Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Cipras, heroi qe nuk lindin dot shqiptaret

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 10 vite më parë

Armand Shkullaku
Cipras, heroi qe nuk lindin dot shqiptaret

Ka një eufori të pazakontë në Shqipëri për fitoren e Aleksis Cipras në Greqi. Si rrallëherë, në një vend që jeton tepër lokalisht si ky i yni, lajmet për kryeministrin grek janë headlines në të gjitha televizionet. Shkrime dhe analiza të shumta të emrave më të njohur të shtypit iu kushtuan fenomenit grek dhe Syriza u bë temë edhe në emisionet kryesore të debatit politik. Përveç interesit dhe kureshtjes që zgjon një lajm që ka fabulën e më të dobëtit që një ditë bëhet i fuqishëm, fitorja e Ciprasit kishte brenda saj edhe shembjen e një miti, që për shqiptarët ngjan e pamundur. Syriza shenjoi historinë moderne greke duke shkërmoqur sistemin e çimentuar të oligarkisë politike dypartiake, një utopi kjo për votuesit shqiptarë, të cilët për një çerek shekulli përpëliten në një të ngjashëm sistem.

Shndërrimi i një utopie në realitet, vetëm pak kilometra larg nesh, shpjegon se përse fenomeni Cipras po përcillet me kaq shumë vëmendje, kërshëri e madje simpati nga publiku shqiptar. Më shumë se ideologjia, sfida ndaj pushtetit të Brukselit dhe Berlinit, mallëngjimi për “pushtetin e popullit” dhe djalin e thjeshtë pa kravatë, ajo që ndodhi në Greqi është për shqiptarët realizimi i së pamundurës së tyre. Ciprasi ngërthen grushtin e fuqishëm të munguar ndaj malit që s’bëzan, pafuqinë që merr hak, revoltën që ia del të bëjë përmbysjen, zhgënjimin që kthehet në shpresë. Me pak fjalë, atë që shqiptarët jo vetëm nuk kanë arritur ta bëjnë, por që duken të pashpresë se mund ta bëjnë ndonjëherë. Tërheqja e tyre ndaj Ciprasit është efekti që shkakton diçka që mendohet e pamundur dhe që ndodh një hap larg teje. Në këtë kuptim rrezatimi i fenomenit të Athinës prek dhe ndikon edhe në Tiranë.

Në Shqipëri prej kohësh qytetarët janë të pakënaqur me mënyrën se si qeveriset vendi. Më tranzicionin më të gjatë në gjithë Lindjen, me dy parti që ia lënë vendin njëra-tjetrës në pushtet, me rekordet më të mjera ekonomike në Europë, me nivel krimi dhe korrupsioni të frikshëm, shqiptarët kanë një çerek shekulli që jetojnë atë që Lubonja e quan “vazhdimi i historisë së Enver Hoxhës, të një nomenklature me dy parti që i mban shqiptarët si skllevër”. Zhgënjimi nga mosndryshimi i gjendjes, pavarësisht ndryshimit të pushtetit, ka bërë që pjesa më e madhe e votuesve të votojnë gjoja “të keqen më të vogël” duke mos dalë dot nga e keqja e madhe. Ata nuk kanë një alternativë tjetër.

Përveç militantëve partiakë, një pjesë e mirë e shoqërisë tashmë është e bindur se konsolidimi i pushtetit të dy partive po ia merr frymën demokracisë shqiptare dhe për pasojë po shton korrupsionin, po rrit krizën ekonomike dhe depresionin, po pasuron një grusht njerëzish dhe po lë në mëshirë të fatit më të dobëtit. Duke e lexuar këtë pafuqi të qytetarëve për të përmbysur sistemin që i sundon, pushteti sa vjen dhe bëhet më arrogant. Nuk mban asnjë përgjegjësi për premtimet, shkel hapur ligjin, kontrollon drejtësinë dhe mediat, i konsideron votuesit si numra dhe kujtohet t’i gënjejë vetëm përpara zgjedhjeve. Pjesa më e madhe nuk është se gënjehen, por në pamundësi të një “ciprasi” shqiptar që do të realizonte ndëshkimin, zgjedhin të ndëshkojnë pushtetin e radhës dhe të pranojnë sundimin e radhës.

Është sundimi i radhës sepse pushtetet që këtu po ndërrohen çdo tetë vjet (kohë e mjaftueshme boll për të pasuruar njërën palë) janë thjesht këmbim të ndenjurash për t’i hapur rrugën pasurimit të palës tjetër. Në këto kushte, sigurisht që një shembull si ai i Greqisë është një lloj revanshi edhe për shqiptarët e pamundur për të prodhuar “heroin e tyre që merr hak”. Në Shqipëri terreni për të lindur një forcë të ngjashme që mund të trondiste sistemin aktual politik ekziston, e megjithatë ajo nuk po jep shenja jete. Gjithë ky zhgënjim majtas-djathtas, gjithë kjo pakënaqësi në rritje ndaj sundimit bipartiak, dëshpërimi nga varfëria, korrupsioni e padrejtësia, nuk po prodhojnë një lëvizje, një lider që mund ta kanalizonte nevojën dhe etjen e shoqërisë për një ndryshim të madh.

Ka shumë arsye që mund ta shpjegojnë këtë paradoks, të farës që nuk mbin e nuk mbin ndonëse terreni është pjellor. Shqiptarët ndoshta janë ende nën ndikimin e frikës nga pushteti sipas thënies që me “qeverinë e me zjarrin mos luaj”. Ndonëse nuk e duan dhe e pësojnë çdo ditë abuzimin e pushtetit, rrallëherë ngrenë krye e dalin hapur ta kundërshtojnë atë. Jo vetëm kaq, por edhe ata që dalin ta bëjnë diçka të tillë, i shohin si kokëkrisur, të çmendur dhe jo si modele frymëzimi.

Ciprasi në Greqi apo dhe Grillo në Itali apo edhe Albin Kurti në Kosovë nuk kanë mbirë nga hiçi. Në këto vende ka traditë të protestës dhe revoltës së hapur qytetare, ka kundërshtim të organizuar ndaj qeverive që kërkojnë të sundojnë, ka media dhe shoqëri civile që nuk kanë frikë të flasin dhe tundim për para që të manipulohen, ka sindikata që bëjnë greva, bllokojnë rrugë dhe në fund ka njerëz që besojnë tek vota e tyre. Prandaj Ciprasi bëhet edhe kryeministër, Grillo faktor i rëndësishëm dhe Vetëvendosje fiton Prishtinën. Këtu nuk ka asgjë të ngjashme, vetëm të kundërt. Nuk ka asnjë organizim civil që të kundërshtojë hapur pushtetin e ndoshta jemi i vetmi vend në Europë pa sindikata dhe kontrata pune të negociuara prej tyre.

Prandaj edhe nëse terreni i pakënaqësisë e zhgënjimit ekziston, kushtet për ta rritur farën e ndryshimit nuk janë. Edhe atëherë kur ajo jep shenja jete, hibridizohet në degët e pushtetit për t’u bërë pjesë e të njëjtit sistem. E kemi parë çfarë ka ndodhur me Mjaftin apo ndonjë forcë të tjetër politike. E kur edhe lëvizjet e shpresës kthehen shpejt në zhgënjim, apo kur tribunët e vegjëlisë bëhen sharlatanë të vegjël, atëherë vërtet që Syriza është baras me një utopi për shqiptarët. Ata shohin sot në Greqi mungesën e tyre të madhe. Simpatia për Ciprasin është ajo për heroin e filmave që arrin të bëjë realitet të pamundurën. Por Greqia tashmë nuk është një film, por një shembull i afërt që na reflekton çdo ditë dobësinë tonë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama