Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Keqardhje e kote per fatin e partive te vogla

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 17 vite më parë

Mustafa Nano
Keqardhje e kote per fatin e partive te vogla

"Duhet të bësh kujdes", më tha dikush që ka ndjekur do qëndrime të mijat publike lidhur me debatin mbi sistemin e ri zgjedhor, "pasi po del sikur je kundër partive të vogla". Me këtë ai ishte i bindur se unë, në ngut e sipër, isha vënë krejt pa dashje në mbrojtje të një teze të gabuar e të mbrapshtë, e cila - me siguri, kjo është gracka, ku ka rënë autori i qortimit dashamirës - bie ndesh me gjithë pakënaqësinë e zemërimin tim të derisotshëm ndaj partive të mëdha. Ai, me sa duket, bën në këtë mes një silogjizëm të rremë me dy premisa e një konkluzion: 1. partitë e mëdha s‘kanë lënë gjë të keqe pa bërë, 2. partitë e mëdha po përpiqen t‘u punojnë një rreng partive të vogla, dhe rrjedhimisht 3. duhen marrë në mbrojtje partitë e vogla. Është një grackë, ku - sipas meje - kanë rënë edhe opinionistët, të cilët janë shquar për të njëjtën pakënaqësi e zemërim ndaj partive të mëdha (ndër ta kanë rënë në sy Bashkim Kopliku e Andrea Stefani) e të cilët i shohin përpjekjet për të larguar nga skena partitë e vogla si një shërbim që u bëhet partive të mëdha gjëmëzeza. Kësaj gracke i ka ikur Mentor Kikia, opinionet e të cilëve, në "Shqip"-in e ditëve të shkuara më janë dukur më të ftohtë, më të shtruar e më racionalë.

Janë të gjitha gjasat që PS-ja e PD-ja të jenë motivuar në mënyrë egocentrike në këtë "kryqëzatë" kundër partive të vogla. Nuk më shkon mendja pra, se ato janë të dashuruara pas modelit bi-partiak anglo-sakson, se janë të përgjëruara për thjeshtimin e gjërave në botën politike shqiptare, apo se këtë e bëjnë me synimin për ta bërë sistemin politik më të shëndetshëm e qeverisjen më funksionale e më eficiente. Por nga ana tjetër, me ndonjë përjashtim, nuk mund të thuhet se ato po heqin ndonjë insekt bezdisës nga shpina e tyre. Partitë e vogla nuk kanë qenë në asnjë rrethanë ferra nëpër këmbët e partive të mëdha; përkundrazi, me të ardhur në pushtet si pjesë e koalicioneve fituese, kryetarët e partive të vogla - në kundërshtim me nxitjen që u është bërë nga jashtë partive e në kundërshtim me shpresën që ka ekzistuar në botën jo politike - kanë qenë të bindur e të nënshtruar ndaj kryetarëve të partive të mëdha më keq se sa një militant province. E si shpërblim për këtë sjellje "lepe e peqe" kanë kërkuar e kanë marrë miratimin për t‘u bërë vetë ministra e për të bërë të vetët drejtorë departamentesh, doganierë, policë, etj, etj. Kanë hedhur vickla në ndonjë rast, por këtë nuk e kanë bërë për t‘u vënë fre orekseve e sjelljeve zullumqare të partive të mëdha; e kanë bërë pasi, për një arsye apo për një tjetër (kryesisht për shkak të presioneve klienteliste nga poshtë e nga brenda partive të mëdha), nuk janë lejuar të përfitojnë më tepër se sa duhet në kacafytjet për të ndarë plaçkën-shtet, plaçkën-burokraci, plaçkën-pará publike. Shkurt, partitë e vogla nuk janë fare barrë për partitë e mëdha; janë barrë për të gjithë ne, gjë që mund të shihet te zyrat që mbajnë, tek aparatçikët partiakë që paguajnë, te zhurma e te protagonizmi shterpë mediatik i kryetarëve të tyre, te paratë që përfitojnë prej buxhetit të shtetit, te lidhjet e shkurtra që krijojnë me klientë-sipërmarrës apo klientë-banditë, te fakti që pushtetin, shtetin, administratën publike, paratë publike etj., i shohin, jo si gjëra për t‘u administruar, por si plaçkë për t‘u ndarë.

Sigurisht, LSI - dhe këtu po shpjegoj togfjalëshin e mësipërm ‘me ndonjë përjashtim‘ - është përveç të tjerash një ferrë në këmbët e Partisë Socialiste. Kjo parti, duke qenë më e madhe se sa partitë e tjera të vogla e duke qenë se nuk ka nevojë të sponsorizohet nga të mëdhatë për të ekzistuar, është natyrshëm më arrogante e më pretencioze. Shkurt, është më e vështirë të manage-ohet si aleate prej partive të mëdha. Mirëpo, në vend që kjo rrethanë ta ketë bërë më skrupuloze e më luftarake në mbrojtje të demokracisë, të shtetit të së drejtës, e të ndonjë elementi identitar, e ka bërë në fakt thjesht më oreksmadhe e më mistrece.

I lipset LSI-ja politikës shqiptare? Do t‘i lipsej, madje do të ishte një thesar, nëse kjo parti do të kish lindur si repulsion parimor ndaj praktikave politike të derisotshme e si bartëse e një fryme të re. Mirëpo nuk ka lindur - e nuk është bërë më e madhe se të voglat - me një motivim të tillë. LSI-ja ka lindur për shkak të një shpërthimi e pakënaqësie aspak parimore të Ilir Metës e është bërë më e madhe se të voglat për shkak të një force, këmbënguljeje, natyre work-oholic-e e ambicieje të shpërpjesëtimuar për pushtet të kryetarit të kësaj partie. Në gjithë veprimin e retorikën politike të LSI-së nuk ka asgjë që ta dallojë atë prej dy partive të mëdha e nuk ka asgjë që të premtojë ndryshimin e madh e ndarjen drastike me të shkuarën. Në Ndroq, ku u kandisën 250 socialistë të bëheshin LSI-istë, Ilir Meta kish zgjedhur për të motivuar prozelitizmin kolektiv të ndroqarëve një arsyetim të këtij lloji: ne na bashkon origjina jonë e përbashkët dhe sakrificat tona të përbashkëta për t‘i sjellë socialistët në pushtet. Epo, në këtë rast, t‘i vjen t‘i thuash Ilir Metës: "Ja, edhe ndroqarët u bënë me ty. Po pastaj"?

E di që në këtë mes lind natyrshëm pyetja: E ç‘ndryshim kanë partitë e mëdha nga LSI-ja? E vërteta është që nuk kanë asnjë ndryshim, ashtu siç është e vërtetë që të tria këto parti nuk kanë asnjë ndryshim nga partitë e tjera më të vogla. Dhe është pikërisht për këtë arsye, që partitë e vogla nuk kanë asnjë vlerë e asnjë funksion; ato thjesht shtojnë erën e keqe e kutërbimin në moçalin politik. Partitë e vogla ose duhet të krijohen e të ekzistojnë si një premtim për ndryshim e si bartëse të një fryme, morali e vizioni të ri, ose nuk ka asnjë kuptim të krijohen e të ekzistojnë. Aq më pak ka kuptim të merren në mbrojtje prej tentativave për t‘i zhbërë. Aq më pak akoma ka kuptim të mbrosh partitë e vogla me pretendimin se kështu mbrohet demokracia.

Dua të them, se e kanë të kotë ata që mendojnë se prania e partive të vogla në skenën politike shqiptare shërben për të higjienizuar mjedisin politik të infektuar nga partitë e mëdha apo për të korrektuar trajektore të gabuara qeverisjeje. Ja, shikoni atë që ka ndodhur në këto tre vitet e fundit të qeverisjes, ku Kryeministri ka bërë të gjitha prapësitë që ka dashur e ku kryetarët e partive të vogla nuk kanë dhënë asnjë shenjë bezdie apo nervozizmi. Kështu ka ndodhur edhe me qeverisje të mëparshme. Dua të them gjithashtu se e kanë të kotë ata që pretendojnë se mbrojtja e partive të vogla është mbrojtje e demokracisë, domethënë është mbrojtje e idesë për të lejuar, mundësuar e nxitur përfaqësimin e të gjitha shtresave e grupeve sociale, apo mobilizimin në mbrojtje të vlerave e vizioneve të ndryshme. Partitë e vogla shqiptare, ashtu si dhe ato të mëdhatë, nuk kanë asnjë identitet e asnjë domethënie politike, domethënë nuk kanë asnjë përmasë e mision të mirëfilltë përfaqësues. Në rastin më të mirë, asnjë qeder nuk do të kishim, nëse ato nuk do të ekzistonin.

Për më tepër, askush nuk do të dëshpërohej e nuk do të derdhte lot nëse ato do të fshiheshin nga faqja e dheut, gjë që ndodh në vende të tjera; ndodh, pasi partitë e vogla të vendeve të tjera me demokraci të konsoliduar janë të identifikuara me vlera të caktuara e kanë një trashëgimi të madhe dhjetëravjeçare të mbushura me beteja e me sakrifica në mbrojtje të këtyre vlerave; janë të identifikuara gjithashtu me shtresa të caktuara sociale, anëtarët e të cilave kanë me partitë e me udhëheqësit, jo një marrëdhënie klienteliste, por një marrëdhënie krejt tjetër, të bazuar te vizioni i përbashkët për gjërat e për botën.

E megjithatë, në emër të thjeshtimit të sistemit politik e të rritjes së efektivitetit të mazhorancave qeverisëse, në një numër vendesh po tentohet të bëhet e njëjta gjë. Aty ku është e pamundur të bëhet zhbërja e partive të vogla (trashëgimia e roli i një pjese sosh në histori është shumë imponues), synohet të bëhet ose reduktimi i fuqisë elektorale të këtyre partive, ose reduktimi - shpesh i padrejtë - i peshës së tyre parlamentare. Kjo bëhet nëpërmjet sistemeve zgjedhore, të cilat synojnë t‘u japin partive të mëdha apo partive fituese një peshë parlamentare më të madhe se sa pesha elektorale (mekanizmi i njohur me termin majority premium). E bëjnë këtë me synimin për të garantuar një qeverisje më të qëndrueshme e kjo afërmendsh nuk mund të thirret me emrin përbuzës Dushk, gjë që e bëjnë partizanët e këtushëm të njëjtësimit të peshës elektorale me peshën parlamentare. Edhe sistemi zgjedhor në Britaninë e Madhe (i cili është nga më të qëmotshmit e më të qëndrueshmit), nuk e ka pasur merak këtë njëjtësim; përkundrazi, sistemi i tyre mazhoritar me një raund (thënë ndryshe plurality, ose first past the post) ka një natyrë të qartë disproporcionale. Është aq e fortë kjo natyrë disproporcionale, sa ka qëlluar më shumë se njëherë që partia me mbështetje më të vogël elektorale të ketë pasur shumicën në Parlament (Në vitin 1974 laburistët erdhën në pushtet, ndonëse patën një mbështetje elektorale më të vogël se sa konservatorët. Në vitin 1951 ndodhi e kundërta). Po e njëjta gjë ndodh me sistemet zgjedhore franceze, gjermane, spanjolle, italiane, që në mënyra të ndryshme favorizojnë partitë e mëdha e penalizojnë të voglat (Në Francë pragu elektoral është 12,5%).

Sa më sipër, vlen për të hedhur poshtë zërat që kërkojnë se s‘bën përputhjen midis peshës elektorale e asaj parlamentare. Nuk është e thënë pra e nuk kemi të bëjmë me Dushk. Shqetësimi i Dushkut tonë nuk ka të bëjë me fabrikimin e mazhorancave e me fryrjen e partive të mëdha (kjo, siç u pa, ndodh edhe gjetkë në funksion të krijimit të një mazhorance e në funksion të stabilitetit të një qeverisjeje); shqetësimi i Dushkut tonë ka të bëjë me fryrjen e me fabrikimin e partive të vogla (kjo nuk ndodh në asnjë vend).

Veç një nënvizim i bërë nga mbrojtësit e partive të vogla duket me vend: varianti spanjoll i sistemit zgjedhor me një numër të madh rajonesh (mbi 10), jo vetëm penalizon partitë e vogla që veprojnë sot për sot në terren, por nuk lejon në të ardhshmen lindjen e ekzistencën e partive të reja të vogla, të cilat, krejt ndryshe nga partitë ekzistuese, mund të shfaqen me një motivim të ri idealist, vizionar e perëndimor. Për këtë arsye, do të ishte e udhës që varianti spanjoll të aplikohej në sa më pak rajone (jo më shumë se 6). Në mos, të kthehemi te ligji proporcional kombëtar me prag elektoral të lartë (4-5%). Me lista të mbyllura, sigurisht.


Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama