Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Dinjiteti i munguar i ish-presidentit

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
Dinjiteti i munguar i ish-presidentit

Ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, nuk po arrin dot të gjejë një mënyrë të respektueshme për t’u faktorizuar përsëri në skenën politike kosovare. Mungesa e dinjitetit politik ka shënjuar karrierën e tij si President dhe vazhdon t’i shoqërojë edhe ditët e tij si ish-president. Mbajtja me çdo kusht e dy posteve atëherë, inferioriteti ndaj liderit të PDK, ulja e kokës përballë nëpërkëmbjes së “Zanzibarit” apo dyshimet për përfitime për shkak të detyrës, vizatuan profilin e Fatmir Sejdiut si një lider pa autoritet e që nuk mundi ta ringjallë LDK. Ndërsa sjellja aktuale e Sejdiut ndaj kryetarit të LDK, akuzat, intervistat dhe së fundi antimitingu në Podujevë ku thirrej emri i tij, lënë shijen e keqe të një politikani provincial dhe jo të një ish-presidenti.

Isa Mustafa është e vërtetë se nuk po jeton ditët e tij më të mira. Ai nuk po arrin të përshpejtojë reformat e premtuara dhe vendimmarrja në LDK është ende peng e gardës së vjetër. Lidershipi i Mustafës nuk po i plotëson pritjet e popullit opozitar dhe është në kontrast të fortë me aktivizimin dhe energjinë e Vetëvendosjes. Me gjithë frymën e lavdërueshme konstruktive, kreu i LDK nuk po mundet gjithsesi të formësojë një qëndrim të qartë dhe të prerë për çështje mjaft delikate, siç ishte dhe rasti së fundi për prezantimin e Kosovës në nismat rajonale me një fusnotë. Isa Mustafa gjendet sot në një pozitë të vështirë. Ai është nën presionin e qeverisë e shpesh edhe të ndërkombëtarëve, nën dyshimin e vazhdueshëm për vendosmërinë e opozitarizmit të tij, nën tensionin që provokojnë ndryshimet brenda LDK dhe së fundi edhe nën akuza për abuzime me fondin e tre përqindëshit. E pikërisht në këtë periudhë, kur Isa Mustafa po ndien lëkundje në shumë anë, paraardhësi i tij gjen rastin për t’i dhënë një tjetër goditje. Fatmir Sejdiu mendon se kështu mund të përshpejtojë rënien e Mustafës dhe t’i hapë rrugë rikthimit të tij në krye të LDK.

Nxitimi i Sejdiut dhe momenti i zgjedhur prej tij ka shumë mundësi të japin efektin e kundërt. Ta paktë janë ata që besojnë vërtet se ish-presidenti shqetësohet për LDK dhe jo për fatin e tij personal. Një lider serioz që largohet me votim të rregullt dhe të qartë kundër tij duhet së paku të respektojë këtë votim dhe të tërhiqet nga çdo ndikim apo presion mbi lidershipin e ri. Isa Mustafa ka të drejtën dhe mandatin e plotë për të provuar mënyrën e vetë të drejtimit dhe për këtë ai ka nevojë për të pasur kohën e tij, ashtu siç e pati edhe Sejdiu. Një lider, e aq më tepër një ish-president, duhet të dëshmojë durim, tolerancë dhe mirëkuptim veçanërisht kur bëhet fjalë për pasuesin e tij. Pikërisht ky nxitim e nxjerr zbuluar Sejdiun dhe zhvlerëson çdo akuzë të tij ndaj lidershipit të Isa Mustafës. Ish-presidenti nuk arriti dot të dalë mbi profilin e politikanit inatçor e provincial, që mezi pret rastin për të goditur atë që i “ka zënë vendin”. Pa argumente, në mënyrë të pandershme, vetëm sepse nuk përballon dot humbjen personale dhe suksesin e dikujt tjetër. Sejdiu mund të kishte zgjedhur të tërhiqej me dinjitet, të priste një kohë pa u përfshirë në politikat ditore, t’i jepte shansin rivalit të tij në parti të provohej në zgjedhjet parlamentare dhe nëse Mustafa do të dështonte, ai do të kishte një mundësi reale të rikthehej në krye të LDK. Mosdurimi i ish-presidentit për të rrëzuar Mustafën vetëm sa ia forcon pozitën këtij të fundit duke i bërë personale dhe të pabesueshme kritikat ndaj tij. Ndërsa momenti i zgjedhur, pikërisht atëherë kur lideri i LDK ka më shumë nevojë për mbështetje, e vendos Sejdiun në pozitë hakmarrëse, agresive dhe rrit simpatinë për atë që i merr këto goditje.

Kontrastin mes dy rivalëve brenda LDK e rriti edhe mënyra me të cilën një grup të rinjsh në Podujevë provokuan para disa ditësh liderin e partisë së tyre të zgjedhur me votim bindës e transparent. Organizuar ose jo nga Sejdiu, fakti që ai nuk u distancua nga një formë e tillë e shëmtuar që nxit konflikt brenda llojit, tregon se ish-presidenti i Kosovës të paktën i miraton ato me heshtjen e tij. Duke shpresuar përsëri në dobësimin e Isa Mustafës dhe zënien e karriges së tij. Një llogari e bërë gabim, sepse përballë agresivitetit të komanduar dhe një individi që përballet qetësisht me të, njerëzit zgjedhin këtë të dytin. Antimitingu i Podujevës nuk dëmtoi kryetarin e LDK, por dëshmoi se sa e pandershme është lufta e brendshme kundër tij.

Duke vënë nën goditje atë që do të duhej ta mbështeste në këto kohë të vështira, Fatmir Sejdiu shfaq përmasat e tij të vogla si politikan. Ai nuk u bë dot i madh as kur posti i tij ishte i tillë dhe nuk habit kënd sot me padurimin për pushtet. Thjesht po e djeg pa e nisur mirë ambicien e tij për t’u rikthyer në krye të LDK. Sepse i mungon një element i rëndësishëm, ai element që e largoi nga Presidenca dhe e rrëzoi nga froni i LDK, dinjiteti politik.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama