Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Himni i ketyre zgjedhjeve

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 10 vite më parë

Fatos Baxhaku
Himni i ketyre zgjedhjeve

Edhe një herë me hap të vendosur, shumëngjyrësh, brohoritës, plot optimizëm, flamuj, protagonistë, sharje, premtime, ëndrra, harta, skica, shifra, potere, muzikë, po na afrohen zgjedhjet e reja. Njësoj si na afrohet fati kur dhe ku e vendos ai vetë, pa na pyetur fare ne. Dhe, sipas mënyrës së tij, secili tashmë e ka një gjykim të përafërt mbi atë çka po ndodh në këtë fushatë zgjedhore dhe se çfarë mund të ndodhë më pas. Pikërisht nga ky gjykim do të vijë më pas qëndrimi ynë ndaj këtyre zgjedhjeve, mbi faktin nëse do të votojmë apo jo dhe më pas si dhe për kë do të votojmë më së shumti.


Ka disa mënyra sipas të cilave ne shqiptarët po i gjykojmë zgjedhjet vendore. Një palë i shikon me shpresën e pafund se më në fund, falë edhe reformës territoriale, dhe falë njeriut që kjo palë admiron më shumë, do të vijë dita kur, më në fund, edhe qytetet, periferitë dhe fshatrat e Shqipërisë të kenë një jetë për të qenë, një jetë për të cilën paraardhësit tanë jo vetëm kanë ëndërruar, por edhe janë rropatur një jetë të tërë. Kjo është pjesa më optimiste e shoqërisë.


Një palë tjetër është angazhuar fuqimisht në fushatë, ca për idealizëm, ca për simpati, por më shumë për interes. Kjo është pjesa e qytetarëve aktivë të organizuar nëpër parti. Një tjetër palë është ajo e të pavendosurve, e të zhgënjyerve nga shumë palë zgjedhje që e kanë përmirësuar jetën e qyteteve fare pak, përpos asaj që ka bërë koha vetë. Kjo palë kalon nga pesimizmi deri në nihilizmin akut derisa të bëhet si ai personazhi i famshëm i Qamil Buxhelit që thoshte në vitet ’70 të shekullit të shkuar: Pse mo lumë është Lana?! Pika që s’ju bie. Po në Lanë njeriu as veten nuk e mbyt dot more!


Por duhet të ketë edhe një mënyrë tjetër për t’i parë këto zgjedhje. Në fakt, në thelbin e tyre, sidomos këto zgjedhjet e fundit janë një reality show, një festë që transmetohet thuajse në kohë reale në televizion anekënd vendit. Jo vetëm ngjyrat, performanca e protagonistëve, entuziazmi i tyre i pashoq, shpengimi i tyre teksa i rrokin duart me njerëz të panjohur, ecja me hap të vendosur dhe buzëqeshja e pafund… Këto janë vetëm disa prej elementëve të festës elektorale të sivjetme. Por ajo çka është më e rëndësishme është Shqipëria virtuale që kanë krijuar premtimet.


Nëse arrijmë për pak çaste të mbyllim sytë dhe ta imagjinojmë Shqipërinë që do të krijohet sipas këtyre premtimeve pas katër viteve, madje jo, pas vetëm dy viteve, do të kemi një situatë biblike para syve tanë, vetë parajsën, kopshtet e Idenit.


Pa qytetet nuk do të jenë më të rrëmujshme si në Kandahar, por disa qendra urbane të gjelbëruara ku do të na marrë malli të gjejmë ndonjë grimcë pluhur. Pa makinat do të ecin në heshtje dhe të panxituara, sepse parkimet që do të ngrihen do t’ua largojnë shoferëve panikun e përhershëm që kanë sot. Pa do kemi plot shkolla, çerdhe, kopshte, lagje më lagje. Gjyshërve dhe gjysheve nuk do t’u duhet të bëjnë vetëm pak hapa nga shtëpia për të çuar nipçet në shkollë a në kopsht, mjaft më me tortura. Po ujë e drita? Pse pyetje është kjo? Ujë e drita sa të duam kur të duam e si t’i duam. Jemi apo s’jemi në mijëvjeçarin e fantashkencës!


Po të varfrit, pensionistët, të pastrehët? Edhe për këta ka goxha vend në parajsën e premtimeve. Për ta do të mendojë “nëna superbashki”. Këto kategori jo vetëm që do të përfitojnë nga parajsa e madhe e përgjithshme, por do të kenë edhe miniparajsën e tyre, me qendra sociale, me kazanë supe, me lodra të ndryshme si bilardo, shah, domino etj. (për kalanë dibrançe nuk është folur ende).


Një risi tjetër e parajsës së sivjetme elektorale është se ajo do të shtrihet edhe në fshat. Mjaft më me privilegjet e qytetarëve. Mjaft më me ndarjen fshat-qytet. Fshati sigurisht që do të jetë edhe më i gjelbër sesa e gjelbra vetë. Pa fshatarët do të rrinë në hije me një fije bari të thatë në gojë teksa do të shohin tufat e mëdha të bagëtive që kullosin të qeta në fushat e paana, pa rrugët rurale do të jenë ku e ku më të mira sesa ato të Anglisë. Shteti madje do të subvencionojë me goxha para ndërtimin e fermave model. Kushdo që ta fitojë garën asgjë s’do jetë më si më përpara.


Parajsa kësaj here ka prekur edhe fushën e punësimit. Skema është e thjeshtë. Bashkia do të ulë taksat vendore deri në 30 për qind. Biznesmenët do të marrin kështu zemër, do të vënë dorën në zemër dhe do të mundohen të punësojnë sa më shumë njerëz. Pra lamtumirë papunësi! Ti nuk ke vend në parajsën tonë!


Meqë ra fjala te puna. Janë bërë shumë premtime. Asnjë prej kandidatëve nuk u ka thënë zgjedhësve të tyre se ka ardhur koha që të përveshim llërët dhe jo të ëndërrojmë me sytë hapur duke pritur nga qeveritë apo bashkitë. Ka ardhur bash koha e sakrificave. Le ta zëmë në Tiranë, asnjëri prej dy të mëdhenjve nuk u ka thënë kryeqytetasve se Tirana do të bëhet qytet i vërtetë europian vetëm kur kafenetë e shumta të saj të jenë bosh në orët e punës. Po nejse, mirë kanë bërë se me sa duket në parajsë nuk është se punohet edhe aq.


E tha mirë njëri nga politikanët më të rëndësishëm të vendit (në fakt ai po propagandonte parajsën e zgjedhur prej tij) që kush nuk i beson premtimet (e kandidatit të tij) është budalla. Mirë e ka! Aq mirë e ka saqë s’e luan as topi. Të të nxjerrin përpara gjithë këtë parajsë dhe ti të dyshosh? Budallenj e shkuar budallenjve. Madje nga ata që të kujtojnë atë lopën që seç rrëzon një kovë të mbushur plot me qumësht…


Që të mos bëhemi fare budallenj nuk duhet të bëjmë as pyetje, të tipit sa na kushton kjo parajsa e premtuar prej të gjithëve? Me një fjalë sa kushton një metër katror parajsë? Nëse ulen taksat si do t’i mbajë bashkia shkollat, rrugët, plehrat? Ç’lidhje ka bashkia me vendet e punës?


Meqë vetëm budallenjtë bëjnë pyetje naive nuk na mbetet gjë tjetër veçse ta bëjmë sa më të bukur e të hareshme këtë festë të cilën do ta gëzojmë, për fatin tonë të madh, edhe plot dy javë. Deri më tani, pak a shumë (nëse heqim ligësinë e tepruar në ndonjë rast, por kjo s’prish fare punë), fushata ka shkuar në rregull, sikurse thamë është një festë e madhe plot ngjyra. Vetëm se i ka munguar himni, një muzikë e caktuar e cila t’i bëjë bashkë të gjithë, ëndërrimtarë, aktivistë, militantë, liderë, indiferentë e nihilistë. Bash për këtë e vramë mendjen për disa kohë. Në fillim na u kujtua “La vie en rose” e Edit Piafit. Vetëm se kjo ka ca si tepër dashuri në një fushatë që ka shumë urrejtje. Pastaj ndokush mund ta kishte interpretuar edhe mbajtje ane për PS. Roza dhe mavia janë aq pranë njëra-tjetrës. Pas disa vrarjemendjesh më në fund e gjetëm një këngë të Luçio Dalës (1943-2012) të kënduar këtu e afër 30 vjet më parë. Ja teksti i saj i përkthyer në mënyrë të lirë:
I dashur mik, po të shkruaj që ta humbas ca mendjen. Dhe, meqë je fort larg, po të shkruaj edhe ca më fort. Qëkur u nise ka ndodhur një gjë e madhe. Viti i kaluar tashmë mbaroi, por ende ka diçka që s’shkon.


Mbrëmjeve dalim pak, madje edhe për festa. Ka nga ata që kanë vënë thasë me rërë ndër dritare. Për javë të tëra rrimë pa folur. Dhe, atyre që s’kanë ç’të thonë u mbetet boll kohë e tepërt.


Por televizioni tha se viti i ri do të sjellë një transformim të madh dhe të gjithë rrimë e presim. Do të ketë tri herë Krishtlindje dhe festë çdo ditë. Çdo Krisht do të zbresë nga kryqi, madje edhe zogjtë do të kthehen. Do këtë drita dhe bukë tërë vitin. Edhe memecët do flasin, madje shurdhët kanë nisur që tani. Pa, dashuri do bëjmë si të duam. Edhe priftërinjtë do mund të martohen, por ama në një moshë të caktuar. Pa shih, i dashur mik se ç’të shkruaj e ç’të them! Sa i kënaqur jam të jem tani këtu. Pa shih, pa shih, pa shih… Pa shih, i dashur mik se ç’na duhet të shpikim që të tallemi me të për të mundur të shpresojmë. Po sikur ky vit të kalojë në një çast? Pa shih, miku im sa e rëndësishme bëhet që në këtë çast të jem edhe unë. Viti që po vjen do mbarojë brenda vitit. Unë po bëhem gati për këtë dhe kjo është e reja.


Pak a shumë si në rastin e Luçio Dalës edhe këto palë zgjedhje do të kalojnë shpejt dhe ne duhet të bëhemi gati të imagjinojmë të tjera parajsa pa kufij.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama