Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Çfarë prodhon 14 janari

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
Çfarë prodhon 14 janari

Thirrjes së Presidentes Jahjaga për t’u tërhequr nga protesta dhe për ta zhvendosur debatin politik në sallën e Kuvendit, Vetëvendosja ka pak gjasa t’i përgjigjet pozitivisht. Si kusht të vetëm për të anuluar protestën e 22 janarit, kjo Lëvizje ka vënë nisjen e hapave për zbatimin e mocionit për reciprocitet nga ana e qeverisë. E kjo e fundit, pavarësisht apelit të djeshëm të Kryeministrit Thaçi për debat në Kuvend, nuk ka ndërmend të japë shenja të qarta se do të zbatojë reciprocitetin e kërkuar nga VV. Qeveria mendon se reciprociteti është funksional.

Nëse këtij pozicioni i shtohet edhe deklarata e ministrit Rexhepi, se policia do të veprojë njëlloj si më 14 janar, konflikti mes këtyre dy forcave politike do të vijë duke u thelluar. Pas gjithë asaj që ka ndodhur, secila prej palëve gjendet nën presionin absurd se po të tërhiqet (VV nga protesta apo qeveria të pranojë mocionin), kjo do të përkthehej si dobësi përballë kundërshtarit në sytë e militantëve të tyre. Në këtë mënyrë, përplasja mes qeverisë dhe lëvizjes “Vetëvendosje” po e radikalizon jetën politike në Kosovë, po i ndan njerëzit në dy kampe kundërshtare dhe po rrezikon të prodhojë një klimë ekstremesh, ku zërat neutralë dhe të ekuilibruar po e humbasin rëndësinë dhe ndikimin e tyre. Në opinion po shtohen rreshtimet dhe po humbasin arsyetimet, gjakrat janë nxehur dhe dy njerëz, Hashim Thaçi dhe Albin Kurti kanë pushtuar jetën politike, mediatike dhe shoqërore në Kosovë. Kjo situatë e re ka prodhuar disa fenomene, të cilat do të ndikojnë ndjeshëm në të ardhmen politike të vendit.

Së pari, ky konflikt i ashpër po krijon një përmasë të re të Hashim Thaçit. Ai po i shërben drejtpërdrejt forcimit të pozitës së Kryeministrit si faktor i fortë stabiliteti në sytë e ndërkombëtarëve. Sa më e madhe të jetë frika nga radikalizimi i veprimeve të VV, aq më shumë Thaçi do të shihet si mundësia e vetme për të gjetur një ekuilibër mes interesave të partnerëve ndërkombëtarë dhe garancisë për qëndrueshmërinë e institucioneve.

Pak nga pak, lideri i PDK po fiton staturën e pëlqyer prej ndërkombëtarëve, të cilët në vendet problematike ballkanike preferojnë të kenë një partner që në radhë të parë ofron stabilitet, pavarësisht se ndonjëherë kjo shkon në dëm të parimeve demokratike. Gjuha me të cilën Hashim Thaçi foli në mbledhjen e qeverisë përpara 14 janarit ishte veshja formale që ai kërkoi t’i japë staturës së tij të re. Kreut të shumicës i shkon për shtat një situatë e tillë, e cila e zhvendos atë nga politikani problematik që nuk arriti të sigurojë zgjedhje të lira e demokratike, në liderin e vendosur që ka nën kontroll menaxhimin e krizave. Situata e krijuar ka lënë në hije problemet e së shkuarës që rëndonin mbi Hashim Thaçin dhe po i jep atij mundësinë të paraqitet si i vetmi partner me të cilin ndërkombëtarët mund të negociojnë. Qëndrimi në unison i shteteve kryesore perëndimore dhe i faktorëve të tjerë politikë në Kosovë kundër aksionit të VV, e fuqizon së tepërmi rolin e Thaçit në këtë drejtim.

Së dyti, radikalizimi i klimës politike dhe përmasat që Vetëvendosja i dha protestës së saj, jo vetëm po e shndërrojnë këtë forcë politike në polin e vetëm aktiv kundër qeverisë, por po i japin një dimension më të gjerë asaj. Në një farë mënyre po ndodh një lloj Çalbinizimi i Lëvizjes, po rritet roli i drejtuesve të tjerë, po ndryshon perceptimi apo etiketimi se VV vepron si një sekt. Roli disi i përmbajtur që Albin Kurti luajti para, gjatë dhe pas protestës u la fushë të lirë veprimi dhjetëra drejtuesve të tjerë të VV që pushtuan ekranet e televizioneve dhe faqet e gazetave. Publiciteti që u krijua rreth tyre, sidomos pas ndërhyrjeve brutale të policisë, shfaqi para opinionit publik shumë figura interesante që mund ta shndërrojnë këtë mediatizim në kapital politik. Ndonëse VV është partia e tretë në Kosovë, imazhi që ajo krijoi ishte ai i një partie të madhe, me shumë figura prezantuese, me drejtues të aftë dhe të qartë në të gjitha përballjet përpara opinionit publik. Vendosja në qendër të vëmendjes për shumë ditë me radhë, artikulimi politik në debatet televizive dhe viktimizimi përballë dhunës policore, po i bëjnë mjaft popullorë edhe drejtuesit e tjerë të Vetëvendosjes. Ky është një investim i rëndësishëm për zgjedhjet e ardhshme.

Së treti, ekstremizimi PDK-VV po nxjerr jashtë loje opozitën tjetër në Kosovë. LDK dhe AAK nuk po e gjejnë dot veten në mes të këtij konflikti politik duke i lënë votuesit e tyre të hutuar. Ato kanë mbetur peng i disa sloganeve përgjithësuese për dënimin e dhunës, por nuk po munden të ndërmarrin asnjë aksion politik. Frika për të mos u përdorur nga qeveria dhe ngurrimi për të mbështetur VV, veprimet e së cilës nuk i përkrah faktori ndërkombëtar, e kanë bllokuar opozitën më të madhe në numra. Ajo nuk arriti madje të ketë as një qëndrim të prerë për dhunën e ushtruar ndaj deputetëve të Kuvendit më 14 janar, dhe as të ndërmarrë ndonjë iniciativë parlamentare për të hetuar çka ndodhi apo për të kufizuar të drejtën e policisë për të arrestuar përfaqësuesit e popullit në raste të tilla. Duke munguar një motivim i fortë opozitar në veprimin e LDK dhe AAK, nuk është çudi që ata që nuk e durojnë dot qeverisjen aktuale të gjejnë veten tek Vetëvendosje. Në rrethanat e reja, është imediate që opozita tjetër në Kosovë të krijojë kredon e saj politike për të balancuar ekstremizimin që po ndodh.

Ekstremizimi, politika përjashtuese, radikalizimi dhe ndarja në kampe armiqësore kanë qenë me pasoja fatale në këto anë, e veçanërisht për shqiptarët. Përfitimet momentale politike do të rëndojnë në një afat më të gjatë mbi institucionet dhe besimin e qytetarëve tek shteti. Ajo që ndodhi me policinë e Kosovës është një shenjë e qartë se si mund të lëkundet ky besim brenda pak orëve. Më 22 janar do të kemi një tjetër provë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama