Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Prova e panevojshme e forcës

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
Prova e panevojshme e forcës

Ndonëse ngjarja e rrëmbimit dhe poshtërimit të dy policëve shqiptarë nga forcat e xhandarmërisë serbe tronditi opinionin në Kosovë, Kryeministri Thaçi ende nuk ka shprehur një qëndrim të tijin për këtë incident. Ai ka preferuar ta kalojë në heshtje provokimin e rëndë të Beogradit, me sa duket i kapur në pozitë të vështirë pas qëndrimeve të forta që pati mbajtur më parë kundër Serbisë. Edhe deklarata e qeverisë ishte larg ashpërsisë që do të kërkonte një rast i tillë.

Ajo ishte me tone ankuese se Serbia nuk po sillet si fqinj i mirë dhe për këtë kërkonte nga bashkësia ndërkombëtare që të ndikonte te Beogradi zyrtar “për t’i ndalur këto veprime arbitrare dhe të kundërligjshme”. Ky qëndrim i përmbajtur i qeverisë dhe heshtja e Kryeministrit e kanë një shpjegim. Ai nuk lidhet aq me kujdesin për të mos rënë pre e provokimeve të Serbisë, sesa me kapjen të papërgatitur të autoriteteve kosovare dhe me pamundësinë e tyre reale për të bërë diçka më shumë se kaq. Qytetarët kanë pritur me siguri një reagim më të fortë jo vetëm për shkak të simbolikës ofenduese që shfaqi shtrirja në tokë e dy policëve, por edhe sepse kohëve të fundit retorika dhe veprimet e Kryeministrit kanë qenë të linjës së ashpër në raport me Beogradin.

Të gjithë janë të ndërgjegjshëm për mundësitë e kufizuara që ka Kosova për t’iu përgjigjur me të njëjtën monedhë veprimeve të Serbisë. Ajo nuk ka forcën e saj të armatosur, kufiri kontrollohet nga KFOR-i dhe çdo akt në raport me Beogradin duhet të jetë në sinkron me partnerët ndërkombëtarë, të monitorohet dhe të miratohet prej tyre.

Prishtina zyrtare ka zgjedhur gjithnjë të bëjë hapa të matur dhe ka pranuar të ecë përpara sipas një strategjie të fuqive të mëdha, që ka synim njohjen e plotë të shtetësisë së Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit të saj. Në këtë frymë Prishtina ka pranuar të hyjë në dialog me Beogradin, të nënshkruajë marrëveshje me të, të mos ndërmarrë veprime të njëanshme në Veri dhe të fitojë pikë aty ku ka mundësi reale për t’i fituar, te toleranca dhe politika e moderuar. Këto të fundit kanë nxjerrë në pah kontrastin me Beogradin zyrtar që vazhdon të mbajë dhe të nxisë strukturat paralele, të mos zbatojë marrëveshjet e arritura në Bruksel, ta arrestojë pa shkak qytetarët e Kosovës që kalojnë në pikat kufitare dhe të kryejë akte force si ky i fundit, që risjellin në kujtesë skenat e terrorizmit millosheviçian.

Mirëpo së fundi, kryesisht pas marrëveshjes së arritur me Serbinë për pjesëmarrjen e Kosovës në nismat rajonale me një fusnotë, diçka duket se ka ndryshuar në sjelljet e qeverisë dhe Kryeministrit të Kosovës. Të ndikuar nga ndjeshmëria që kompromisi për fusnotën shkaktoi te qytetarët dhe të kompleksuar nga qëndrimet e opozitës, Kryeministri dhe qeveria nxituan të manifestojnë edhe ata “akte patriotike”. Si asnjëherë më parë Kryeministri u shfaq i vendosur dhe me një gjuhë të prerë paralajmëroi se do të shfrytëzojë të gjithë autoritetin kushtetues e ligjor për të penguar me çdo çmim zgjedhjet lokale e të përgjithshme serbe në territorin e Kosovës, që ai i vlerësoi si agresion të Serbisë.

Katër policë të Serbisë dhe katër serbë të tjerë u arrestuan me material zgjedhor dhe u shfaqën me pranga në duar derisa përcilleshin për në gjykatë, si shenjë e forcës së shtetit të Kosovës. Kryeministri i Kosovës shkoi edhe më larg kur në formën e një paralajmërimi në lidhje me Veriun, tha se ndryshimi i kufijve do t’i çonte shqiptarët drejt një shteti të vetëm. Por kulmin Thaçi e arriti në një intervistë në RTK, ku do të deklaronte: “Qeveria e Kosovës e di ku është Molla e Kuqe, por le të marrë vendim Parlamenti i Kosovës. Çdo vendim që merr Parlamenti, qeveria është e gatshme”. Nënteksti për t’iu referuar pretendimeve territoriale që shkojnë deri përtej Nishit, ishte një demonstrim i panevojshëm patriotik i forcës, në thelb i pamundur dhe i bërë për efekte të politikës së brendshme.

Çfarë mund të thotë tani Kryeministri që nuk shkuam tek Molla e Kuqe, por erdhi xhandarmëria serbe te “mollët” tona dhe i mori peng ata që paguhen për t’i ruajtur ato? Çfarë mund të thotë qeveria pas arrestimit të kryesindikalistit dhe keqtrajtimit që u bëhet qindra qytetarëve shqiptarë që duan të kalojnë nëpër Serbi sipas marrëveshjes së arritur në Bruksel? Prandaj Kryeministri ka heshtur këto ditë dhe ka bërë një zgjedhje të mirë. Retorika e ashpër dhe veprimet për efekte të politikës së brendshme nuk janë modeli që i duhet Kosovës. Nëse ato i praktikon Beogradi, le t’i lëmë që ashtu siç thotë Shkëlzen Maliqi, të kthehen në bumerang për të.

Qeveria ka kritikuar ashpër qasjen e Vetëvendosjes për ndërhyrje të vendosur të autoriteteve në Veri të vendit, pikërisht për të mos provokuar politika tensioni e konflikti, po për të gjetur zgjidhje në akord me partnerët ndërkombëtarë. Për këtë dhe për shumë arsye të tjera, qeverisë së Kosovës nuk i shkon roli i të fortit. Nuk ka mundësi objektive ta bëjë dhe çdo tentativë e pamatur vetëm e dëmton atë. Sado ta ashpërsojë gjuhën, qeveria e Kosovës nuk i largon dot barrikadat dhe strukturat paralele nga ajo pjesë problematike e territorit të saj; pavarësisht paralajmërimeve të Kryeministrit, nëse nuk do të kishte mbështetje ndërkombëtare, zgjedhjet serbe nuk do të ndaleshin dot, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë; dhe, me gjithë dëshirën për të demonstruar muskujt, kufizimet objektive nuk lejojnë të bëhen show. Tentativat e kundërta vetëm sa prekin emocionalisht qytetarët dhe më pas i zhgënjejnë ata kur i përballin me realitetin.

Qeveria dhe Kryeministri i Kosovës, sigurisht, nuk mund të rrinë duarkryq përballë provokimeve të Serbisë, por reagimi duhet të jetë i llogaritur mirë, dhe jo nën ndikimin e politikës ditore. Politika e moderuar ka qenë strategjia më efikase e Prishtinës në raport me Beogradin. Këtij realiteti, me sa duket, po i kthehen përsëri edhe Kryeministri me heshtjen e tij, edhe qeveria me deklaratën e fundit.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama