Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pse nuk ka ndarje Thaçi-Limaj

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
Pse nuk ka ndarje Thaçi-Limaj

Pas kthesës së befasishme që mori procesi “Kleçka” dhe lirimi nga arresti i shtëpisë i Fatmir Limajt, zërat për një përplasje të mundshme brenda PDK erdhën duke u shtuar. Autoriteti i ardhshëm i Hashim Thaçit u vu në dyshim dhe dyshja Krasniqi- Limaj po shihet si një kërcënim për lidershipin e tij. Reporterët që fiksuan në kamera takimin e kafesë mes kreut të Kuvendit dhe nënkryetarit de jure të PDK, nuk lanë pa përsëritur faktin se Kryeministri ende nuk i ka shtërnguar duart me ish-ministrin e kabinetit të tij. Ftohja tashmë e njohur mes Thaçit e Limajt po vlerësohet si parathënie e një konflikti të ardhshëm në gjirin e PDK. Këtij trilleri politik po u shtohen thashethemet për takime të fshehta, SMS shantazhuese, tentativa për negociata dhe pazare për ndarje pushteti. Raporti Thaçi-Limaj po shihet si vendimtar për fatin elektoral të PDK e, për rrjedhojë, edhe për ndryshime të mundshme të raportit të forcave në skenën politike kosovare.

Në politikën shqiptare në përgjithësi është bërë tashmë traditë që fitorja të llogaritet më shumë në disfatat apo përçarjet e kundërshtarit, sesa tek aftësitë, idetë dhe fuqia vetjake. Rastet janë të shumta kur një parti ka mundur të vijë në pushtet pasi rivali tjetër është dëmtuar nga konfliktet e brendshme. Ka ndodhur në Shqipëri në dy zgjedhjet e fundit parlamentare, ku e majta shkoi e ndarë. Ka ndodhur edhe në Kosovë në nëntor të 2007-s, ku LDK u nda në mes dhe PDK doli partia e parë. Këto janë rastet më tipike, por ka dhe shumë shembuj të tjerë. Edhe sot në Tiranë opozita shpreson në rrjedhjen e votave nga e djathta për të ardhur në pushtet, dhe jo në forcën e saj për të krijuar frymën e ndryshimit. Në Prishtinë situata është e ngjashme: opozita, e cila nuk po arrin të ketë një qëndrim përbashkues, po e sheh si mundësi të artë një konflikt të mundshëm Thaçi-Limaj për të dobësuar PDK. Ndoshta dëshira për ta përjetuar sa më parë diçka të tillë, e që lidhet me largimin e Thaçit nga pushteti, i ka dhënë më shumë gjasa se sa ka në realitet një përplasje mes dy figurave kryesore në PDK. Ajo edhe mund të mos ndodhë.

Ata që vënë bast për një çarje të partisë në pushtet, duhet të mos harrojnë se në situata të tilla delikate, Hashim Thaçi shndërrohet nga lider në një menaxher të shkathët të ndërmarrjes së tij politike. Ndryshe nga rastet e mësipërme që kanë çuar në ndarje të partive të mëdha në Kosovë e Shqipëri, Thaçi ka ruajtur në mënyrë të çuditshme ekuilibrat brenda PDK. Në këtë parti vështirë se mund të ndodhin përjashtime, përleshje me karrige apo ndarje të mëdha. Thaçi është i aftë t’i kënaqë të gjithë, të rinj e të vjetër, profesorë e ish-komandantë, akademikë e injorantë. Filozofia e tij politike nuk është të ndeshet me problemin, por ta shmangë atë. Për këtë është i gatshëm të tërhiqet, të negociojë, të pranojë kushte e të ndajë pushtet aq sa të mos i rrezikohet pushteti i vet. E këtë filozofi nuk e aplikon vetëm për të menaxhuar forcat brenda partisë së tij, por edhe në raportet me aleatët në qeveri, ku ka ndarë portofola pa iu lodhur dora. I këtij profili, ndryshe nga liderët tradicionalë ballkanikë, është edhe sjellja e Kryeministrit me partnerët ndërkombëtarë, ku dëgjueshmëria e tij shpërblehet me mbështetje politike.

Nisur nga kjo logjikë, edhe në marrëdhënien me Fatmir Limajn, Kryeministri Thaçi nuk ka arsye të provokojë një situatë tensioni, por do të kërkojë ta zbusë atë. Sinjalin e parë e dha nëpërmjet Hajredin Kuqit, i cili deklaroi se posti i ministrit në kabinet është gati për Fatmir Limajn kur të dëshirojë ky i fundit. Kreu i PDK është treguar i kujdesshëm që të mos krijojë asnjë situatë keqkuptimi në publik me Limajn dhe të evitojë çdo përplasje personale për ta lënë të hapur shtegun e bashkëpunimit. E, nëse është i vërtetë lajmi për një takim me familjarët e afërt të Limajt, shtegu sa ka nisur të shkelet. Kryeministri Thaçi ka dhënë prova se përballë rrezikut për të humbur pushtetin është i gatshëm ta ndajë atë. Ai është nga ata politikanë që kundërshtarin preferojnë ta shmangin duke i dhënë pushtet, dhe jo duke ia marrë. Prandaj në këtë rast Thaçi nuk ka pse të veprojë ndryshe nga natyra e tij politike.

Me gjithë qëndrimin hijerëndë dhe zemërimin që i lexohet në sy, edhe Fatmir Limaj nuk dihet me siguri nëse dëshiron t’i shkojë deri në fund një konflikti me Hashim Thaçin. Një figurë e fortë politike, Limaj, gjithsesi, ka përpara një të panjohur të madhe nëse do të konkurronte në zgjedhje jashtë PDK. Edhe mbështetja e Jakup Krasniqit nuk është një garanci e mjaftueshme për të provuar diçka të tillë. Një parti apo një grupim i ri që do të krijohej nga çarja e PDK nuk do të ishte fryt i ndonjë ideje apo alternative të re, por thjesht një produkt i pakënaqësive dhe inateve të brendshme.

E këto të fundit janë motive që vështirë se mbledhin vota. Edhe ftohja mes Thaçit e Limajt nuk ka ndonjë bazë parimore mbi mënyrën e drejtimit të partisë, të qeverisjes apo standardeve morale që do ta bënte të paafrueshëm konceptin e tyre politik. Në këto rrethana, gjasat çojnë më shumë drejt një kompromisi, sesa një ndarje përfundimtare mes Thaçit e Limajt. Do të kalojë pak kohë, do të ulen inatet, do të gjenden negociatorët e duhur dhe konfliktit të paralajmëruar do t’i vihet kapak. Kundërshtarëve të PDK do t’u duhet të mendojnë diçka tjetër për ta mundur atë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama