Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Media e lirë në Shqipëri? Është një gjë e pamundur

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 13 vite më parë

Mustafa Nano
Media e lirë në Shqipëri? Është një gjë e pamundur

Freedom House është një organizatë që është e dhënë pas çështjeve të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të lirisë së shtypit. Në këta lëmenj nuk ka një organizatë tjetër më serioze e më autoritare sesa kjo, e prandaj nota pakaluese që ata i dhanë lirisë së shtypit në Shqipëri në raportin e fundit, edhe pse s’ka ndonjë rëndësi për ne punëtorët e mass-media-s, ka rëndësi për qeverinë vetë. Së pari, është një raport që hyn në rekordet e këqija të kësaj qeverie, e së dyti, është një raport që mund të kushtëzojë qëndrime të agjencive e qeverive të ndryshme ndaj qeverisë së Shqipërisë.

Lajmi, ashtu si të gjitha vlerësimet që të huajt kanë për ne, pati jehonë në shtypin shqiptar. Në fakt, asnjë prej nesh nuk e njeh metodologjinë, me të cilën punojnë njerëzit e organizatës Freedom House, apo kriteret, mbi bazën e të cilave ata ngrenë kritikat, denoncimet e vlerësimet e tyre. Çfarë kanë vënë re ata? Si është e mundur vallë që nuk janë gënjyer nga dinamika e shtypit shqiptar, nga numri i titujve të gazetave, nga zhvillimi teknologjik në botën e televizionit, nga tregu mediatik që është shumë vibrant etj, etj? Personalisht, mendoj se duhet të jenë konsultuar me njohës të mirë të problemeve të shtypit shqiptar, dhe është pikërisht falë këtyre konsultave që ata kanë mundur t’i hyjnë thellë çështjes për të arritur në përfundimin se liria e shtypit në Shqipëri është më keq se një vit më parë.

Edhe në Shqipëri janë të shumtë ata që s’e kanë për gjë të vënë re indikatorë që flasin për lirinë e medias në Shqipëri, mes të cilëve (indikatorëve) bie në sy fakti që së pari qeveria nuk padit e nuk përndjek gazetarë, dhe që së dyti kush ka një gjë për ta thënë s’heq shumë për të gjetur një foltore. E para është e vërtetë, por nuk është se ka inkurajuar lirinë e gazetarëve; përkundrazi, ka inkurajuar papërgjegjshmërinë e qeveritarëve, të cilët çdo scoop e kritikë gazetareske e kanë për kollaj ta shesin si një abuzim të gazetarëve me lirinë, e jo si një denoncim që meriton përgjigje nga ana e tyre.

Unë personalisht do doja fjala vjen, që Kryeministri ose t’më padiste kur denoncoj aferat korruptive të tijat, të të birit etj., ose t’më jepte përgjigje për këto denoncime, mirëpo ai s’bën asnjërën prej këtyre. Ai hesht, dhe kështu, rezultati është: 1. Unë nuk paditem; 2. Unë nuk marr përgjigje e 3. Djali i Kryeministrit vijon të bëjë punë të ndyra me Damir Fazlliçin.

Shkurt, vendimi për t’mos paditur asnjë gazetar për shkak të profesionit ka bërë që gazetarët të shihen të gjithë njësoj, që fjala e tyre të zhvleftësohet, e që njerëzit me pushtet t’mos e vënë ujin në zjarr për atë që thuhet në shtyp e në media. Të gjitha këto nuk kanë lidhje me lirinë e medias.

E dyta (‘kush ka gjëra për të thënë nuk heq shumë për të gjetur një foltore’) nuk është gjithmonë e vërtetë. Fjala vjen, Frrok Çupin që mbron me zjarr qeverinë, e sheh në çdo ekran, ndërsa Mero Bazen që kritikon po me zjarr qeverinë nuk e sheh dot në asnjë ekran. Por edhe sikur të ish krejt i vërtetë ky pretendim, do ishte budallaqe ta lidhje me lirinë e shprehjes e të shtypit.

Liria e shtypit ka të bëjë më së pari me një kontekst të tërë socio-politik, që të lejon të jesh i lirë. Dhe ky kontekst nuk ekziston në Shqipëri. Ne të gjithë jemi të lirë të themi ndonjë gjë, por nuk jemi të lirë t’i themi të gjitha gjërat që do donim të thoshim. Ku e kam fjalën? Asnjë gazetë e asnjë gazetar nuk ka marrë mundimin, apo kurajën, të fotografojë një e për një të gjitha vilat, apartamentet e shtëpitë e ministrave, zv.ministrave, drejtorëve të drejtorive, gjyqtarëve, prokurorëve, policëve, doganierëve, madje dhe vetë gazetarëve që shesin dëngla morale kundër korrupsionit, e të kërkojë shpjegime për këto pasuri që nuk justifikohen me të ardhurat e tyre legale.

Pakkush do guxonte të shkruante për lidhjet e politikanëve shqiptarë me lloj-lloj banditësh, të cilët janë pasuruar në saj të këtyre lidhjeve, e në këmbim kanë dhënë kontributin e tyre, ashtu si dinë ta japin ata, në betejat elektorale. Është rrezik i madh të flasësh për këto gjëra. E prandaj konteksti socio-politik, që në rastin tonë është krejt i mafioz-izuar, është më i pari indikator që duhet marrë në konsideratë, kur vjen puna të japësh një gjykim mbi lirinë e media-s. E prandaj nuk mund të ketë liri të shtypit në Shqipëri. Gazetarët që nuk paditen e nuk dënohen nuk janë domosdoshmërisht të lirë. Janë dy gjendje që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën.

Indikatori i dytë më i rëndësishëm është tipologjia e padronëve të gazetave e të televizioneve. Të gjithë e dimë se kush janë ata, si i kanë vënë e si i vënë paratë, çfarë lidhjesh e miqësish kanë me politikanë e me njerëz me pushtet, çfarë interesash mbrojnë me mediat që kanë, dhe në këto rrethana vetëm një idiot mund të flasë për mass-media të lirë në Shqipëri. Ne nuk kemi media të lirë.

Ne kemi pronarë të lirë mediash; të lirë për t’u bërë me cilin duan ata, e të lirë për t’ia dredhur në rastin më të parë që interesat u sugjerojnë aleanca të tjera. Dhe një media e tillë nuk mund të ketë në fokus shqetësimet reale të vendit; përkundrazi, do ketë në fokus gjithë kohën lojërat politike, ambiciet presidenciale, anëtarësimet e reja në parti, ecejaket e takimet e politikanëve në qytete të ndryshme, zdërhalljet e Kryeministrit e të Kryetares së Parlamentit brenda e jashtë vendit etj., etj.

Ka dhe indikatorë të tjerë, për dy të mësipërmit janë, sipas meje, më të rëndësishmit që nuk e lejojnë mass-media-n të jetë e lirë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama