Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Në fillim të gjithë janë burra të mirë

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Baxhaku
Në fillim të gjithë janë burra të mirë

Politikanët në fillim të gjithë janë “burra të mirë”. Të gjithë janë përbetuar për një Shqipëri tjetër, për një Shqipëri europiane, për një tjetër vend në pjesën që na takon poshtë hises sonë të diellit. Të dalë nga errësira e diktaturës ne, shqiptarët, u besuam të ardhmen tonë, kush majtas e kush djathtas, më shumë sipas historive personale e afiniteteve familjare, gjinore e krahinore sesa sipas ideve e programeve. Por besimi, pak nga pak nisi të mpakej. Politikanët në këto 20 vjet krijuan një botë të tyren, një botë që është gjithnjë e më larg shqiptarit të thjeshtë. Ata burrat e mirë idealistë që u shfaqën në fillim tani janë disa zyrtarë të lodhur që bëjnë sikur i hakërrehen njëri-tjetrit, por që kanë nisur t’i ngjajnë njëri-tjetrit po aq sa edhe një burrë e një grua që kanë 20 vjet martesë dhe që natën bëjnë dashurinë e zakonshme rutinore dhe pastaj nga mëngjesi deri në darkë u kthehen zënkave të përditshme bajate.

Këtë të diel u zhvilluan zgjedhjet në Greqi. Ajo që pritej ndodhi: u rrit numri i të zhgënjyerve, i atyre që bëjnë me faj të dyja partitë e mëdha, si Pasokun, ashtu edhe Nea Demokracinë, votat e dy të mëdhenjve të politikës greke shkuan në prag të humnerës. Partitë e vogla, të shpërfillura deri më tani, fituan terren. Por lajmi më i keq për grekët vetë, për ne fqinjët e tyre, dhe për krejt Ballkanin është ringjallja e fashizmit. Agimi i Bardhë ka fituar jo pak, por 7 për qind. Dualizmi klasik që mbretëronte në Athinë që prej kohës së fundit të diktaturës u shkërmoq si një kështjellë prej rëre duke mbjellë kaos e duke ngritur në piedestal ekstremistët të djathtë e të majtë.

Në fillim, në 1974, si përfaqësuesit e familjes Papandreu si ata të Venizellosit ishin burra të mirë. Grekët i besuan fatin e tyre, më pas vijuan të luanin tavëll me nga ndonjë uzaqe përpara dhe të shkonin ndër buzuqe të bindur se tashmë demokracia ishte rikthyer një herë e mirë. Sigurisht që diskutonin me zjarr edhe për politikën, por për ta demokracia ishte bërë një ndeshje futbolli mes Olimpikosit dhe AEG-ut, ku herë fitonte njëra palë dhe herë tjetra. Të kënaqur nga demokracia e brishtë grekët harruan se sa shumë gracka i prisnin, aq të rrezikshme sa që mund ta çonin vendin e tyre, djepin e demokracisë dhe të kulturës perëndimore, në zgrip të asgjësë. Një hata e vërtetë me një fjalë. E gjitha kjo erdhi nga që dy, dhe vetëm dy, të mëdhenjtë, nuk modifikuan veten, nuk e ndanë pushtetin me idetë e reja, me alternativat e më të vegjëlve, madje nuk ndanë as pasurinë. Me kalimin e viteve “burrat e mirë” u bënë pasanikë të dhjamosur. E harruan se si e përse kishin ardhur në pushtet. Panë vetëm menderen e tyre duke e konsideruar Greqinë vetëm si një sahan për t’u përlarë.

E gjithë kjo histori na kujton disi ngritjen e diktaturave fashiste, naziste e komuniste në shekullin XX. Paaftësia e klasave politike të atëhershme, mykja e tyre në diskutime të stërholluara e të shtirura ideologjike, shitja e fjalive pa kuptim si zbulime e programe të mëdha, krijimi i hendekut mes tyre dhe popullit të thjeshtë dhe sidomos krijimi i kastave gjakpirëse rreth pushtetit çuan në marrëzinë më gjakatare që ka njohur historia e njerëzimit. Pra një demokraci e ndarë vetëm mes dy palëve dhe pastaj edhe e hendekosur nga populli mund të jetë një rrezik i madh, i frikshëm.

Të kthehemi te ne. Çfarë mësimesh mund të nxjerrim nga rasti i fqinjit tonë grek? Kemi histori të ndryshme, porse kemi pak a shumë të njëjtin mentalitet politik, kemi të njëjtën indiferencë popullore ndaj çështjeve madhore politike, kemi të njëjtin qëndrim fatalist e gjysmëoriental në pritshmërinë tonë ndaj të mëdhenjve të politikës. Rasti grek na nxori – nëse kemi sy të shohim e veshë të dëgjojmë – të paktën dy mësime.

Më i pari dhe më i rëndësishmi prej të dyve është se kohëzgjatja e tepruar në pushtet është një gjë që të shndërron nga burri i mirë që ishe në fillim në një burrë që vetëm fryhet e mban fjalime, por që është shumë larg idealeve që pat deklaruar këtu e dy dekada më parë. Pushteti është një sëmundje e keqe. Në fillim atë e sheh vetëm si zyrë, si detyrë për t’u kryer sa më mirë, si një fat e përgjegjësi që ta ka dhënë vetë historia, porse me kalimin e kohës ai t’i lëbyr sytë e t’i shurdhon veshët. Rreth teje mblidhen plot e plot njerëz, të gjithë të aftë për të të ndihur. Ti ke vërtet nevojë për njerëz. Një punë e vështirë si drejtimi i pushtetit në një vend të ngatërruar si Shqipëria nuk mund të bëhet asesi vetëm. Pastaj nis të bësh lëshime. Je i detyruar për hir të disa aleancave, miqësive, krushqive, shpërblimeve që të mbash rreth vetes edhe njerëz që dikur as që ua kishe dëgjuar emrin. Kështu hyn në një qerthull pa fund, në një qerthull që edhe nëse ke mbetur “burrë i mirë”, nuk e ke më fatin tënd në dorë. Nuk e sheh që hera-herës bëhesh i mërzitshëm, nis të përsërisësh të njëjtat gjëra dhe nuk ua vë më veshin të vërtetave. Me një fjalë rrezikon që në histori të mos kujtohesh për mirë, por për vitet e fundit. Në histori harrohen shpesh të mirat, gafat dhe gabimet mbahen mend shumë herë më gjatë. Rasti grek na tregoi se cili nga politikanët shqiptarë ka nisur ta ndjejë këtë ndjesi atëherë duhet të gjejë sa më parë një zgjidhje personale për të mirën e tij dhe të vendit. Le t’ia vërë emrin si të dojë, dorëheqje, tërheqje, ripozicionim, periudhë refleksioni, mall për jetën familjare, por ama të gjithë ata që e ndjejnë veten të ngërthyer në grackën e pushtetit të tejzgjatur duhet t’i vënë gishtin kokës përballë përgjegjësive që kanë për vatanin e tyre.

Mësimi i dytë ka të bëjë me kodin shumë të përfolur zgjedhor. Shumë mund, nerva, para, energji janë derdhur në gjithë këto vite për këtë dreq Kodi Zgjedhor. Sa herë që bëhen gati një palë zgjedhje të reja, po aq herë ndryshon ky kod. Fakti që ka ndryshuar kaq herë, duke na çuar sërish po aty ku kemi qenë, tregon se në fakt të gjitha ndryshimet kanë qenë të kota. Ka shumë gjasë që edhe këto të fundit të kenë fatin e të parave. Të gjithë diskutojnë për detaje teknike. Të gjithë kanë frikë se mos ua fusin në momentin e fundit. Të gjithë nuk kanë besim te njëri-tjetri. Harrojmë që mekanizmi i votës mund të bëhet fare mirë me një kod fare të thjeshtë, mjafton që të kesh besim te tjetri dhe te procesi zgjedhor. Dikur ndër malet tona të vetmuara “burrat e dhesë” i zgjidhnin gjërat e rëndësishme – mes të cilave edhe jetën a vdekjen e dikujt – vetëm me një të pohuar me kokë. Ndodhte kështu sepse ata i besonin njëri-tjetrit, e respektonin tjetrin edhe nëse ai mendonte ndryshe. Nëse kjo nuk do të arrihet, atëherë është fare e kotë që të merremi me diskutime të vockla e të pafrytshme që vetëm sa ia hallakasin kokën miletit.

Pastaj ky Kod Zgjedhor, sipas të cilit, partitë pra kryetarët e tyre, caktojnë listën e emrave të cilat do të përfaqësojnë popullin, për një vend si ky i yni, ku roli i individit, i meritave e lidhjeve familjare e personale, i namit të mirë e kështu me radhë është i një rëndësie të madhe, është jo vetëm antidemokratik – sepse në Parlament populli përfaqësohet nga njerëz që nuk i njeh aspak – por edhe thellësisht i padrejtë. Pikërisht ky, i shoqëruar me pragun e ulët të përfaqësimit të partive të ashtuquajtura “të vogla”, vulos sundimin e dypartitizmit të rrezikshëm, i mbyll gojën alternativave të reja, politikanëve ndryshe, tendencave të reja, në fund të fundit nuk garanton vullnetin e vërtetë popullor dhe e ndan politikën nga arsyeja e ekzistencës së saj të vërtetë. Ky kod përndryshe krijon edhe parti-ushtri, ku “ushtarët”, pra deputetët e kanë të lidhur të ardhmen e tyre politike në një masë të madhe me bindjet e kryetarit të partisë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama