Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kur bën plane Hashim Thaçi

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
Kur bën plane Hashim Thaçi

Sot në Kosovë është në modë që të kesh një plan për diçka. E njeriu më i gozhduar se nuk ka asnjë plan veprimi është Kryeministri Thaçi. Opozita e akuzon atë se nuk ka një plan për Veriun dhe as për vazhdimin e dialogut me Beogradin. Madje Thaçi nuk ka plan as për të përballuar emergjencat e motit dhe krizat që mund të pasojnë. Kritikët thonë se vetë qeveria e tij po punon pa plan dhe Kosova, për rrjedhojë, është në një gjendje të vështirë ekonomike. Të gjitha këto akuza e kritika për mungesë planesh, sigurisht që synojnë goditjen e qeverisë, humbjen e besueshmërisë së saj në zgjedhjet e ardhshme dhe largimin e Hashim Thaçit nga drejtimi i vendit. Por, si mund ta arrijë këtë opozita kur edhe ajo vetë nuk e ka një plan? Edhe për këtë është folur e shkruar shumë kohëve të fundit. Në të kundërt, Kryeministri Thaçi, planin e tij për të mbetur në pushtet edhe pas zgjedhjeve të ardhshme jo vetëm e ka, por ka nisur ta zbatojë. Fillimisht me shmangien e rrezikut më të afërt elektoral.

Me një strategji të kujdesshme, duke e shtuar dozën e tensionit ditë pas dite, Thaçi e zhvendosi luftën politike vetëm ndërmjet dy subjekteve, PDK dhe Vetëvendosje. Nëse deri dje kishte ndonjë dyshim se mes këtyre dy forcave mund të ketë pika të afërta, sot askujt nuk i shkon ndër mend se Hashim Thaçi e Albin Kurti mund të kenë shanse për të bashkëpunuar një ditë. Një lloj origjine e përbashkët e këtyre dy forcave politike është harruar dhe përcaktimet tradhtar e patriot i kanë vendosur aq larg, sa vetëm ndonjë çudi do të mund t’i afronte. Për VV është normal dhe i kuptueshëm qëndrimi i fortë opozitar, kritikat dhe akuzat ndaj qeverisë. Si një parti e re dhe jo më e madhja e opozitës, ajo kërkon të faktorizohet, të jetë në qendër të vëmendjes dhe, për rrjedhojë, të rrisë autoritetin e saj te qytetarët. Ndërsa për PDK, në pamje të parë, duket i palogjikshëm dhe jo proporcional reagimi i ashpër ndaj VV. Një taktikë e arsyeshme do të kish qenë kalimi në heshtje i akuzave të VV, një përgjigje më e moderuar ndaj tyre dhe zhvendosja e debatit politik me LDK, partinë e parë opozitare në vend. Kjo mund të kishte ndodhur vërtet nëse Hashim Thaçi nuk do të kishte një plan më afatgjatë politik.

Duke iu përgjigjur ashpër VV dhe duke e çuar gati në konflikt marrëdhënien me të, lideri i PDK bën ndarjen e qartë në dy kampe dhe shmang një rrezik të parë të mundshëm, atë të rrjedhjes së votave prej partisë së tij drejt formacionit të Albin Kurtit. Problemet që u shfaqën brenda PDK me Fatmir Limajn dhe pjesërisht edhe me Jakup Krasniqin, përbënin një kërcënim potencial që një pjesë e elektoratit në zona të caktuara, për shkak edhe të prejardhjes së afërt politike, ta gjenin veten te Vetëvendosja. Futja në lojën e nocioneve tradhtar e patriot, akuzat e ndërsjella për spiunë e heronj, retorika se kush e veshi apo kush e zhveshi uniformën e UÇK-së, bënë që ndarja mes PDK dhe VV të mos jetë thjesht politike, por më shumë se kaq. Militantët nga të dy krahët vetëm ndizen nga një retorikë e tillë, grupohen fort rreth liderit të tyre dhe tjetrin nuk e shohin thjesht si kundërshtar, por e konsiderojnë gati-gati një armik. Akuzat në Kuvend, përballjet mediatike me sulme të rënda personale, dosja “Kamishi”, protestat dhe qëndrimi ndaj tyre, kanë krijuar një raport të ri PDK-VV të bazuar jo mbi argumentimin politik, por mbi nocionet dashuri- urrejtje. Votuesit e të dyja partive sot po shkojnë drejt urrejtjes (kjo vihet re në rrugë, në media, në rrjetet sociale etj.) dhe kjo i betonizon votat e tyre në secilin kamp.

Kryeministri Thaçi është kujdesur që ndarjen brutale t’ua caktojë disa individëve të veçantë në PDK, ndërsa atë tjetrën, më diplomatike e më të sofistikuar, ta marrë vetë përsipër. Në disa takime të fundit të thirrura prej tij, më sexy në restorante dhe më formale në zyrën e Kryeministrit, Thaçi ka ftuar vetëm liderët e dy partive të tjera opozitare, LDK dhe AAK. Me një gur ai ka tentuar të vrasë dy zogj. Në radhë të parë të ngulë në kokat e votuesve të tij se me VV nuk ka asnjë kompromis, se LDK dhe AAK janë kundërshtarë politikë, por me ta mund të ulesh e të komunikosh, ndërsa ata të VV janë gati armiq e ndarja me ta është përfundimtare. Në radhë të dytë, duke u sjellë në mënyrë selektive me faktorët opozitarë, Thaçi krijon idenë se çdo formulë bashkëpunimi me ta është e mundshme. Ky diversion e çorienton edhe më shumë opozitën dhe elektoratin e saj, duke shtuar dyshimet që nesër secila prej këtyre dy partive e ka një shteg të hapur për të qeverisur me Hashim Thaçin.

E sigurisht që edhe ky efekt është pjesë e planit që ka në kokë lideri i PDK. Ai nuk synon vetëm të mbrojë votat e tij, por të pakësojë edhe ato të kundërshtarit historik, që shpesh ia ka prishur gjumin, LDK. Në rrethanat aktuale politike, kur VV mban flamurin e opozitarizmit, kur ndarja e saj me PDK është më se e qartë dhe kur LDK mbetet pasive, nuk është çudi që elektorati i kësaj të fundit të rrjedhë drejt Lëvizjes së Kurtit, si mundësia e vetme, e sigurt, e shprehjes së pakënaqësisë antiqeveritare.
Një ndarje e tillë e votave në mungesë të një plani të përbashkët opozitar i shkon mjaft për shtat strategjisë që po ndjek Thaçi. Atij do t’i mbetej përsëri në dorë karta e fortë për të zgjedhur partnerin e radhës. Të paktën për këtë ai nuk mund të akuzohet se nuk e ka një plan.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama