Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Përballje me furinë dimërore

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Hoxha
Përballje me furinë dimërore

1. Dimër i ashpër. I zgjatur. Ndërsa pritej t’i linte vendin pranverës, dimri, si për të kompensuar vonesën, sulmoi ashpër në mes të shkurtit. Europa, Ballkani, gjysma e Shqipërisë u mbuluan nga dëbora. Temperaturat e ulëta dhe erërat e forta e të ftohta e shtuan ashpërsinë dimërore dhe bënë të harrohet bukuria dhe butësia e bardhësisë.  Dhjetëra fshatra e dhjetëra mijëra banorë në zonat malore, në veri, lindje e jug, jetojnë prej më shumë se dhjetë ditësh të izoluar në shtëpitë e tyre. U shënuan humbjet e para të jetëve njerëzore. Pak fatmirësisht në Shqipëri. Në Kosovë, orteku shoi një familje të tërë. Tragjedi.

2. Lëvizja bëhet gjithnjë e më e vështirë sa më thellë futesh në zonën e marrë peng nga dimri. Në mjaft raste lëvizja edhe më këmbë nga njëra lagje fshati në tjetrën është tejet e vështirë. Nga njëri fshat në tjetrin a nga një fshat në qendrën e komunës është edhe më e vështirë deri e pamundur qoftë edhe për automjetet e fuqishme me goma a zinxhirë. Kaq pranë dhe kaq larg njëkohësisht. Të ndarë nga dy e më shumë metra dëborë, akull, erë e ftohtë, ortekë të vegjël a të mëdhenj, terren i vështirë, rrugë fshati së shumti të paasfaltuara.

3. Si po i kalojnë orët, ditët, netët? Mjaft nga ne këndej nga ultësira e bekuar, ku pak pranë zeros mërdhijmë e ankohemi edhe nga një rrufë, ku për pesë minuta mund të blejmë gjithçka në dyqanin pranë pallatit, a për fare pak gjë shkojmë lehtësisht te mjeku, ku të gjitha shërbimet i kemi pranë e rrotull nesh, ku pak radhë a trafik na ngre nervat – ne pra këndej as që ia kemi idenë. Shpesh na duket pa kuptim që ata ende vazhdojnë të jetojnë atje. Shpesh ankohemi kur ata zbresin për të jetuar këndej.

4. Njerëzit, atje në fshatrat malore, nuk shfaqin panik. Ndjehet qartë në bisedat telefonike të këtyre ditëve në lidhjet e drejtpërdrejta nga disa televizione. E njohin mirë dimrin. Komunitetet kanë memorizuar eksperiencën shekullore. Modernizimi që ka arritur deri atje nuk ia ka mpakur shprehitë. Grumbullojnë rezerva ushqimore për vete dhe bagëtinë. Dru zjarri. Ilaçe bazë. Lëvizin pak. Shfrytëzojnë çdo përmirësim moti për të zbritur në qendrën e komunës a qytetin e afërt për të ripërtërirë rezervat e plotësuar nevojat bazë. Bëjnë ca punë dimërore. Mirëmbajnë shtëpitë. Ndërrojnë muhabet e duhan. Kështu çdo dimër.

5. Por ky i fundit po zgjat ditë me radhë. Bllokimi i rrugëve tejkalon parashikimet kohore bazuar në memorie. “Nuk menduam se do vazhdonte kaq gjatë”, – shprehen shpesh kur lidhen me celular me ndonjë studio televizive. Reflektim i qetë. Problemi kryesor është kujdesi për të sëmurët dhe gratë shtatzëna. Këtu ndjehen të pafuqishëm. Bllokimi i rrugëve të fshatrave pengon dërgimin e të sëmurëve pranë qendrave shëndetësore. Bllokimi i zgjatur rrit numrin e individëve brenda një familjeje a komuniteti që shfaqin probleme shëndetësore. Efekti shtohet progresivisht për çdo orë, ditë e natë që kalon.

6. Solidariteti nuk mungon. Besoj se duhet të ketë dhjetëra e dhjetëra shembuj solidariteti fisnor, fshati e krahine. Dele të zeza ka edhe atje, si gjithandej, por solidariteti dominon. Ndryshe, si do të kishin jetuar aty me shekuj!? Disa shembuj u mediatizuan. Dhjetëra burra të fshatit që çanë dëborën tetë orë në këmbë me një nënë shtatzënë në krahë është një nga shembujt. Nëna e re shpëtoi. Foshnja jo. Pa këtë sakrificë do t’i kishim humbur të dyja. Në raste të tjera sakrifica dhe solidariteti ka qenë më fatmbarë. Në ndonjë tjetër rast më fatkeq. Gazetarët që lidhen me telefon a ndërmarrin inkursione në afërsi do të bënin mirë të merrnin shënim sa më shumë ngjarje të këtilla që pasqyrojnë shpirtin njerëzor atje.

7. Nga shteti presin minimumin e arsyeshëm. Të takohen në pikën më të afërt të mundshme, në qendrën e komunës a diku aty pranë, ku mund të dorëzojnë, pas marshimit në këmbë, të sëmurët rëndë: fëmijë, gra shtatzëna, pleq. Burrat e kalojnë sëmundjen në këmbë. Mbahen. Edhe gratë e forta e punëtore bashkë me ta. Energji elektrike sa për ndriçim. Nuk kalohen netët e gjata në errësirë. Energji elektrike edhe për të karikuar celularët – të domosdoshëm për ndërlidhje në rast nevoje. Pak, fare pak raste kërkesë për ushqime. Më shumë i preokupon ushqimi për bagëtinë. Njerëzit rezistojnë. Sepse mendojnë e gjykojnë. Bagëtia s’mundet.

8. Shteti po përgjigjet me gjithë fuqinë e vet ende modeste, por të rritur. Rrugët kombëtare janë të hapura ose rihapen pas çdo stuhie dëbore a rënie orteku. Lëvizja vazhdon me apo pa zinxhirë. Lëvizja e mjeteve, më me vështirësi, vazhdon edhe deri në qendrat e shumicës së komunave malore të bllokuara. Deri aty, ama! Fuqia e shtetit dhe e gjithë arsenalit të tij, civil dhe ushtarak, nuk shkon dot një çap më tutje këto ditë. Aty është pika e takimit pas marshimit nga të dy kahet e kundërta. Pika e shpresës. Njerëz si ne janë ata që po hapin e mbajnë të hapura këto rrugë.

9. Energjia elektrike së shumti nuk mungon. Ndërprerjet, ndonëse të shumta për shkak të stuhive, janë riparuar atu ku ka qenë e mundur. Punonjësit e sistemit elektrik të OST-së, KESH-it a OSSH/CEZ janë në terren dhe angazhim të plotë. Energji po prodhohet nga hidrocentralet e rrethuara nga bora dhe akulli. Njerëz si ne janë ata që i mbajnë në punë. Linjat e tensionit të lartë, të mesëm e të ulët vazhdojnë të transmetojnë energji. Njerëz si ne janë ata, banorë të po atyre zonave, që iu qëndrojnë mbi kokë. Nuk dyshoj se po bëjnë ç’të mundin për të lehtësuar gjendjen e bashkëfshatarëve. Po kështu edhe ata që mirëmbajnë rrjetet e antenave celulare dhe televizive. Komunikimi dhe informimi vazhdon. Media po kryen detyrën.

10. Mjekët dhe infermierët, si ata që janë bllokuar bashkë me njerëzit në fshatra apo aq që arrijnë në pikën e takimit, po kujdesen për të sëmurët. Ideja e tërheqjes së të gjitha grave shtatzëna në muajin e shtatë apo e personave të tjerë me sëmundje që mund të rëndohen ishte e gjetur dhe filloi të zbatohej. Spitalet dhe qendrat shëndetësore në qytetet dhe komunat e zonës janë në gatishmëri e të mirëfurnizuara. Shërbimi ajror shëndetësor ka kryer inkursione evadimi për rastet emergjente sa herë që kjo lejohej nga moti. Njerëz si ne. Po kryejnë detyrën? Dakord! Por në kushte të jashtëzakonshme, ama.

11. Simboli i fuqisë së dukshme të shtetit – ushtria dhe policia – në pararojë. Aty ku fronti i dëborës është më i vështirë. Mjetet më të fuqishme arrijnë në pikën më të thellë të mundshme brenda frontit të dëborës. Kur s’munden nga toka, ndërmarrin inkursione vëzhgimi, shpëtimi a furnizimi nga ajri. Dje një tjetër brigadë ushtarake u nis të dislokohet në Kukës me të gjitha mjetet dhe trupat e stërvitura për emergjencat natyrore. Do të rrinë aty deri në kalimin e situatës.

12. Qeveria po koordinon operacionet me të gjitha strukturat shtetërore dhe qeverisjen vendore. Ajo mobilizoi fonde dhe mjete rezervë. Po lëviz në terren. Po bën edhe propagandë e kundërpropagandë. E tepërt! Opozita e nisi me propagandë me nota panikndjellëse. Keq! Po thotë se do të japë ndihmë dhe ide. Të shohim! Emergjenca natyrore ka nevojë për shtrëngim të sinqertë duarsh dhe shkëmbim idesh të mençura. Ka kohë për propagandë e kundërpropagandë nga pranvera e tutje. Dhjetë ditët e ardhshme do të jenë të vështira. Ndoshta edhe më të vështira, ndërsa mund të shfaqet lodhja. Dhjetë ditë të tjera vendimtare. Duhet t’i kalojmë me minimumin e humbjeve. Të enjten e kaluar deputetët në Kuvend u sollën si zakonisht. Këtë të enjte duhet të sillen si jashtëzakonisht. Për mirë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama