I tillë është edhe ky prolog politik i reformës zgjedhore. Kësaj here ai mbart edhe një kapitull shtesë; paqëndrushmërinë e brendshme politike të spektrit opozitar. Simptomat e deritanishme të shfaqura në artikulimet partiake, si dhe aktet e kryera nga individë politikë brenda Parlamentit, flasin qartë për fenomenin e transferimit individual të përkatësisë politike. Madje, shpeshtësia e këtyre akteve trafikuese, po evidentojnë përfundimisht tipologjinë e jetës kalendarike të këtij Parlamenti në këtë mandat. E rëndësishme është të thuhet se kjo tipologji në vijim, nuk është marrë seriozisht nga vetë politika dhe interpretët e saj. Ky fenomen i ndodhur shpesh, së paku këtë dy vjetshin e fundit, ende nuk është shpjeguar seriozisht, ende nuk është vlerësuar sa dhe si duhet në efektet që imponon dhe aq më keq, ende nuk është reaguar për t‘u ndalur.
Ky akt në vetvete është tipik për këtë shfaqje politike të Parlamentit aktual, madje akt që e bën atë të pangjashëm me përvojën politiko-parlamentare të 17 vjetëve të kaluar.
Po pse pikërisht ndodh tani? Pse pikërisht është shpeshtuar në këtë moment politik, dhe pse pikërisht, heshtja që pason çdo akt të ngjarë, lexohet si mundësi e hapur për ndodhinë e këtij fenomeni? A mund ta emërtojmë këtë fenomen të shpeshtuar trafikoreformë?!
Momenti aktual i shfaqjes së krizës në marrëdhëniet e brendshme të spektrit opozitar, në të vërtetë, mund të lexohet edhe si një ndriçim mbi dobësitë dhe delikatesën e së majtës së vendit. Ky ndriçim i delikatesës, dobësisë dhe mungesave të saj, ndodhi pas shkëndisë së "shkrepur" në nivele të dyta të lidershipit dhe në arenën e diskutimeve parapolitike për çështjen e nominalitetit të Kryeministrit të ardhshëm. Kjo nuk duhet anashkaluar dhe duhet vënë në vendin e vet në shqyrtesën analitike të kësaj krize. Pas kësaj "shkëndije", kriza u shpall, dasitë u evidentuan dhe e fjalëquajtura "aleancë e majtë" apo koalicioni, rezultoi se ishte vetëm një fasadë, madje një fasadë, si hapësirë, në një anë të "godinës".
Kjo krizë u shpall pikërisht tani, sepse tani nisi skicimi i arkitekturës së re elektorale dhe i hartimit të projektit për megapolitikën e ardhme. Për këtë çështje solidariteti i beftë i të vegjëlve dhe riorganizimi i tyre me operativitet befasues, duhen vlerësuar dhe parë me vëmendje. Fjala e tyre është në kohë e bashkëshoqëruar me veprimin organizativ.
Natyrisht, kjo skemë e re reagimi dhe veprimi politik prej forcës reale të dytë të opozitës, siç është LSI dhe partive të tjera, në çastet kur PS është ende në krizë të ekuilibrit përfaqësues të grupeve të interesit, bëhet edhe më intriguese, edhe më ndikuese. Kjo lëvizje mbart vlerën e një skeme, por edhe elementet e një trafiku politik. Nëse strukturës së "Të majtës për integrim" të regjistruar rishtas prej Ilir Metës i bashkohet siç u shpreh publikisht "LISI" i regjistruar prej Petro Koçit, atëherë duhet vëmendje për të verifikuar përfaqësimet reale dhe ato institucionale të spektrit të çoroditur opozitar.
Ky është tipik sindromi i italopolitikës së majtë. Procesi ka nisur dhe ka fituar provat e para të legalitetit, përderisa është shënuar regjistrimi në gjykatë dhe po intensifikohen artikulimet politike për logo aleancash të reja. Këto ndodhi në opozitë të opozitës, janë duke e shumështuar distancën mes elektoratit dhe votëdhënies për kompozitat e reja politike. Trafikoreforma në këtë aspekt është më e lehtë se reforma reale zgjedhore, e cila ka pësuar goditje, ende pa nisur. Komisioni i pazëshëm i kësaj reforme, ngritur nga vullneti i dy partive kryesore, ka shkaktuar asimetrinë e pandreqshme të së drejtës për pjesëmarrje partiake në reformë. Brenda opozitës ky keqfunksionim ka shkaktuar rrëzimin përfundimtar të solidaritetit të "salduar" politik dhe i ka shtuar terren lirisë anarkike të udhëheqësve dhe individëve politikë.
Subjekti i tanishëm politik nuk e ka shënuar pikën kulmore. Më e pësuar prej trafikoreformës, deri më tash po ndihet dhe është opozita. Kjo kosto e paralajmëruar ka emrin e cilësuar, së pari prej analistit Lubonja, si "çorbë derri". Ndërsa në emër të llogarive imediate politike, si fitues që udhëtojnë drejt pësimit, janë disa forca të tjera politike të koalicionit në qeverisje. Për ta, ky fenomen përbën një kapitull më vete, i cili është në ndodhje e sipër, si një ndodhi po kaq tipike.