiq nga të gjithë cepat e atij që quhet kombi shqiptar, për të vulosur pavarësinë e vendit, mbetet skandaloze dhe tragjikisht e pakuptueshme sesi një grusht burrash të Shqipërisë së sotme, me një shekull pavarësie dhe përvoje shteti e institucionesh pas shpine, nuk janë ende në gjendje t’i japin dorën njëri-tjetrit të paktën në 2 nga 365 ditët e vitit. Shqipëria e vitit 2011, në fakt klasa e saj drejtuese, nuk ka më asnjë alibi justifikimi, 99 vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe 67 vjet pas çlirimit nga pushtuesit, për t’u sjellë kështu siç po sillet me veten dhe vendin.

Sapo është arritur një kompromis politik (sa qesharak ngjan ai pas këtyre festave), mes dy partive të mëdha. Nuk ka pasur nevojë për ndarjen që sollën festat mes politikanëve, për të kuptuar, ashtu siç deklaroi edhe ambasadori amerikan, se kjo marrëveshje nuk të frymëzon asnjë shpresë të qëndrueshme për stabilitet e qetësi në ditët që do të vijnë. Kur s’janë në gjendje të paraqiten të gjithë bashkë në të njëjtën ditë para të njëjtit monument a varr heroi, imagjinoni sesa do të merren vesh se cili do të jetë fituesi i ardhshëm pas dy vjetësh!

Sa herë që në dyert e politikës troket java e fundit e nëntorit, shfaqet me prepotencë debati absurd rreth datës së vërtetë të çlirimit. E sanksionuar me vendim Parlamenti që vijon të jetë në fuqi, 29 Nëntori merr prej vitesh nderimin vetëm prej një pjese të politikës shqiptare. Është groteske këmbëngulja e qeverisë dhe e Kryeministrit të saj, edhe pas kaq vitesh, për të mos hequr dorë nga një dallim, i cili tashmë është vetëm simbolik, e për pasojë, edhe i parëndësishëm. Dje as kreu i shtetit, i cili rëndom sugjestionohet nga ish-partia e tij në kësi rastesh, nuk guxoi të shkelë në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Duke i bërë shtetasve të tij kësisoj, një urim gjysmak, nga Vlora. Pra, vetëm për Ditën e Pavarësisë e të Flamurit. Si kompensim, Bamir Topi dërgoi dje disa nga këshilltarët e tij për të vënë kurora me lule në Sauk. Ndoshta do të kish qenë më mirë ta kishte kursyer këtë gjest gjysmak dhe të pakuptimtë.

Fobia nga 29 Nëntori është ndoshta shfaqja më e hatashme e absurdit të festave të nëntorit, por nuk mbaron me kaq. Fokusimi kësaj radhe i qeverisë ekskluzivisht në festimet e Tiranës, duke injoruar hapur dhe me keqdashje (për arsye të pastra politike) Vlorën dhe ceremonitë tradicionale të saj, ishte një shëmti që ky moment solemn për të gjithë shqiptarët, nuk e meritonte.

Tirana u vesh me të gjitha ngjyrat dhe luksin e mundshëm, duke sfiduar habinë e qytetarëve të saj dhe krizën ekonomike. Një parakalim hareje i pazakontë veshi qendrën e kryeqytetit, ndërkohë që mediat qeveritare nuk vonuan të kujtojnë sesi “bashkia e Ramës” nuk e kishte festuar kaq bukur vjet 28 Nëntorin!

Festa e Pavarësisë shënoi, nëse kishte nevojë edhe për një provë më tepër, një rast tjetër flagrant të simbiozës servile të Bashkisë së Tiranës, me qeverinë qendrore. Kush i kujton ende përbetimet e Lulzim Bashës në fushatën e zgjedhjeve të fundit, se do të ishte nga ana e qytetarit, e jo nga ana e qeverisjes, kush kujton sesi doli kundër shembjes së Piramidës apo sesi premtoi parajsën për tiranasit, sot sheh jo pa hidhërim sesi ky kryetar i emëruar e jo i zgjedhur, është vendosur në vend të Edi Ramës thjesht për të pritur e përcjellë qoka, për të buzëqeshur në mënyrë sterile para kamerave, apo për t’i ndërtuar një rrugë komode shitoresh “Made in Albania” kryeministrit, për të blerë djathë, vaj e fruta vendi. Kaq është pak, shumë pak. Qoftë edhe në ditë festash, që janë zakonisht ditë pushimi.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama