Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Fantazma e Ballkanit

Shkruar nga: Shaban Gosalci  
Botuar më: 13 vite më parë

Shaban Gosalci
Fantazma e Ballkanit

Fantazma e Ballkanit në mënyrë simbolike lidhet me atë se çfarë ka përfaqësuar tradicionalisht kjo zonë gjeografike e kulturore. Ballkani është konsideruar gjithnjë si vendburim i “të gjitha të këqijave” të Europës, shkaku kryesor i Luftës së Parë Botërore, atdheu i popujve jo liridashës, i njerëzve me tipare të dhunës, me mungesa të theksuara të kulturës demokratike dhe të ndërtimit të shtetit sipas parimeve më të avancuara liberale.

Ndryshe, kjo zonë në aspektin gjeopolitik përfaqëson arenën mes dy botëve të ndryshme. Sipas terminologjisë së Luftës së Ftohtë, Ballkani është “Bota” mes Lindjes dhe Perëndimit, e cila strategjikisht shtrihet në nyjen kryesore të komunikacionit/komunikimit mes Europës Perëndimore dhe Euro-Azisë. Ndërkaq, ky vend “në vetvete ishte një zonë me kulturë të ndërmjetme midis Evropës edhe Azisë, prandaj nuk i përket plotësisht (kulturalisht) Evropës”, thotë Mark Mazover, studiues serioz i historisë së Ballkanit.

1. Ballkani është arenë komplekse e përplasjes së interesave të ndryshme gjeopolitike, ekonomike, kulturore e gjeostrategjike, aty ku takohen Krishterimi (Katolik e Ortodoks) me Islamin, aty ku përplaseshin komunizmi e kapitalizmi, aty ku bashkëjetojnë popuj “tradicionalisht” armiqësorë ndaj njëri-tjetrit, të cilët kanë qenë shkak kryesor për disa prej ngjarjeve më të rënda në historinë e njerëzimit, aq sa dukurive negative, çintegruese e të dhunshme në rrafshin politik e jo vetëm i janë  referuar me termin “ballkanizëm”. Ky term gjeti aplikim sidomos kur ndodhën dy luftëra (në Ballkan) në më pak se një vit, midis tetorit 1912 dhe gushtit 1913, në kohën kur Evropa ishte futur në një “epokë të ndritur” dhe kur i kishte tejkaluar krizat e veta.

Në këtë vit, kur po futemi në 100 vjetorin e luftërave Ballkanike, është e rëndësishme të analizohet rruga që është përshkruar në këtë shekull (ballkanik?) dhe të sigurohemi që diçka e tillë të mos përsëritet më. Studiues seriozë të Ballkanit konsiderojnë se ndër arsyet kryesore të luftërave në Ballkan është problemi i “mungesës së pjekurisë” nga ana e kombeve të sapokrijuara ballkanike, prirja e tyre për të zgjedhur forcën para diplomacisë, ekonomitë e tyre të dobëta e jo konkurruese, problemet me pakicat kombëtare, marrëdhëniet klienteliste me Fuqitë e Mëdha dhe tendencat për rritje territoresh në dëm të fqinjëve. Padyshim që lista e arsyeve mund të jetë shumë më e gjatë, por janë këto të sipërpërmendurat që kanë luajtur rolin kryesor në përcaktimin e rrjedhave historike të Ballkanit para një shekulli, e që po vazhdojnë edhe sot në përmasa tjera. Popujt e Ballkanit, ndër ta serbët, gjatë  dy dekadave të fundit kanë qenë në luftë me shumicën e popujve tjerë (sllovenët, kroatët, boshnjakët dhe shqiptarët). Gadishulli ka përjetuar konflikte ciklike gjatë gjithë shekullit dhe ka qenë objekt e subjekt lufte në dy Luftërat Botërore.

Edhe më vonë, në mënyrë të ngjashme si në 1912-13, është preferuar forca e konflikti i armatosur para diplomacisë. Ekonomitë, përveç faktit që janë integruar brenda një tregu më të madh që shtrihet nga Deti i Zi në Detin Adriatik, nuk kanë shënuar ndonjë përmirësim të dukshëm, përderisa komplet kjo zonë varet nga donacionet dhe investimet e jashtme, të cilat kanë filluar të reduktohen sidomos tani në kohën e një krize të madhe ekonomike që ka përfshirë Evropën dhe mbarë botën. Politika e jashtme e shumicës së vendeve të Ballkanit vazhdon të jetë “politikë klienteliste” ndaj  Fuqive të Mëdha, gjë që e shton garën mes  këtyre shteteve të fuqishme për të arritur shtrirje sa më të madhe të ndikimit në rajon. Në këtë aspekt nuk duhet harruar puna e mirë, që është bërë me integrimin e disa shteteve të Ballkanit në BE, NATO, Këshillin e Europës, OSBE etj.

Ndërhyrjet e Bashkimit Europian dhe SHBA-ve kanë qenë në funksion të integrimit, demokracisë dhe zhvillimit të këtij rajoni, por paralelisht janë rritur edhe ndërhyrjet e Rusisë. Madje, edhe Turqia së fundi po përpiqet të rikthejë ndikimin në këto ish-territore të Perandorisë Osmane në Ballkan. Për Rusinë e Turqinë nuk mund të themi se veprojnë për arsye të ngjashme me ato vende që janë një simbol i demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut, siç janë Shtetet e Bashkuara apo Bashkimi Europian.

2. Kriza financiare e stërzgjatur e BE-së dhe orientimet e reja strategjike të SHBA-së kanë bërë, që në Ballkan të ndihet një lloj zbehjeje e ndikimit dhe pranisë së energjive perëndimore. Kjo vjen paralelisht me një rritje të vazhdueshme të prezencës, fillimisht kulturore e pastaj edhe ekonomike, të Turqisë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe Bosnje, si dhe të Rusisë në Serbi e diçka më pak në Malin e Zi.  Aktualisht ekziston një klimë politike jo shumë e favorshme në Ballkan. Kriza ekonomike, që më së forti ka goditur Greqinë, ka bërë që kjo e fundit të humbë rolin mbizotërues në Ballkan dhe brenda saj të rritet ndikimi i forcave politike me orientime ekstreme (naziste e komuniste).

Të dyja këto grupime janë skeptike ndaj BE-së, ndërsa kësaj i duhet shtuar edhe racizmi i hapur dhe i dhunshëm i nazistëve ndaj komuniteteve jo greke. Në Serbi gjithashtu është rritur ndikimi i nacionalistëve, ose “konservatorëve” siç i sheh Perëndimi, e që në fakt sa i përket raporteve me fqinjët (sidomos shqiptarët), nuk shfaqin asnjë dallim nga forcat e ashtuquajtura të “moderuara” e “properëndimore”. Situata më e keqe shfaqet në Maqedoni, ku mosnjohja e emrit dhe bllokimi i procesit të integrimit Euro-Atlantik ka bërë, që vendi të vetizolohet, duke sjellë për rrjedhojë shtimin e fërkimeve etnike, të cilat duhet thënë se më shumë i leverdisin fqinjëve sesa vetë sllavo-maqedonasve.

Nuk duhet harruar se ka qenë pikërisht “çështja maqedonase”, e cila ndezi fitilin e Luftës së Dytë Ballkanike. Edhe në ditët e sotme, për të hequr vëmendjen nga Serbia dhe problemi i saj me Kosovën, për t’i fashitur Greqisë problemet ekonomike apo për të shmangur përfshirjen e Bullgarisë e Shqipërisë në një valle konfliktuale, problemi maqedonas mund të shndërrohet në zanafillën e një serie zhvillimesh të dhunshme në Ballkan. Për këto arsye është shumë e nevojshme prezenca ushtarake e SHBA-ve në Ballkan për të siguruar paqen, si dhe prezenca e BE-së për të ushqyer me shpresë procesin e integrimit europian. Kombinimi i fuqisë amerikane me “soft power-in” europian është modeli më i mirë për të garantuar rendin në botë, siç thotë edhe Robert Kagan. Një konflikt i ri në Ballkan nuk do t’i leverdiste askujt, sepse ajo vetëm sa do ta kthente prapa në kohë gjithë këtë zonë dhe do të zhbënte gjithçka të arritur pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Qershia mbi këtë tortë, që mban era barut, është edhe fitorja në tavolinë e Vladimir Putinit në Rusi.

3. Në gjithë këtë vorbull, shqiptarët duhet të reagojnë me maturi sa i përket zhvillimeve në Maqedoni. Ata nuk duhet kurrsesi të etiketohen si nxitës të konfliktit. Madje, problemet e tyre me pushtetin sllavo-maqedonas duhen zgjidhur nëpërmjet unifikimit të faktorit shqiptar dhe një koordinimi më të mirë me politikën në Shqipëri dhe Kosovë, në mënyrë që kauza e tyre nuk të mos përzihet me identitetin fetar. Shqipëria më shumë sesa t’i përdorë politikisht e në funksion të paternalizmit, duhet të kujdeset që shqiptarët  t’i realizojnë aspiratat e tyre kombëtare në vendet ku jetojnë, meqenëse këtë e ka edhe një detyrim që buron nga vetë Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Kosova, që të tejkalojë problemet me njohjet në arenën ndërkombëtare, duhet të bëhet shtet funksional dhe të kujdeset më fort për imazhin e saj, duke kuptuar se “politika e jashtme më e mirë është në fakt politika e mirë e brendshme”.

4. Qeveritë e papërgjegjshme janë më të prirura për të provokuar konflikte e luftëra. E para, sepse përmes kësaj metode e largojnë vëmendjen nga problemet e brendshme. E dyta, sepse mendohet që një fitore në konflikt mund të rrisë jetëgjatësinë e pushtetit të tyre. Të këtilla qeveri në Ballkan ka me bollëk. Me mendjen tek e kaluara e hidhur e Ballkanit dhe me sytë nga sjellja e këtyre qeverive, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian duhet ta rrisin patjetër vigjilencën, për të mos lejuar rishfaqjen e frikshme të “Fantazmës së Ballkanit” në prag të  100-vjetorit të Luftërave Ballkanike.

* kandidat për MSc në Marrëdhënie Ndërkombëtare, Universiteti i Tiranës

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama