Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Demokracia në (ri)funksionim

Shkruar nga: Artan Hoxha  
Botuar më: 13 vite më parë

Artan Hoxha
Demokracia në (ri)funksionim

1. Më së fundmi, politika hyri në zonën e normalitetit. Ndërsa shenjat u dhanë që në fundin e verës 2011, u desh faza e dytë – një periudhë transitore disamujore – për dobësimin gradual të sjelljes se ashpër konfliktuale dhe ambientimin e aktorëve me qasjen e re. Faza e parë – periudha konfliktuale deri në ekstrem – zgjati rreth dy vite. Më se e kuptueshme që kalimi në normalitet s’mund të ndodhte shpejt. Prej fare pak ditësh po përjetojmë fazën e tretë – atë të normalitetit – e cila duket se me shumë, shumë gjasa, është e pakthyeshme për shkak të kuptimit të kotësisë së konfliktit. Mësimi u përvetësua përmes pësimit.

2. Kur konflikti dha shenjat e para në fillimet e vjeshtës 2009, ndonëse kisha shpresa të pakta, ende mendoja se normaliteti mund të rivendosej me shpejtësi pa i lënë vend konfliktit nëse opozita do të bënte një vlerësim të arsyeshëm të humbjeve e përfitimeve mes normalitetit dhe konfliktit. Ndërsa i analizoja të dy alternativat në shkrimin me titull “Paqja pa luftë apo lufta për paqe”, botuar në nëntor 2009 në gazetën “Shqip”, më rezultonte se normaliteti ishte më i dobishëm edhe për opozitën, edhe për interesin publik.

3. Edi Rama zgjodhi dhe imponoi konfliktin. Llogaritë i dilnin në favor. Sali Berisha iu përgjigj me të njëjtën mënyrë. S’mund të lëshonte pe. Ilir Meta po ashtu. Ngjarjet rrodhën. Tensioni shkoi deri në absurd e vazhdoi gjatë. Në përfundim, konflikti nuk zgjidhi asnjë nga çështjet që shërbyen si kauza dhe pozicioni politik i palëve testuar në maj 2011 mbeti i njëjtë me atë të qershorit 2009. Për më tepër, konflikti bllokoi proceset politike, rriti stresin shoqëror në shtesë të efekteve negative të krizës botërore mbi ekonominë shqiptare dhe ndali integrimin europian të vendit.

4. Në kaq pak kohë rinormalizimi pas konfliktit, demokracia po prodhon të mira publike. Qeveria po u kthehet me më shumë ritëm punëve të përditshme. Debati publik është pasuruar me një mori temash, një pjesë e mirë e të cilave lidhen dhe u përgjigjen interesave reale e të përditshme të njerëzve. Aktorët e vjetër politikë, të mëdhenj a të vegjël, po lëvizin me zhdërvjelltësi në një mjedis më miqësor, por edhe më konkurrues e fluid, ndërsa po shfaqen organizime të reja politike. Grupe të ndryshme shoqërore po marrin kuota më të larta roli e vëmendjeje përmes qëndrimeve publike a nismave kurajoze. Komuniteti i biznesit po tregon aftësitë organizative dhe shprehëse të ideve dhe interesave të veta e po dëgjohet më shumë. Media duket ca si më e çlirët.

5. Me një autoritet të padiskutueshëm dhe fuqi diktuese maksimale, si produkti i vetëm i konfliktit, lideri Rama po drejton aksionin e socialistëve drejt objektivave afatshkurtër politikë në kushte normaliteti, arritja e të cilëve sjell forcim të mëtejshëm të normalitetit dhe anasjelltas. Me sa duket, kontrolli i plotë mbi partinë i ka dhënë qetësinë dhe kjo i jep mundësinë ta drejtojë atë ku dhe si duhet, pa rrjedhje a shthurje të brendshme, ndonëse mjedisi është bërë më konkurrues, më fluid por edhe me më shumë mundësi nëse veprohet me zgjuarsi. Ardhja në pushtet sipas modelit ’97 është lënë pas nga socialistët, të cilët po i referohen tashmë modelit 2005 të rrotacionit paqësor të pushtetit, që erdhi sa për shkak të përçarjes në maxhorancën qeverisëse socialiste të asaj kohe, aq edhe një reflektimi e rinovimi të Partisë Demokratike nën dirigjimin e Sali Berishës.

6. Ndryshimi i modelit referues është një progres në vetvete. Edi Rama po operon, pak a shumë, me të njëjtën metodë të Sali Berishës 2005, pasuruar edhe me eksperiencat pozitive e negative 2009 dhe 2011 e që duket se ndërtohet mbi tri komponentë bazë: i) hedhjen në publik të ideve programore sa më dalluese me maxhorancën, por edhe tërheqëse për publikun e që nxisin debat; ii) zgjerimin e aleancave, të dukshme a të padukshme me çdo faktor të interesuar për rrotacionin e pushtetit, por pa u hapur orekset e tepërta e pa humbur kontrollin; iii) mbajtja e qeverisë nën trysninë e sulmit të propagandës opozitare, por pa rrezikuar mirëkuptimin me maxhorancën për çështje të interesit parësor për vetë opozitën, si dhe pa dhënë më shkas për akuza për destruktivitet opozitar.

7. Idetë programore të socialistëve po marrin pak e nga pak formë e përmbajtje. Linjat bazë të përmbledhura në programin kongresual “Për një Rilindje Shqiptare”, po testohen një e nga një përmes takimeve konsultuese me grupet përkatëse të interesit. Socialistët duket se po zbatojnë pa nxitim një taktikë të dyfishtë. Nga njëra anë po theksojnë tiparet ideologjike e dalluese të tezave bazë të programit e, nga ana tjetër, nuk po nxitojnë në detajimin dhe konkretizimin e tyre qoftë për të shmangur goditjet e qoftë për të mundësuar modifikime oportuniste sipas reagimeve të grupeve të ndryshme të interesit.

8. Maxhoranca qeverisëse po i adaptohet hap pas hapi qasjes së re opozitare. E ndërgjegjshme se konflikti ruante gjendjen në favor të saj, maxhoranca kishte komoditetin që të pranonte paqen opozitare pa lëshuar asgjë më shumë sesa kish premtuar edhe në fazën konfliktuale. E prirë, por jo e sigurt, ta besonte kthesën opozitare si zgjedhja më e arsyeshme, maxhoranca vazhdoi ta testonte herë pas here seriozitetin e qasjes së re opozitare, derisa mori prova se normaliteti ishte i pakthyeshëm.

9. Sali Berisha, të cilit jeta politike 20-vjeçare i ka dhënë mjaft përvojë, modifikoi me shpejtësi taktikat në rrethanat e reja, duke dhënë kompromise për ato çështje e deri aty ku ai vlerëson se fiton po aq a më shumë se ç’humbet, duke i treguar Edi Ramës e kujtdo faktori tjetër vijën e pashkelshme për pak çështje, për të cilat fitorja i duhet dhe/ose mendon se i takon atij dhe demokrateve që udhëheq, apo duke sfiduar me propozime të avancuara kur sheh se kundërshtari heziton si për shembull çështja e imunitetit. Asnjë nga politikanët drejtues shqiptarë nuk arrin të kombinojë pragmatizmin a oportunizmin në përzgjedhjen e opsioneve me qëndresën në përballje dhe luajalitetin në marrëveshje më mirë se Sali Berisha.

10. Në rrethanat e reja të normalitetit, qeveria ka mundësi t’i dedikojë më shumë kohë dhe energji punëve të përditshme dhe propagandimit të rezultateve. Qeveria është hedhur në një aksion frontal e në shumë sektorë me efekte sa të dobishme për interesin publik, aq edhe spektakolare politikisht. Ndonëse me buxhet të shtrënguar, qeveria ndërsa ka rritur ritmin e zbatimit të projekteve në sektorët tradicionale si infrastrukturë, energjetike, arsim, shëndetësi, ka shtrirë aksionin e saj edhe në mjaft fusha e sektorë të tjerë, që nga shërbimet e internetit e deri tek aksioni kombëtar i 20 prillit për pastrimin e plehrave. Si kundërreagim edhe i rrezikut potencial nga opozita socialiste a partia e pritshme e Presidentit Topi, qeveria ndërmori nisma ligjore e praktike në favor të kthimit të pronave apo trajtimit të ish-të përndjekurve politikë. Mjedisi i ri politik më paqësor, por edhe më konkurrues e fluid po gjallëron edhe qelizat më të fjetura qeveritare e maxhoritare.

11. Një risi në aksionin politik të maxhorancës po shfaqet në rolet komplementare të dy drejtuesve të saj. Ndërsa Sali Berisha kombinon aksionin qeveritar me atë politik të demokratëve dhe po u jep formë ideve për fushatën e ardhshme elektorale përmes sloganit “Shqipëria Vend i Zhvilluar”, partneri i tij kryesor Ilir Meta po luan me mjaft rezultat në fushën jashtë qeveritare, larg fërkimeve e retorikës bajate e të përditshme të politikës. Ai deklaroi se nuk i interesonte kthimi në qeveri, se do t’i përkushtohej çështjes së integrimit e do bënte detyrën e tij si deputet i thjeshtë në Komisionin parlamentar të Integrimit, deklarim të cilin po e zbaton çdo ditë. Përmes kësaj qasjeje, ndërsa po forcon partinë e tij, Ilir Meta po rindërton imazhin publik dhe po rifiton autoritetin dhe mbështetjen e faktorëve të ndryshëm, përfshirë e veçanërisht atë ndërkombëtar.

12. Demokracia në (ri)funksionim ka filluar të prodhojë menjëherë të mira publike. Opinioni për Shqipërinë në Washington DC dhe në Bruksel po ndryshon. Marrja e statusit të vendit kandidat duket më e mundshme se kurrë. Besoj se ndaj të njëjtin mendim me shumë shqiptarë të tjerë për dobitë e normalitetit ndaj konfliktit, “paqes” ndaj “luftës”. Jo se do ndodhë ndonjë mrekulli. Mjafton që demokracia, ky sistem aspak i përkryer por më i miri që njohim, të lihet të bëjë të vetën. Natyrisht nuk pres që të jenë në të njëjtin mendim as “skifterët e politikës” të cilët paqja i bën demode, as ata që “dashurojnë marrëzisht a urrejnë verbërisht” një nga palët politike në fjalë e që paqja i huton dhe as “cinikët buzëhollë”, që mohimin e arritjeve të të tjerëve e kanë cen të lindur pavarësisht luftës a paqes. Edhe nëse nuk e duan, nuk e kuptojnë a nuk e pohojnë, paqja dhe demokracia (ri)funksionale prej saj punon e prodhon edhe për këta tri lloje tipash.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama