Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Leka Zogu dhe Sabri Godo, të ndryshëm dhe njësoj!

Shkruar nga: Blendi Fevziu  
Botuar më: 13 vite më parë

Blendi Fevziu
Leka Zogu dhe Sabri Godo, të ndryshëm dhe njësoj!

Leka Zogu dhe Sabri Godo, emra të njohur të politikës shqiptare, personazhe që kanë lënë gjurmë në historinë e saj në kohë dhe me kontribute të ndryshme, ikën nga kjo botë thuajse përnjëherë. Ata u përcollën njëri pas tjetrit, me nderimin e miqve dhe të shoqërisë, por jo pa komentet që shoqërojnë çdo figurë publike. Dhe debatin mbi vendin që ata do të kenë në historinë e varfër të këtij shteti thuajse shekullor.

Leka Zogu është shembulli i rrallë i një njeriu, jeta e ndritur dhe e parashkruar e të cilit u përmbys në honin tragjik të Luftës së Dytë Botërore dhe në furtunat që pasuan atë. Mbreti i ardhshëm, njeriu i shënjuar për një jetë prej drejtuesi të lartë, e humbi fronin de fakto pa mbushur ende 24 orë në këtë jetë. 100 të shtënat e topit që njoftuan ardhjen e tij në këtë botë më 5 prill 1939 dhe 21 të shtënat e armëve që e përcollën pardje nga kjo botë, qenë nderimet e vetme reale që iu bënë atij në 72 vjet. Pjesa tjetër e jetës, mes shpresës për një rikthim në Shqipëri, përndjekjes nga regjimi komunist, vështirësive ekonomike dhe tentativës për ta mbajtur gjallë dhe lart frymën e monarkizmit, pak do lënë gjurmë në histori.

Nuk qe faji i tij që nuk u bë dot asnjë ditë mbret i vërtetë dhe që nuk luajti dot rolin që i ishte caktuar në historinë e Shqipërisë. Mbretërinë, nuk e humbi Leka I , e humbi ai që e kish ndërtuar, babai i tij, Ahmet Zogu ose Mbreti Zog I, pa dyshim politikani më karizmatik i historisë shekullore të shtetit shqiptar. Një njeri, që historia nuk ia ka vënë dot në një peshore të metat dhe meritat. Ahmet Zogu ishte njeriu që realisht ndërtoi një shtet të vërtetë dhe unitar shqiptar, thuajse 8 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Shqipëria e vërtetë filloi të funksiononte me të. Leka I nuk mundi të bënte asgjë. Zhvillimet botërore qenë kundër tij dhe koha po ashtu. Ai nuk u provua kurrë. Aksioni i tij i vërtetë dhe i vetëm politik, referendumi i qershorit 1997, ra në honin e humnerës shqiptare të atij viti. Nuk u mor vesh nëse fitoi apo humbi, por referendumi i 1997 prodhoi ngjarjen më të madhe për familjen mbretërore, rikthimin në Shqipëri në qershor 2002. Leka Zogu iku nga kjo jetë thuajse 10 vjet pas kthimit në vendin e lindjes. Aty ku mendohej të ishte mbret, por prej nga iku 2 ditësh dhe u kthye 63 vjeç. Ai u nderua me një ceremoni shtetërore, të komentuar dhe të kontestuar aty-këtu. Të kontestuar për kontributin e tij, sipas disa të munguarve, por me një gjest moral përtej protokollit strikt. Nderimi i tij nuk ishte nderim thjesht për të.

Radha e gjatë thuajse 2 km që e priste pas derës së homazheve, po ashtu nuk ishte thjesht e tij. Ishte një nderim për monarkinë, për vitet që ajo drejtoi këtë vend dhe për Ahmet Zogun, një ndër politikanët më të rëndësishëm të këtij vendi, që mbështetësit e tij s’kanë pasur ende mundësi ta nderojnë me një ceremoni të vërtetë. Ishte një nderim për Mbretëreshën Geraldinë, që Shqipëria ia kurseu ceremoninë shtetërore më 2002-shin, edhe pse ajo kish qenë për së paku 11 muaj Mbretëreshë e Shqipërisë e për 8 vjet edhe legalisht. Deri më 11 janar 1946, kur Mbretëria u abrogua me një vendim të Asamblesë Kushtetuese. Nderimi për Lekën qe nderimi për një epokë historike, një kërkim faljeje dhe një gjest moral, që nuk lidhej me të vetë dhe as thjesht me vdekjen e tij.

Sabri Godo është shembulli i kundërt i kësaj. I lindur në një familje antizogiste, nip i ish-ministrit të Brendshëm, Ethem Toto, më pas i vrarë nga Mbreti Zog, ai nuk ish shënjuar për një jetë plot shkëlqim. E nisi jetën herët, që 13 vjeç e gjysmë kur Nako Spiru e bindi për avantazhin e komunistëve dhe ai doli partizan. Luftoi për një vit e gjysmë, kudo nëpër Shqipëri e deri në Bosnjë. Partizani i ri duhej të kishte një të ardhme të thjeshtë, por nuk ndodhi kështu. Ai u martua me vajzën e një familjeje kundërshtare të komunizmit dhe më pas, daja i vogël, i mbetur gjallë, Selaudin Toto, u pushkatua nga Enver Hoxha me grupin e deputetëve. Partizani adoleshent mbijetoi duke u punësuar në tregti dhe duke bërë emër në një drejtim që s’e priste askush. U bë shkrimtar.

Në karrierën e tij numërohen së paku dy libra që kanë lënë gjurmë të thella në letërsinë dhe historinë e Shqipërisë, “Ali Pashë Tepelena” dhe “Skënderbeu”. Sabri Godo u rikthye në politikë, nëse nuk quhet nisje nga e para, në shkurt 1991. Ai krijoi Partinë Republikane që e drejtoi për shumë vite, “President Nderi” i së cilës vdiq. Në karrierën e tij ishte ndër njerëzit më me ndikim të politikës shqiptare këta 20 vjet. Ishte rasti tipik kur personaliteti dhe karizma dominojnë mbi postin që ke. Në jetën e tij politike, posti më i rëndësishëm ishte ai i Kryetarit të Komisionit të Jashtëm të Parlamentit shqiptar. Por ai prodhoi një figurë me ndikim që pak vetë, madje ministra, kryeministra e presidentë nuk e kanë pasur dot. Ai ishte shembulli tipik kur personaliteti dominon dhe për të ndërtuar këtë personalitet, duket se nuk pati nevojë për asnjë post.

82-vjeçar, Sabri Godo ishte ndër të paktët moshatarë të tij që e sfidoi kohën dhe ndryshimet e shpejta nuk e lanë pas. Aktiv në çdo studio televizive, në çdo debat politik dhe kombëtar, ai la gjurmë kudo. Ishte aktiv si të donte të mbushte kohën që s’e lanë të merrej me politikë, si të donte të linte të plotë portretin e tij. Siç edhe ndodhi vërtet. Ai iku nga kjo botë, duke lënë pas përcaktimin konsensual “plaku i urtë” dhe u nderua pikërisht sepse ishte ai. Godo iku nga kjo botë po aq aktiv saç kish hyrë në moshën 13 vjeçare, kur një ditë braktisi shkollën dhe mori pushkën të luftonte. Ndoshta pa e ditur, që do t’i shërbente këtij vendi, me stilin e tij, deri ditën e fundit që pati frymë…

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama