Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Cilin Nano për president?

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 13 vite më parë

Skënder Minxhozi
Cilin Nano për president?

Fatos Nano është rishfaqur edhe një herë në vitrinën e zgjedhjeve presidenciale. Ka preferuar ta bëjë këtë para fundit të vitit 2011, si për të vendosur një gur në radhën e kandidaturave që do të fillojnë të shfaqen me kalimin e javëve. Është i pari, pasi është edhe më i pasigurti në këtë garë, e cila kësaj radhe është totalisht e ndryshme nga konsensusi i sheqerosur i vitit 2002, por edhe nga negociatat hileqare të verës së vitit 2007, kur ende vazhdohej të flitej formalisht për një “president konsensual”. Derisa u arrit që të bliheshin gjashtë vota nga shumica, për të zgjedhur atë që sot është armiku më i madh institucional i shumicës!

Ish-kryetari historik i PS ka pohuar për “Top Channel” se vijon të ushqejë ambicie për postin e kreut të shtetit. Madje ai e ka ekspozuar veten si një figurë e baraslarguar nga të dyja palët, deri aty sa ka insistuar të mos shprehet se cilës palë i duhet faturuar dështimi në procesin e integrimit europian.

Ky nuk është një imazh i ri për ish-kryeministrin e fundit socialist. Fatos Nano po mundohet prej disa kohësh që ta shesë sa më shtrenjtë dhe sa më mirë qëndrimin e tij neutral (jo edhe aq, në fakt) gjatë gjashtë vjetëve të fundit. Largimi nga Shqipëria, anashkalimi dhe mosmarrja pjesë në debatet më të nxehta të viteve të fundit, kanë pasur qëllimin që më së pari ta pastrojnë atë vetë nga përfshirja e fortë në lojën politike në 15 vjetët e parë pas rënies së sistemit, si dhe t’i japin atij mundësi që të këqyrë nga larg trendin e ngjarjeve, duke synuar që të gjejë shtigjet dhe mundësitë më të mëdha për të realizuar të fundit sfidë personale dhe institucionale që i ka mbetur: zgjedhjen president i vendit.

Megjithatë projekti presidencial i Fatos Nanos vjen tërësisht i ridimensionuar në këtë stinë të re votimesh për kreun e shtetit. Kanë rënë kuotat politike, janë pakësuar ndjekësit, është ftohur pulsi që mbante dikur gjallë një pjesë të partisë që ai drejtoi dhe pa dyshim që mungon edhe projekti politik konkret. Ka mbetur vetëm ambicia e një njeriu që sot e shohin me dyshim të dyja kampet.

Por nuk mbaron me kaq. Duke dalë kaq herët dhe në këtë pozicion “të ftohtë” ndaj teatrit politik në Shqipëri, Nano po bën gabimin e madh, të reklamimit të së drejtës për t’u zgjedhur kryetar shteti, mbi bazën e një kontradikte të hapur. Ai po e ofron kandidaturën presidenciale njëherësh në emër të imazhit dhe CV-së politike, por edhe të mosangazhimit formal me asnjërën prej palëve. Një aliazh i së vjetrës me të renë, një ndërthurje e skifterit politik me misionarin e paangazhuar. Një personazh që kërkon të mbajë në dorë edhe skeptrin e “patriarkut socialist”, por njëherësh edhe paanësinë dhe neutralitetin e Alfred Moisiut. A mund të jetë ai njëkohësisht të dyja bashkë?! Edhe një figurë me profil të lartë politik, por edhe një përzgjedhje që nuk të zgjon ndjesinë e të qenit në njërën apo në tjetrën anë?!

Fatos Nano mund të ketë shumëçka për të shkruar në kurrikulën e tij politike, kjo është jashtë çdo dyshimi. Ai është njëri ndër dy politikanët më të fuqishëm të vendit, pas rënies së komunizmit. Është njeriu që ka larguar nga pushteti Berishën dhe ka ditur t’ia dorëzojë atë atij tetë vjet më pas, pa asnjë shkrepje arme. Që të dyja këto, veprime që në kontekstin përkatës, i kanë dhënë atij merita të njohura politike.

Por Nano nuk dëshiron të zgjidhet në krye të shtetit në bazë të asaj kronologjie që të gjithë sjellim ndërmend kur e shohim në televizion a e lexojmë në gazeta. Ai pëlqen “variantin Moisiu”, atë të ish-politikanit e zyrtarit të profilit të mesëm, që papritur thirret në skenë për të qetësuar shpirtrat e trazuar të palëve. Dhe e ka një arsye që e kërkon këtë rol të dytë, në vend të rolit të parë.

Fatos Nanoja tradicional, ai që njohim të gjithë, shihet që prej vitit 2005 nga Berisha si një ish-kundërshtar, i cili mund të rezultojë i përdorshëm për të përçarë PS nga brenda. Një ëndërr e vjetër kjo po aq sa edhe karriera politike e Kryeministrit aktual. Me kalimin e viteve, kjo kartë e ish-kreut socialist është dobësuar, e bashkë me të duket e dobësuar edhe përkrahja dikur publike që Berisha i bënte rivalit të tij të hershëm.

Kurse në sytë e Edi Ramës, sidomos pas votimit të presidentit më 2007 dhe zgjedhjeve të vitit 2009 (kur deklaroi se nuk do të votonte për PS), Nano është një aleat i pakamufluar i së djathtës, i cili duhet mbajtur larg postit të kreut të shtetit, pasi në këtë rast do të krijonte një bosht të hekurt me qeverinë, që do të pengonte rikthimin e opozitës në pushtet. Kësisoj, kur s’e mori dot mandatin zyrtar të partisë së tij në vitin 2007, vështirë se do t’ia arrijë në këtë kontekst të ri politik. Gjithmonë nëse e ka seriozisht se po kërkon të kandidojë, e jo thjesht që të na thotë nga Londra “jam gjallë, mos më harroni”.

Fatos Nano duhet të luftojë që të mposhtë të dyja këto rrethana të pafavorshme që ka përpara: edhe atë të zhvlerësimit si kartë politike në sytë e mazhorancës, edhe atë të “tradhtisë” politike në sytë e opozitës. Është ky një balet shumë i vështirë për një politikan që është dembelosur në vitet e ekzilit luksoz në Perëndim, edhe më shumë se ç’ka qenë kur ulej në postin e shefit të panelit të majtë. Sfida për të qenë një kandidaturë konsensuale, i vetmi shteg i ngushtë që i ka mbetur për të shkelur, duket një shënjestër e lëvizshme për politikanin veteran Fatos Nano. Prej vitesh dy krerët politikë të Shqipërisë e kanë kthyer duelin mes tyre në një çështje personale. Pikërisht si ato duelet që dikur ai vetë zhvillonte me Berishën në rrugët e këtij vendi, gjatë dekadës së çmendur të viteve ‘90. Sot loja zhvillohet me aktorë të rinj (të paktën një të tillë). Dhe për më tepër, kjo lojë e ka të përjashtuar (të paktën për momentin), mundësinë e një “Moisiu bis”. Veç në ndodhtë ndonjë nga ato piruetat e njohura të minutës së fundit. Por a do të jetë gjithsesi emri i Fatos Nanos, ai që do t’i bashkojë edhe një herë të gjithë rreth kandidaturës së Presidentit të Republikës?!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama