Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Nga Saharaja në Shqipëri

Shkruar nga: Edmond Tupja  
Botuar më: 13 vite më parë

Edmond Tupja
Nga Saharaja në Shqipëri

Prej disa vitesh, një gazmore franceze qarkullon nëpër mjediset frankofone edhe te ne. Një gazmore me njëfarë hidhësie brenda. Le të më lejojë lexuesi i vëmendshëm e zemërgjerë i rubrikës sime të së dielës që ta rrëfej përmbledhtas: Një zezak nga një vend i Afrikës subsahariane vendosi të dilte buzë detit Mesdhe për të gjetur mundësinë e vajtjes, si klandestin, s’do mend, në njërin prej vendeve të Bashkimit Europian. Tek përshkonte shkretëtirën e Saharasë, herë me deve e herë në këmbë, ditën nën diellin përvëlues, natën duke u dridhur nga të ftohtit, vetëm dy fjali përsëriste pa reshtur i gjori: “O Zot, ndihmomë! Ndihmomë, o Zot!”.

Pas tri ditësh e tri netësh privimesh e vuajtjesh të papërshkrueshme, befas, vendi rreth e përqark tij llamburiti nga një dritë e paparë ndonjëherë dhe zezaku ynë dëgjoi një zë kumbues të madhërishëm që iu duk sikur vinte nga pafundësia e qiellit: “Ja ku më ke! Çfarë do?”. Zezaku e humbi toruan: hodhi një vështrim të shpejtë rreth e rrotull, por nuk pa këmbë njeriu! “Po kush je ti?” – pyeti me zë të mekur. “Jam Zoti, pra. Ç’do prej meje? Fol, do të të plotësoj vetëm tri dëshira!”. Zezaku, të cilit i ishte tharë buza dhe zhuritur shpirti për një pikë ujë, u përgjigj aty për aty: “Ujë, ujë, po vdes për ujë!”. Zoti: “Thuaj edhe dëshirën e dytë!”. Zezaku, djalë i ri, por ende i virgjër, pa e zgjatur, tha: “Femra, femra plot!”. Zoti: “Dëshira e tretë!”. Zezaku, pasi ngurroi disi, tha: “Dua të jem i bardhë, i bardhë”. (Me siguri, kishte dëgjuar që në vendet e Bashkimit Europian ende kishte shfaqje të diskriminimit racor). Pllakosi heshtja për disa çaste dhe Zoti ia plotësoi të tria dëshirat: e shndërroi zezakun në bidé!

E tregova këtë gazmore paksa të hidhur sepse kohët e fundit fare, këtu, mes nesh, në Tiranë, veçse jo në mjediset frankofone, po qarkullon një variant i ri, i aktualizuar i saj. Thuhet se bideja në fjalë – ç’është e vërteta tejet luksoze –, nuk dihet se në ç’mënyrë, përfundoi në duart e një karvanari devesh, i cili ia shiti një tjetër karvanari po devesh, dhe ky ia shiti një tregtari, i cili tregtar ia shiti një zyrtari të vogël në një vend afrikan mesdhetar, i cili zyrtar i vogël ia bëri dhuratë eprorit të tij që ta merrte me të mirë dhe, kësisoj, dora-dorës, kjo bidé e çmuar përfundoi në Shqipëri, pikërisht në Vlorë dhe, që andej, në Vorë, pastaj që këtej, nja njëzet kilometra më tutje, d.m.th. në kryeqytetin tonë mikpritës, nga ku – përsëri nuk dihet me saktësi se në ç’mënyrë, bideja e mbajti vrapin dhe frymën përfundimisht në Presidencën e Republikës sonë të nderuar që po përpëlitet ndershmërisht për të gjetur një President konsensual.

Dy më rezultojnë të jenë, logjikisht, hamendësimet lidhur me zezakun e shkretë, të cilit Zoti pandehu se ia plotësoi më së miri të tria dëshirat: së pari, zezaku, qoftë edhe në formën e një bideje luksoze, nuk ia doli të vendosej atje ku dëshironte, pra në njërin prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian; ai përfundoi (për sa kohë?) në Shqipërinë tonë, që po lufton për të fituar statusin e vendit kandidat për anëtarësim me të drejta të plota në këtë Bashkim; së dyti, duhet pranuar botërisht se dëshirën e dytë Zoti ia plotësoi atij vetëm pjesërisht, meqenëse, në zyrat e Presidencës së Shqipërisë ka edhe meshkuj, pra, njëfarë gjase është që bidenë në fjalë ta përdorin edhe zotërinjtë e interesuar, sidomos tani që fillon vapa, në veçanti ndonjëri që nuk fshihet me letër higjienike, por lahet me ujë (për shkak majasëlli?), kështu që zezakut i takon të shohë intimitete jo vetëm femërore, por edhe mashkullore. Sidoqoftë, zezaku ynë do të ketë së shpejti privilegjin (sidomos po të mos jetë homofob) t’ia shohë këto intimitete Presidentit tonë të ardhshëm, por ai do të ishte edhe më i lumtur sikur Shqipëria të pajisej kësaj radhe me një Presidente!

Së fundi, shpresoj se Presidenti i ardhshëm i Republikës së Shqipërisë, pasi t’i ketë (ri)lexuar këto radhë, do të dijë ta vlerësojë drejt metaforën dhe humorin pa u kapur pas anekdotës dhe se, falë këtij vlerësimi, nuk do të japë urdhër ta thyejnë apo ta flakin tutje zezakun, më falni desha të thosha bidenë në fjalë.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama