Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Duke pritur një President

Shkruar nga: Armand Shkullaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Armand Shkullaku
Duke pritur një President

Partia Socialiste duhet t’i thotë po kandidaturës së Xhezair Zaganjorit, ose duhet të paraqesë një kandidat të saj që të plotësojë pritshmëritë e të gjithëve si një President i mundshëm konsensual. Çdo qëndrim tjetër do të zhvlerësojë një proces që duket se mori kthesë për mbarë, do ta shndërrojë zgjedhjen e kreut të shtetit në një lojë banale politike dhe në fund të fundit nuk do t’i garantojë opozitës ndonjë avantazh në raport me maxhorancën. Pas tërheqjes së Berishës, përcaktimit të PD-LSI për një emër me profil të pranueshëm nga të gjithë, kundërshtimi i Ramës e ka humbur peshën që do të kishte nëse partia në pushtet do t’i shkonte deri në fund provës së forcës me një kandidat nga kupola e saj.

Natyrisht që është e drejtë e opozitës në çdo kohë të thotë jo, të kundërshtojë propozimet që i vijnë nga pushteti dhe të provojë ta lëkundë atë sa herë i jepet mundësia, qoftë edhe kur bëhet fjalë për të zgjedhur Presidentin. Por në këtë rast, kur kandidati i propozuar nga maxhoranca i ka votat e sigurta në raundin e katërt dhe kur përkrahja e LSI për të i ka dhënë një lloj legjitimiteti “përtej së majtës dhe së djathtës”, kundërshtimi i Zaganjorit mund të argumentohej vetëm me një kandidaturë tjetër që shumica e opinionit do ta gjykonte më të përshtatshme se anëtari aktual i Gjykatës Kushtetuese. Refuzimi i të dyja këtyre opsioneve e ka bërë të vështirë pozicionin e opozitës, duke e çuar atë çdo ditë e më shumë në një qëndrim pa qëndrim në lidhje me zgjedhjen konsensuale të kreut të shtetit.

Kryetari i PS ka si arsye thelbësore në kundërshtimin e Zaganjorit faktin se ai ka ardhur deri këtu si propozim vetëm i njërës palë, dhe jo si produkt i një procesi negociues pozitë-opozitë. Fakti që Rama nuk e ka ditur përpara se të bëhej publik emrin e Zaganjorit, mund të tingëllojë në pamje të parë si një anashkalim, defaktorizim apo mospërfillje ndaj kreut të opozitës. Duket si një vendim që i shkon opozitës thjesht për miratim, dhe jo me të drejtë ndryshimi. Në këtë këndvështrim të thjeshtë, Rama kishte të drejtë të mos pranonte jo vetëm Zaganjorin, por edhe Fan Nolin po të ishte gjallë. Mirëpo, në një këndvështrim tjetër, më të ftohtë dhe më politik, opozita po i mohon vetes rolin e rëndësishëm që ka luajtur për të ardhur deri këtu dhe, pse jo, për të marrë meritat e shndërrimit të procesit presidencial nga një hipotekë e Kryesisë së PD në një aset shumë më të gjerë.

Argumenti kryesor i opozitës, se ajo pra e kundërshton kandidatin e maxhorancës meqenëse nuk ka qenë pjesë e tryezës që e ka nxjerrë këtë emër, nuk është i mjaftueshëm. Procesi presidencial nuk duhet parë vetëm në takime liderësh, bisedime të hapura, të mbyllura apo i thjeshtuar në përfillje e mospërfillje personale. Fakti që Sali Berisha u tërhoq nga pozicioni i tij fillestar, pa diskutim është rezultat i procesit presidencial ku Partia Socialiste ka luajtur rol vendimtar. Pra edhe pa u takuar mes tyre Berisha dhe Rama, ky i fundit ia doli ta detyrojë Kryeministrin të pranojë zgjidhje të tjera nga logjika e 71 votave.

Ndryshimi në qëndrime i Berishës është pjesë e procesit presidencial, ku opozita ka luajtur fort për të imponuar zgjidhjen e saj. Politika sot është në një stad të ri nga ai i disa muajve më parë dhe emri i Zaganjorit vërtet është propozuar nga njëra palë, por është në sinkron edhe me kërkesat e vetë opozitës. Nxitimi për t’i thënë jo kësaj kandidature që në raundin e parë, tingëllon më shumë si një qejfmbetje e Edi Ramës nga Ilir Meta që nuk e konsultoi këtë emër edhe me të, sesa një kundërshtim thelbësor i rezultatit të një procesi, që ndonëse i zhvilluar në distancë mes palëve, prodhoi diçka pozitive. Këmbëngulja në këtë refuzim po e vendos opozitën në një pozicion apolitik: refuzon një emër, nuk paraqet një kandidat të saj dhe kërkon nga maxhoranca emra të tjerë që të deklarohet nëse i pëlqen ndonjëri ose jo. Kjo mund të shkojë në një lojë fëmijësh, por jo në një moment politik tepër delikat, kur secila palë duhet të marrë përgjegjësitë e veta.

Tërheqja e Berishës dhe ndryshimi i diskursit të tij politik, veçanërisht në Vlorë dhe në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar, i ka zbutur ndjeshëm efektet që do të kishte refuzimi i opozitës krahasuar me disa javë më parë. Madje dhe reagimi ndërkombëtar nuk do të ishte i njëjtë nëse Kuvendi do të votonte për një drejtues të PD apo për një kandidat si Zaganjori, pavarësisht se do të zgjidhej njëanshëm. Në këtë situatë të re, Rama duhet të ndërmarrë diçka për t’i dhënë vetes rol në përfundim të procesit, dhe jo të ngecet në një pritje që ngjan me atë të Godosë.

Ai ka arritur jo pak deri tani në këtë proces: e ka detyruar Berishën të tërhiqet, ka provokuar një krisje të fortë brenda maxhorancës duke u afruar me Ilir Metën, ka turbulluar ujërat brenda vetë PD dhe në fund ka shmangur rrezikun e një Presidenti nën hijen e Kryeministrit. Mbetja jashtë tryezës që nxori emrin e Zaganjorit ndërsa numëronte me gishta votat e dëshiruara për mocion kundër Berishës, nuk është e mjaftueshme për të thënë jo e për të pritur lëvizjen tjetër të maxhorancës. Kjo e fundit e bëri lëvizjen e vet dhe politikisht e logjikisht nuk ka asnjë arsye të bëjë një tjetër. Rama gjendet përballë vështirësisë së tij më të madhe, të marrë një vendim. Të pranojë Zaganjorin, të propozojë një kandidat të vetin, apo ta lërë maxhorancën ta zgjedhë e vetme kreun e shtetit? Në të dyja opsionet, e para do të konfirmonte rolin jo të vogël që luajti në këtë proces. Me të tretin vështirë se do të fitonte diçka.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama