Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Festa e Kosoves ne tri pamje

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 17 vite më parë

Fatos Baxhaku
Festa e Kosoves ne tri pamje

Mbi Kosovë është rikthyer dëbora. Ajo ka nisur të bjerë butë-butë mbi flamujt kuqezi, të cilët në orët e pasdites të së premtes janë thuajse mbi të gjitha vitrinat e fasadat e Prishtinës. Vetëm pak orë më parë, më në fund, pas një pritjeje që rrezikonte të shkonte pa fund, është thënë lajmi: të dielën, në orët e drekës do të shpallet më në fund Pavarësia e Kosovës. Njerëzia, sigurisht bëhet gati për festën e madhe.

Të rrethuar nga flamujt, tullumbacet, portretet e gëzuara, njerëzit që bëjnë plane për festë, makina që kanë nisur të festojnë duke u rënë borive, në një kënd të qetë e të varfër të Prishtinës, andej mes dy xhamive në "Tregun e Gjelbër", nja dhjetë burra të mbledhur rreth një sobe bubulake me dru janë strukur, duke menduar për bilancin e ditës së tyre. Me sytë e mbërthyer mbi ekranin e vogël qëndrojnë në pozicion thuajse të palëvizshëm e duke folur me zë të ulët me njëri-tjetrin. Nis edicioni i lajmeve në një stacion televiziv vendas. Spikerja nis të flasë me ngazëllim, edhe sepse i tërë shtypi i këtushëm kishte nisur të mërzitej ca si tepër me fjalinë që duhej të përsëriste: Pavarësia vetëm çështje ditësh! Spikerja flet e flet duke treguar me hollësi se si të dielën, në orët e drekës, më në fund ngjarja e madhe do të ndodhë. Asnjë zhurmë, asnjë bisedë, asnjë koment nga burrat që shohin me portret të lodhur nga ekrani. Neve na duket sikur ata vetë, "me të tyren", tashmë e kanë fituar që në 1999-ën Pavarësinë për të cilën sot flasin të gjithë dhe tash mendojnë se si do të jenë ditët e tyre edhe pasi flamujt e festës të jenë hequr nga dritaret, edhe pasi turma e gazetarëve të huaj më në fund t‘i lerë të qetë në hallet e tyre, edhe pasi politika të nisë të bëjë më pak zhurmë.

Në ekran ka dalë një tjetër figurë. Gazetarët kanë menduar ta marrin në intervistë si një përfaqësues të inteligjencës kosovare. Një goxha burrë i mbajtur, me mjekër dhe me një shqipe krejt pa dialekt, e shpreh fare hapur mendimin e tij. "Duhet të festojmë, por me masë dhe pa eksese që mund të ofendojnë "të tjerët", kështu shprehet intelektuali i shqetësuar.

Vetëm pak orë më parë një plak i moshuar që dikur kishte banuar diku afër Graçanicës, na kishte thënë ndërsa na shpejtonte për në xhami: "Ishallah nuk ban ndonjë gja ndonjë i marrë. Nuk asht mirë për ne shqiptarët". Baca i mirë e i mençur kishte punuar xehtar (minator) për 42 vjet me radhë. Titulli intelektual atij me siguri nuk do t‘i pëlqente. Por ja se ku u puqen mendimet dy palë kosovarëve që mund të duken sikur janë shumë larg njëri-tjetrit. Ata thjesht i bashkon mënçuria dhe respekti për këtë ngjarje, që më në fund po përjeton populli i tyre.

Vetëm pak minuta pas intelektualit prezantuesja paraqet një kronikë tjetër. Një vargan makinash ka nisur rrotullamet në rrugët e Prishtinës. Për të paduruarit festa ka nisur që kohë më parë. U është sosur durimi dhe mezi presin të marrin pjesë në festën që kanë ëndërruar prej shumë kohësh. Për ta nuk ka edhe aq rëndësi se çfarë do të ndodhë më pas, as nuk mendojnë se duhet "me pasë frikë" për donjë eksces. Por duhet festuar, Prishtina e tërë Kosova duhet mbuluar me ngjyrat kuqezi (simbolet e reja me siguri nuk do t‘i përfillë kush edhe për shumë kohë) dhe dufi i një populli të vuajtur duhet të shpërthejë më në fund. Të tria këto kategori, të mpirët, të maturit, entuziastët pa kufi bashkohen në një lokal të vogël mes dy xhamive në një anë të varfër të Prishtinës. Pala e parë dëgjon e heshtur rreth një sobe bubullitëse, ndërsa jashtë dëbora ka nisur të shtrohet mirë. Dy palët e tjera u flasin të parëve nga ekrani i vogël. Kjo është Kosova që bëhet gati të festojë të dielën realizimin e ëndrrës së saj. Do të jetë një festë, por do të jetë njëherësh edhe një përkujtim. Kjo ditë do t‘u kujtojë të tria palëve një varg të gjatë viktimash, jo vetëm të luftës së fundit, por të asaj që ka nisur më shumë se një shekull më parë. Kjo është barra e madhe e atyre që sot drejtojnë Kosovën. Festa e hareshme, si çdo festë nuk do të vazhdojë gjatë. Por sa do të vazhdojë përkujtimi? Këtë mund ta dinë më mirë vetëm ata njerëzit e heshtur që i takuam të mbledhur rreth sobës. Lajmet mbaruan. Ata nuk bënë asnjë koment. Vetëm u përshëndetën me zë të ulët dhe nisën drejt punëve të tyre. Hera e parë që folën me zë të lartë është kur i uruam për Pavarësinë. "Gëzuar edhe ju të Tiranës. Të tanë bashkë!", na u përgjigjën dhe u shpërndanë nëpër rrugica bashkë me flokët e dëborës.

 

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama