Bar-et dhe kafenetë e Tiranës e kanë bërë zakon t‘i mbajnë ndezur gjatë gjithë kohës televizorët e tyre, të cilët rëndom i gjen duke transmetuar imazhe e tituj të titruar të një mizërie lajmesh. Janë kryesisht imazhe e tituj të "News 24"-ës e të "Top-news"-it, të cilët transmetojnë pandërprerë në stilin amerikan informacione nga më të ndryshmet. Duke qenë se Shqipëria nuk mund të prodhojë lajme pa fund, drejtuesit e gazetarët e këtyre televizioneve kanë rënë dakord të shtien në punë filtra më zemërgjerë, kur vjen puna që u duhet të gjuajnë e të kapin vazhdimisht të reja nga vendi i vogël - por bujëmadh - i shqipeve.
Dhe kështu, ata konsiderojnë lajm edhe një vidhisje të një rruge, që lidh dy fshatra pa banorë, edhe atakun kardiak të një pensionisti me tre by-pass-e, edhe vizitën e ngeshme të Ndokës në një spital lokal, edhe përplasjen e lehtë e të padëm të një makine me një motoçikletë pizza-bartëse, edhe fjalimin e Pollos përpara kolektivit të mësuesve të katundit ‘x‘, edhe lindjen aspak problematike të dy binjakëve në një prej materniteteve të Tiranës, edhe çalltisjen e n-të publike të Mediut lidhur me NATO-n, edhe deklaratat e çdo dite të politikanëve mbi Kosovën, edhe konferencat për shtyp të zëdhënësve të ministrive e institucioneve (të cilat janë që të gjitha femra, më saktë çupa të reja 20-25 vjeçare), edhe deklaratat partiake të Xhuvelit, edhe tavolinat e rrumbullakëta të fondacionit "Qemal Stafa", edhe vizitat e ditëpërditshme të Edi Ramës në fshatrat e Shqipërisë, edhe takimin e Kryeministrit me një ambasador, edhe shpërthimet e programuara të Petro Koçit në ditët fiziologjikisht joinformative të week-end-eve, edhe njoftimin për të disatën herë mbi themelimin e partisë së re të Spartak Ngjelës, edhe takimin në një kafene të dy anëtarëve të G-99-ës, edhe kështu me radhë e kështu pa fund.
Mjaftojnë këto për të shuar urinë për lajme të televizioneve shqiptare, që transmetojnë lajme 24 orë non stop? Sigurisht nuk mjaftojnë. Si i bëhet? Ka lajme pa hesap nga bota, dhe këtu fillon gara për të transmetuar më parë e më mirë rrëzimin e një autobusi në Indonezi, për të informuar se çfarë tha Chiellini pas ndeshjes së Juventusit me Empolin, për të na bërë me dije se në Cape Town ka rënë një shi e rrëmbyeshëm apo se në Napoli një maroken është rrahur me një italian. Lajme të tilla, edhe pse nuk kanë asnjë vlerë e asnjë domethënie për publikun shqiptar, jepen për orë të tëra në formën e titrave, që shfaqen e rishfaqen pa pushim në ekranet e televizorëve. Shuhet uria e televizioneve më në fund? As që bëhet fjalë. Koha që mbetet e pambuluar mbushet me transmetime apo ritransmetime të seancave parlamentare. Në këtë pikë ia vlen të ndalemi pakëz.
Ndërsa kjo qasje e gazetarëve ndaj lajmit përbën një bombardim të pamëshirshëm të teleshikuesve me informacion banal, të çoroditur e çoroditës, transmetimi ‘live‘ i seancave parlamentare përbën një agresion mediatiko-politik ndaj të njëjtëve teleshikues. Kudo do të shihej si agresion i kësaj natyre, por këtu te ne ca më tepër, pasi në këto seanca, artilerisë politike i shtohet injoranca, harbutllëku e vulgariteti i një pjese të madhe të deputetëve tanë. Deri para ca kohësh mund të merrej për një situatë qesharake pushtimi vend e pa vend i foltores së parlamentit nga parlamentarë, të cilët e kanë të shkruar në ballë që janë belbacukë e të paditur, por sot nuk është më qesharake. Përkundrazi, është nervozuese. Dhe e patolerueshme.
Është koha, që njerëzit me ‘bon sens‘ e me ‘bon ton‘ të këtij parlamenti të bëjnë të tyren, në mënyrë që të na i kursejnë këtë show të përditshëm mizerabël. Edhe mund të ketë kuptim, që kamerat televizive të filmojnë ‘non stop‘ seancat parlamentare (në fakt, parlamenti britanik e ka të ndaluar këtë gjë); mund të ketë kuptim në rastin kur televizionet synojnë të mbulojnë e filmojnë të gjithë jetën parlamentare për qëllime arkivore. Por nuk ka asnjë kuptim që të transmetohet drejtpërdrejt një seancë e zakonshme, një interpelancë, një diskutim i një projektligji në komisionet parlamentare, apo një diskutim mbi një ligj pa ndonjë rëndësi kushedi se çfarë. Për sa kohë që televizionet shqiptare "alla CNN" nuk do dinë si t‘ia bëjnë dermanin urisë së tyre informative 24-orëshe, filmimi dhe transmetimi ‘live‘ i seancave parlamentare do të jetë një barkë shpëtimi për to.
Prandaj zgjidhja nuk duhet kërkuar tek ‘common sense‘-i i televizioneve. Zgjidhja duhet kërkuar në parlament, e duhet të fillojë ndoshta me heqjen për fare të asaj foltores në qendër të tribunës, e cila është një apel për protagonizëm shterpë e të bezdisshëm nga ana e deputetëve. Nuk është fare e hijshme situata në të cilën deputetët nuk preferojnë të flasin nga mikrofoni personal i tryezës së punës, por preferojnë të turren në stilin kryeministror te foltorja e fokusuar vendçe prej kamerave televizive. Situata bëhet fare e pahijshme, kur sheh që patologjia e protagonizmit me çdo kusht i bën një numër syresh të mos jenë të vetëdijshëm mbi limitet e tyre intelektive, e për rrjedhojë, të mos jenë të vetëdijshëm se është pikërisht ky protagonizëm që i nxjerr zbuluar.
Por heqja e foltores, përveçse mund të konsiderohet si një gjetje mistrece e zemërake, mund të jetë në këto rrethana gjëja më pak e rëndësishme. Ka më për të bërë. Duke përjashtuar ngjarjet jo të zakonshme apo të jashtëzakonshme (një krizë qeveritare, diskutimi i një projektbuxheti, debati mbi ndonjë çështje me rëndësi kombëtare, ndonjë praktikë ‘impeachment‘-i etj.), në rastet e tjera duhet ndaluar pa një, pa dy, transmetimi i drejtpërdrejtë i seancave parlamentare. Madje, edhe në rrethanat e ngjarjeve jo të zakonshme apo të jashtëzakonshme do të ishte e udhës që për transmetimin ‘live‘ të autorizohej vetëm një prej televizioneve kombëtarë (mundësisht televizioni publik); televizionet e tjera mund të filmojnë, por pa pasur të drejtën për të transmetuar ‘live‘.
Kjo duhet bërë për të evituar atë që pak më sipër e quajta agresion i kotë e i tepërt politiko-mediatik, i cili ngadalë-ngadalë, nëse nuk frenohet, do të mund ta shndërrojë pa kthim opinionin tonë publik në një turmë njerëzish lëkurëtrashë e me shije të prishura (si zor të besosh se mund të jetë ndryshe një opinion publik, i cili është i detyruar të ndjekë - ose nuk di të refuzojë - telenovelat e gjata parlamentare me batuta belbacukësh apo me hakërrima e me klithma harbutësh).
Por duhet bërë edhe për të evituar ‘big-brother‘-izimin e jetës parlamentare. Duhet bërë, pra, për të mirën e vetë deputetëve. Cilido në atë parlament, që do të ishte i interesuar të kuronte vazhdimisht imazhin e tij publik (imazhi publik është një nga faktorët e suksesit politik të individëve), nuk do të binte dakord të filmohej vend e pa vend, të shfaqej ditë për ditë në ekranin e televizorëve, të regjistrohej e të përgjohej në çdo hap të jetës parlamentare, të ndiqej me zell ‘voyeur-rist‘ edhe në momentet e shtriqjes, të përgjumjes apo të ligështimit, të cilat na shoqërojnë të gjithëve në jetën tonë profesionale.