Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kushti absurdi i TOEFL-it

Shkruar nga: Donik Sallova  
Botuar më: 14 vite më parë

Donik Sallova
Kushti absurdi i TOEFL-it

Kohëve të fundit në auditoret e universiteteve shqiptare si dhe ne opinionin publik ka filluar të debatohet “çështja TOEFL”, ose kushti që ka vënë Ligji mbi Arsimin e Lartë ndaj studentëve të nivelit mastër dhe doktoraturë, të cilët do ta kenë të pamundur të diplomojnë pa mbrojtur paraprakisht një test ndërkombëtar të gjuhës angleze.

Në këtë rast kryesisht bëhet fjalë për TOEFL-in. Sponzoruesit e këtij ligji, Ministria e Arsimit dhe Qeveria Shqiptare, parashtrojnë që ky kusht i vënë në ligj synon ngritjen e nivelit të studimeve në universitetet shqiptare, përgatitjen e studentëve/të diplomuarve shqiptarë për tregun e gjerë europian e botërore dhe në një farë forme ngritjen e kredibilitetit të universiteteve shqiptare në raport me universitetet rajonale e europiane. Madje, Ministria e Arsimit pretendon që prej 2013 studimet në nivelin master dhe doktoraturë të zhvillohen totalisht në gjuhën angleze, duke i bërë universitetet shqiptare të rrokshme edhe nga studentët ndërkombëtare që do donin të studionin në Shqipëri.

Nga ana tjetër, pala kundërshtuese, që janë kryesisht studentët, e veçanërisht ata që ndodhen aktualisht në këto dy nivele të studimeve që prek Ligji, kanë bërë kundërshtimet e tyre, herë duke prekë thelbin e çështjes e herë duke e shfrytëzuar çështjen për t’i çuar studentët në “revolta” të tjera ndaj sistemit në përgjithësi. Studentët kundërshtojnë duke thënë se duke u vënë kusht anglishtja po synohet mënjanimi i shqipes apo se përmes imponimit të anglishtes po synohet të amerikanizohemi etj, apo se do të duhej të ekzostonte mundësia të mbrohej edhe ndonjë gjuhë tjetër e huaj, meqë gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm nxënësit kanë mësuar frengjishten apo italishten etj. Gjithashtu, në kuadër të kundërshtimeve përfshihet edhe aspekti financiar, sepse këto teste ndërkombëtare, në këtë rast TOEFL-i, kushtojnë shumë për standardin e studentëve dhe familjeve shqiptare. Sado të qëndrueshme të jenë këto argumentime dhe ankesa, ato në thelb nuk e prekin natyrën absurde të këtij kushti, pra “kushti TOEFL”.

E para, nuk mund të pretendohet që përmes një testi të përgjithshëm të një gjuhe të caktuar, në këtë rast anglishtes, të përcaktohet dhe çertifikohet niveli dhe cilësia e studimeve në të gjitha fushat specifike. Mund  të kesh aftësinë dhe të jesh i çertifikuar për të komunikuar në anglisht, por kjo nuk do të thotë që t’i ke qenë i aftë për të studiuar apo se ke qenë student a studiues i mirë apo e kundërta. Sot, në programet e studimit të nivelit mastër, por edhe të nivelit bachelor, literatura në gjuhë të huaj është mjaft e përfshirë, madje në shumë raste dominon listën e literaturës që studenti duhet të absorboj për të kaluar provimin.

Prandaj, nuk është e drejtë që studenti i cili ka kaluar të gjitha provimet e parapara të atij cikli studimesh, brenda të cilave ka pasur edhe liteaturë në gjuhë të huaj dhe jo vetëm në anglisht, t’i vihet si kusht testimi i njohurive të përgjithshme të gjuhës angleze për t’i çertifikuar dijet e tij. Pra, një studenti të nivelit master për letërsi shqipe, skulpturë, arkitekturë, matematikë, muzikë, kimi, apo të një studenti të shkencave sociale i cili ka përvetësuar autorët e shumtë në gjuhët e tyre origjinale, kryesisht anglisht, frengjisht e gjermanisht, t’i bllokohet dhe zerohet dija e tij e përfituar dhe testuar gjatë një e dy viteve (e më tepër), nga një kusht absurd i cili në këtë formë e fazë  nuk ka lidhje me ngitjen dhe avancimin e tij profesional e shkencor. Kështu, argumenti i ngritjes së cilësisë së studimeve përmes një kushti testues në fund të studimeve përbën një qasje krejt jo-sistematike/jo-logjike.

Në këtë vazhdë, është absurde të pretendohet që studenti dhe i diplomuari shqiptar do të jetë më i përgatitur për tregun europian, duke ja testuar dijet e tij të anglshtes në fund të studimeve, me ç’rast në esenë e TOEFL-it mund t’i kërkohet të shkruaj nëse është avanturier në ushqim apo të shkruaj për marrëdhëniet me fqinjët. Pra, për një student të statistikës më shumë se kjo “dijeni e anglishtes”, do të jetë e nevojshme të përvetësojë njohuritë mbi metodat dhe mekanizmat e ndryshëm hulumtues e analitikë  të Statistikës për t’u quajtur statisticien, e pastaj eventualisht për t’u punësuar në ndonjë institut të shquar europian statistikash. Më shumë se sa TOEFL-at, janë reformat e tjera akademike e kurrikulare që duhet të bëjnë Ministria e Arsimit dhe universitetet shqiptare që ta diplomojnë studentin shqiptar sa më të ditur dhe të denjë për tregun e punës, fillimisht në Shqipëri e pastaj më tutje.

Ndërkaq, pretendimi që përmes futjes së këtij kriteri testues/kushti absurd në shkollimin pasuniversitar, do t’u rritet kredibiliteti universiteteve shqiptare, duke i bërë ato të konkurueshme në rajon e më gjerë, e duke i kthyer ato në vend-studimi edhe për studentët p.sh. nga Anglia, Franca Gjermania etj, është totalisht pa sens. Ministria e Arsimit, para se t’i “internacionalizojë/teoflifikojë” universitetet shqiptare, është mirë që paraprakisht t’i heqë përfundimisht nga përdorimi karriget e drurit nëpër auditore dhe klasa, sepse në gjendje normale asnjë student/njeri s’mund të rrijë ulur mbi një orë e jo më të rrijë për orë të tëra duke dëgjuar leksione p.sh. të filozofisë politike postmoderne! Sikur këto karrige druri të përfaqësonin vjetërsinë dhe përvojën qindra-vjeçare të universiteteve shqiptare, atëherë “toeflifikimi” i këtyre universiteteve ndoshta do të ishte atraktive për një anglez që të  zgjidhte të studionte në Shqipëri. Para se ta “joshë” anglezin, Ministria e Arsimit duhet t’i heqë kuotat dhe t’i lehtësojë procedurat e pranimit të studentëve të interesuar nga Kosova apo Maqedonia që duan të studiojnë në Shqipëri.

Përfundimisht, nëse në Shqipëri gjuhë zyrtare është shqipja dhe shoqëria shqiptare frymon e flet shqip, atëherë është absurde që asaj t’i kushtëzohet të studiojë/njohë vetëm anglisht e ekskluzivisht jo shqip. Kjo nuk është çështje e mohimit të studimit edhe në gjuhë tjera, por e mohimit të njohjes në gjuhën e qenies tënde!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama