Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

LDK në një planet tjetër

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
LDK në një planet tjetër

Isa Mustafa prej disa kohësh duket sikur po jeton në një planet tjetër, nga ku herë pas here vjen t’i bëjë ndonjë vizitë  të shkurtër vendit, drejtimin e të cilit pretendon ta marrë pas vitit 2013. Ai dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, partia më e madhe opozitare, ngjajnë jashtë kohës dhe të humbur në debate pa lidhje me aktualitetin. Çdo ditë e më shumë, LDK po shpërdoron rastin e artë për të qenë protagoniste aktive dhe aktore kryesore e politikës, që po dëshpëron prej disa muajsh qytetarët kosovarë.
Përplasja e egër, e tashmë edhe vulgare, mes Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje ka rritur pakënaqësinë tek një pjesë e mirë e opinionit, që nuk përkrah politika të tilla agresive, të ndërtuara mbi sulme personale dhe që çojnë në ndarjen e njerëzve në kampe armiqësore.

Pavarësisht euforisë së militantëve të nxehtë, mediat kryesore kanë përcjellë si shqetësim që përvoja të tilla primitive politike, të stilit PD- PS në Shqipëri, rrezikojnë të ngushtojnë hapësirat e debatit të arsyeshëm dhe konkurrencës normale mbi baza programore. Akuzat e fundit të ndërsjella nga shtabet e Hashim Thaçit dhe Albin Kurtit për lidhje apo takime të fshehta me njerëz të Beogradit, sulmet nëpër faqe gazetash apo studio televizive, lanë një shije të hidhur, duke treguar se stili primitiv i luftës politike po bëhet një realitet tashmë edhe në Kosovë.

Në këtë ambient të kontaminuar, Lidhja Demokratike e Kosovës ka mundur ta ruajë të panjollosur qëndrimin e saj politik dhe të mos përfshihet në betejat e përbaltjes së kundërshtarit. Por kjo sjellje politikisht korrekte nuk po shndërrohet në një veprim politikisht me ndikim, që do t’i jepte LDK një rol të rëndësishëm në këtë moment krize të politikës kosovare.

Ndoshta i pamësuar të ndërmarrë vendime të forta dhe pa nuhatjen e një lideri që shkëlqen pikërisht në momente të tilla krizash politike, Isa Mustafa ka zgjedhur të tërhiqet në periferi të ngjarjeve aktuale. Korrektësinë politike dhe veprimin institucional ai e ka përkthyer si mospërzierje të LDK në atë që po ndodh mes PDK dhe Vetëvendosjes. Pa dyshim që kjo gjë ka krijuar përshtypjen në opinion se VV është opozita e vërtetë, se LDK është e pafuqishme, pavarësisht numrave në Parlament, se Isa Mustafa nuk ka forcën e duhur për të mundur Hashim Thaçin etj. Me pak fjalë, LDK po shihet si një opozitë që ekziston, por që nuk ngroh dhe nuk motivon.

Përballë këtij opinioni, LDK mbahet fort pas të vetmit argument se ajo nuk vepron si VV dhe se po përgatitet që në mënyrë institucionale dhe me zgjedhje të lira të marrë pushtetin në 2013-n. Mirëpo, nëse kjo qasje e LDK vlerësohet nga të gjithë, asgjë nuk e pengon këtë parti të jetë më aktive brenda institucioneve. Deputetët e saj mund të mos dalin me batanije tek Dheu i Bardhë, por ata fare mirë mund të kërkonin një komision parlamentar për të hetuar si dhe kush ushtroi dhunë më 14 janar mbi qytetarët dhe deputetët e tjerë të opozitës.

Isa Mustafa bën mirë që distancohet nga veprimet e dhunshme në rrugë, por nga ai pritet një qëndrim dhe veprim konkret për atë çka po ndodh në Kosovë. Partia e tij do duhej të ishte çdo ditë aktive në konferenca shtypi, debate televizive, ballafaqime me qytetarë dhe jo vetëm me anëtarë partie, për të treguar qartë qëndrimet e saj dhe rrugët që propozon për të dalë nga konfliktualiteti i paarsyeshëm i muajve të fundit. Në vend të kësaj, Isa Mustafa dhe partia e tij po shkëlqejnë me mungesën e tyre në debatin publik.

Për LDK, e cila gëzon reputacionin e një partie tolerante, të hapur dhe jo agresive, ky është një moment i artë për të rritur ndikimin dhe autoritetin e saj si një palë e ftohtë mes dy kundërshtarëve, që çdo ditë e më shumë po e ndezin klimën politike. Të gjithë ata që nuk e suportojnë përplasjen vulgare mes PDK dhe VV, mund të gjenin tek LDK një alternativë qytetare si mundësi për të ikur nga politika e konfliktualitetit dhe si mundësi për të ndëshkuar ata që e prodhojnë atë. LDK nuk po e merr përsipër këtë rol, duke humbur kështu jo vetëm një mundësi të artë, por duke rrezikuar që me aneminë e saj të ushqejë opozitën e Vetëvendosjes. Isa Mustafa në këtë kohë nuk ka vlerë si një politikan i paangazhuar në sherrin e madh PDK-VV, por si një lider që merr përsipër të angazhohet për t’i dhënë drejtim tjetër politikës në Kosovë. Ai e ka provuar vetë suksesin në politikë kur ka qenë aktiv, i pozicionuar qartë, i vendosur dhe i gatshëm të marrë përgjegjësi të reja.

Ndërsa tani ai po i shmanget kësaj përgjegjësie, duke zgjedhur të mbyllet në salla partie për të diskutuar mbi katër orë orientimet programore e projektstatutin e ri. Krejtësisht jashtë kohe tingëllojnë debatet brenda LDK, ku kundërshtohet ose mbrohet projektstatuti i ri, ku kërkohen më shumë të drejta për anëtarët e më pak kompetenca për kryetarin etj., ndërkohë që vendi zien nga të tjera tema. Reforma e brendshme sigurisht që është e rëndësishme për LDK, por sot prej saj pritet të ketë zë më të madh për atë që po ndodh në Kosovë. Kjo reformë nuk mund të shërbejë si pretekst për t’i ikur ballafaqimit dhe qëndrimit për situatën politike në vend. Isa Mustafa duhet ta kapë këtë moment politikisht të favorshëm sot. Nëse ai nuk do të rrezikojë duke qenë një lider aktiv, por do të tërhiqet duke u mbyllur në aktivitetet e partisë së tij, kur të vendosë të rikthehet aty ku do duhej të ishte, mund të jetë vonë. Atëherë, ai vërtet do të ngjajë me një jashtëtokësor, që nuk e njeh vendin ku ka zbritur.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama