Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Stilolapsi dhe… ata

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 13 vite më parë

Edmond Tupja
Stilolapsi dhe… ata

E përfytyroj lexuesin tim të kësaj rubrike të përjavshme që, me t’i hedhur një sy të vëmendshëm titullit të saj të sotëm, pyet veten se për cilët “ata” e kam fjalën. Para se t’i përgjigjem, më duhet të pranoj se këtë shkrim ma ka frymëzuar Joseph Messinger-i, psikolog francez bashkëkohor, i cili, në librin e tij “Këto gjeste që ju tradhtojnë”, përshkruan edhe ato gjeste që, në jetën e përditshme, i bëjmë në mënyrë të pavetëdijshme për t’u mbrojtur nga një ndjenjë pasigurie reale ose të hamendësuar.

Ndër gjestet e kësaj kategorie ai rendit edhe mbajtjen në dorë të një stilolapsi; ja se ç’shkruan ai lidhur me këtë: “Stilolapsi – Shumica e liderëve të mendimit mbajnë një stilolaps në dorë, të cilin nuk e lëshojnë tek bëjnë komente derisa u merret fryma. Në këtë rast bëhet fjalë për një gjest barrikadë tipik për ata njerëz (politikanë, gazetarë, moderatorë) që ndikojnë te të tjerët. Për ta, stilolapsi është një armë simbolike që supozohet se i mbron nga sulmet e denigruesve të tyre”.

Teksa lexoja këto radhë për herë të parë në frëngjisht, mendja më vajti te politikanët, gazetarët (analistë e opinionistë) dhe moderatorët tanë (në debate radiofonike apo televizive) dhe pyeta veten: “Po këta, a mbajnë ndonjë stilolaps në dorë kur flasin e flasin pa pushim duke u futur në labirinte debatesh e kundërdebatesh, argumentesh e kundërargumentesh, analizash e kundëranalizash?”.

Dhe kërkova në arkivin e kujtesës sime se mos gjeja shëmbëlltyrën e ndonjërit syresh me stilolaps në dorë. Më rezultoi se, përveç nja dy-tre vetave, të tjerët – të paktën deri më sot – nuk e ndiejnë fare nevojën e një objekti të tillë. Përse kështu? Ndoshta ngaqë nuk shkruajnë më me stilolaps, por me kompjuter; ndoshta ngaqë nuk shkruajnë fare, por ua diktojnë sekretareve të tyre (mundësisht ish-mise Albania) fjalimet e ligjëratat që do të mbajnë; ndoshta kanë dikë të cilit i saktësojnë vetëm linjat kryesore të fjalimeve apo të ligjëratave të tyre, dhe ky “dikush” (si Demka i shokut Zylo apo “reparti” i redaktorëve të shock-ut Enver) ua përgatit e ua shërben llokum me të zezë në të bardhë.

Por, simbolikisht, me çfarë e zëvendësojnë stilolapsin? Natyrisht me dorë e me parakrahun njëkohësisht ose me gjithë krahun, çka në mënyrë të vetvetishme, pra, të pavetëdijshme, u siguron një mbrojtje psikologjike më të mirë, më të efektshme përballë kundërshtarëve, antagonistëve apo denigruesve të tyre.

Rrjedhimisht, kjo hulli arsyetimi që po ndjek më shtyn të mendoj që si stilolapsi për njërën palë, ashtu edhe krahu për palën tjetër, kanë vlerën, figurativisht patjetër, e një arme të vërtetë: thikë, bajonetë, shpatë, pra, të diçkaje të fortë dhe me majë që godet, por edhe futet diku. Ah, që futet diku… Ja tek i afrohemi si pa u ndier analizës frojdiane të objekteve të gjatë, të fortë, me majë, që futen diku e dalin prej andej për t’u futur rishtas po aty. Për të mos i skandalizuar veshët e moralshëm të njerëzve me shumë gjasë më të ndershëm sesa duhet, po e ndal këtu hovin tim psikanalitik e po kthehem vendosmërisht te dy kategoritë e politikanëve, gazetarëve e moderatorëve tanë të nderuar, të cilët, deri më sot kanë ende një ndikim të konsiderueshëm, por fatmirësisht përherë e më pak hipnotizues, te ne, shqiptarët e përditshëm e anonimë, si unë e ti, lexuesi im besnik.

Sipas mendimit tim, me të cilin jam krejtësisht – veç jo përfundimisht dakord –, të parët, ata që mbajnë stilolaps, pra, më të paktit, ta fusin sa… stilolapsi (kryesisht gazetarët e moderatorët), kurse të dytët, ata që nuk mbajnë stilolaps, pra, më të shumtët, ta fusin… sa krahu (kryesisht politikanët). Por ç’mund të ndodhë nëse u ndalohet të parëve të mbajnë një stilolaps në dorë tek komentojnë apo interpretojnë një dukuri, një ngjarje, një “event”? Po të dytëve, nëse u ndalohet të lëvizin dorën me parakrahun, madje edhe tërë krahun? Personalisht, jam i bindur që edhe njëra palë, edhe tjetra do të bëjnë si do të bëjnë, por, më në fund, kanë për ta gjetur një mënyrë se si të na e fusin qoftë sa stilolapsi, qoftë sa krahu!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama