Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kurthi i Thaçit për Berishën

Shkruar nga: Albin Kurti  
Botuar më: 14 vite më parë

Albin Kurti
Kurthi i Thaçit për Berishën

Kryeministri Berisha, por edhe udhëheqësit e tjerë politikë në Shqipëri, duhet të jenë shumë të kujdesshëm: Kryeministri Thaçi synon  ta përdorë Shqipërinë si legjitimim për koncesionet e mëdha që do t’ia bëjë Serbisë për Veriun e Kosovës, dhe jo vetëm për atë.

Nëse i duket se Kosova ka shënuar ndonjë të arritur, Kryeministri Thaçi orvatet ta mbajë këtë gjë për vete. Mirëpo, atëherë kur Kryeministri Thaçi bën ndonjë faj, ai përpiqet ta shpërndajë përgjegjësinë me të tjerët. Porsa bie në siklet, ai vrapon të sajojë imazhe të përbashkëta me drejtuesit politikë e institucionalë nga Shqipëria, për t’ia rritur bazën legjitimuese veprimeve të veta. Pra, atëherë kur konsideron që është arritur ndonjë sukses, Kryeministri Thaçi e privatizon atë dhe e lokalizon në Kosovë, ku është Kryeministër. Ndërkaq, atëherë kur do ta pësojë Kosova me fajin e tij, ai mësyn në Shqipëri për t’i paraqitur zhvillimet e situatat në vijim si çështje të dakorduara të të dyja shteteve dhe madje të mbarë kombit.

Të gjithë e mbajmë mend se si pas zmbrapsjes nga Veriu i Kosovës më 26 korrik 2011, pra atëherë kur Kryeministri Thaçi urdhëroi tërheqjen e policisë së Kosovës nga pikat veriore kufitare 1 dhe 31, ai shkoi në Dhërmi për t’u takuar me Kryeministrin Berisha më 31 korrik 2011. Natyrisht, ai nuk e konsultoi Berishën dhe askënd nga Shqipëria për aksionin e 25 korrikut në Veri, por vetëm kur u zmbraps, vetëm atëherë kur gjendja po degjeneronte në Veri nga barrikadat që po ngriheshin përditë prej strukturave ilegale të Serbisë, ai shkoi të takonte Berishën.

Kryeministri Thaçi nuk i bashkërendon veprimet me Kryeministrin Berisha në mënyrë që shteti i Kosovës dhe ai i Shqipërisë të jenë në funksion të faktorizimit të kombit shqiptar. Kryeministri Thaçi synon veçse ta ndajë fajin me Shqipërinë – të shfajësohet për vete në masën në të cilën do ta ndajë fajin me Kryeministrin e Shqipërisë. Jo strategji të përbashkëta paraprake, por imazhe të bashkëfajtorëve posteriori.

Ky është kurthi e Kryeministrit Thaçi për Kryeministrin dhe udhëheqësit e tjerë politikë të Shqipërisë. Nëpërmjet Shqipërisë ai aspiron ta amortizojë zemërimin e shqiptarëve të Kosovës me veprimet dhe sjelljet e tij aspak kombëtare.

Është vetë Kryeministri Thaçi për të cilin “WikiLeaks” pati njoftuar që më 13 gusht 2009 ishte ankuar se Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, po përzihet në politikën e Kosovës. Këtë gjë ai ia ka thënë zëvendësambasadorit amerikan në Prishtinë, Michael McMurphy.

Sipas të njëjtit njoftim, Kryeministri Thaçi kishte deklaruar që përzierja nga Shqipëria në politikën kosovare paraqet kërcënim për Kosovën, dhe ka kërkuar ndërhyrjen amerikane te Berisha që ta kundërshtojnë një përfshirje të tillë, duke theksuar se Kosova është një shtet i pavarur, dhe jo krahinë e Shqipërisë. Kryeministri Thaçi po ashtu ka kërkuar nga Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë që përmes Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë të bëjnë trysni mbi Berishën dhe të kërkojnë nga ai që të përmbahet nga deklarimet apo veprimet që ngjallnin frikë në rajon nga panshqiptarizmi.

Me fjalë të tjera, Thaçi i thotë qeverisë së Shqipërisë: Mos ejani ju në Kosovë dhe mos u merrni ju me Kosovën, unë vij atje kur të më nevojiteni për pazaret e mia me Kosovën.

Të hënën që shkoi, pra të njëjtën ditë që takoi kancelaren gjermane Merkel në Prishtinë, Kryeministri Thaçi shkoi e takoi Kryeministrin Berisha në Tiranë. Dhërmiu, pjesa 2. Më 31 korrik, Thaçi vizitoi Berishën, mu kur po zmbrapste policinë e Kosovës nga Veriu. Më 19 dhjetor, Thaçi sërish vizitoi Berishën, kur duket që po zmbraps politikën e Kosovës nga Veriu. Sepse, në njërën anë, kancelarja Merkel deklaron që duhen hequr barrikadat e strukturave paralele të Serbisë në Veri dhe vetë ato struktura, mirëpo nuk thotë se KFOR-i gjerman do ta bëjë këtë. Nga ana tjetër, ajo kërkon koncesione të qeverisë së Kosovës për Veriun e vendit.

Pra, trysnia e kancelares Merkel mbi Serbinë për shpërbërjen e strukturave ilegale të Serbisë në Veri po pasohet me trysninë e saj mbi qeverinë e Kosovës për lëshim pe në Veri. Kombinimi i këtyre të dyjave shpie te eliminimi i strukturave të Serbisë në Veri, mirëpo nëpërmjet formësimit paralel të një lloj autonomie të Veriut që do të dilte nga bisedimet e reja për të.

Kësisoj, nuk do të kemi eliminim të strukturave të Serbisë, por vetëm legalizim të tyre si përmbajtje të asaj autonomie. Ose, për të qenë më të saktë, në masën në të cilën do të eliminohen këto struktura, në po atë masë do të ngrihet autonomia e Veriut, d.m.th. në atë masë ato struktura, në të vërtetë, do të legalizohen. Gjithandej dëgjojmë se si dialogu është proces, zgjidhjet për Veriun janë proces, zhbërja e strukturave ilegale të Serbisë është proces etj. Në fakt, gjithnjë bëhet fjalë veçse për të njëjtin proces.
E thënë ndryshe, kancelarja gjermane, Angela Merkel, erdhi në Prishtinë e tha që ushtarët gjermanë nuk do të vdesin për Veriun e Kosovës. Njëkohësisht, Kryeministri Thaçi e sforcoi dialogun me Serbinë si një gjë të domosdoshme. Kjo nënkupton që do të nisin bisedimet me Serbinë për Veriun e vendit tonë.

Pra, letra që ministri i Jashtëm suedez, Carl Bildt, ia pati dërguar baroneshës Ashton më 17 nëntor 2011, tash do të fillojë të zbatohet: kalimi në bisedime politike me Beogradin për Veriun e Kosovës. Në Veri, ndoshta do të bjerë ca krimi dhe barrikadat, ama për aq sa do të rritet autonomia politike dhe administrative atje.

Është interesante qysh kancelarja Merkel vizitoi KFOR-in në shtabin kryesor të tij për t’u takuar me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Erhard Drews, mirëpo nuk erdhi në institucionet e Kosovës. Takimi u zhvillua në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, pra në një vend aspak zyrtar, por në një zonë disi ndërkombëtare, ku njerëzit vijnë për të shkuar në një vend që definohet duke mos qenë i definuar.

Nuk është e rëndësishme vetëm ku shkoi kancelarja Merkel, por edhe ku nuk shkoi ajo. Duket qartë që Merkel ka një problem të madh me qeverinë e Kosovës përkundër njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Gjermania. Ajo e përmendi korrupsionin në Kosovë dhe luftën kundër tij. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja kryesore pse ajo s’hyri në ndërtesën e qeverisë së Kosovës.

Sido që të jetë, dy drekat e Kryeministrit Thaçi me baroneshën Ashton në këtë vit na kushtuan shtrenjtë me një sërë koncesionesh ndaj Serbisë, të bëra përgjatë dialogut midis Edita Tahirit dhe Borislav Stefanoviçit. Vizitën e kancelares Merkel, qeveria e Kosovës aktualisht po e shfrytëzon si lëpirëse që, me gjasë, do të ketë çmimin shumë të shtrenjtë për Kosovën edhe se drekat me baroneshën Ashton.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama