Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Pesë vjet më parë pritëm Bush-in; në stilin tonë

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 13 vite më parë

Mustafa Nano
Pesë vjet më parë pritëm Bush-in; në stilin tonë

Një intervistë e ish-drejtorit të Protokollit të Shtetit dhe ambasadorit tonë në Danimarkë, Arben Cicit, dhënë gazetarit Arben Rrozhani të së përditshmes shqiptarja.com, më solli në mendje dhe njëherë datën 10 qershor 2007 (dje u mbushën fiks pesë vjet), kur Shqipërinë e vizitoi Presidenti amerikan, George W. Bush. Edhe intervista e Cicit është e tëra e fokusuar në këtë vizitë. Ju kujtohet? Për javë të tëra përpara kësaj vizite ne jemi bombarduar me propagandë, e cila na hynte në sy e në vesh. Kudo që shkonim, e çfarëdo që lexonim e shihnim atëmot, ne hasnim një mesazh që synonte të na bënte me dije se “po ndodhte një gjë e papërfytyrueshme, një gjë që s’kish ndodhur ndonjëherë më parë”. Dhe Cici vetë na bën me dije se, në mos tjetër, njerëzit e palës shqiptare që kishin për detyrë të organizonin pritje-përcjelljen e Bush-it kanë jetuar me idenë, që kjo vizitë ishte një gjë e papërsëritshme. Edhe sot e kësaj dite, Cici flet sikur po jeton të nesërmen e asaj vizite.

Dhe ai ndoshta ka të drejtë. Madje, me siguri ka të drejtë nga pozicioni i ish-shefit të Protokollit të Shtetit. Për një njeri që ushtron një përgjegjësi të tillë në Republikën e Shqipërisë nuk mund të ketë ngjarje më të rëndësishme. Mirëpo, Cici e ka gabim kur ngjarjen më të rëndësishme në historinë e Protokollit të Shtetit shqiptar dhe në karrierën e vet si shef i Protokollit të Shtetit (dhe thonë se Cici e ka bërë mirë këtë punë; ashtu si dhe punën e diplomatit të karrierës) e trajton si “ngjarjen më të madhe në historinë e Shqipërisë”. Më poshtë ai e përkufizon edhe si “ngjarjen kulmore në historinë e në marrëdhëniet mes dy popujve tanë”, por kjo edhe hahet, s’ka gjë se ka kuptim ta thuash këtë veç në terma protokollarë (në tërësi, ka ngjarje të tjera shumë më të rëndësishme sesa kjo vizitë; edhe rivendosja e marrëdhënieve diplomatike pas një ndërprerjeje disa dekadëshe është një ngjarje më e rëndësishme sesa vizita e Bush-it në Tiranë, etj). Sidoqoftë, përkufizimi i parë i kësaj vizite si “ngjarja më e madhe në historinë e Shqipërisë” është bajagi i shkujdesur (apo ai thotë ngjarje, dhe në mendje ka “vizitë në Tiranë e një personaliteti të huaj? Nëse është kështu, atëherë jemi ok; amá i ka mbetur e pasaktësuar kjo gjë)”.

Por ky shkrim nuk është polemikë me diplomatin Cici. Intervista e këtij të fundit në këtë përvjetor të vizitës së George W. Bush-it në Shqipëri më cyti për t’iu kthyer asaj vizite nga një kënd shikimi kritik. Unë jam dakord me të gjithë ata që mendojnë se vizita e parë dhe e vetme (deri më sot) në Tiranë e një Presidenti amerikan është vetvetiu një vizitë e rëndësishme, se gjykuar nga sfondi e konteksti gjeo-politik në të cilin u krye është akoma më e rëndësishme, se gjykuar nga efekti i menjëhershëm që dha ajo vizitë (anëtarësimi i Shqipërisë në NATO u bë dy vjet më vonë, dhe roli i Bush-it nuk mund të mohohet) është akoma edhe më e rëndësishme, por nuk shkoj dot më tutje sesa kaq. Madje, sa herë që i jam rikthyer asaj vizite, për dreq syri e mendja më mbeten në të tjera aspekte, më mbeten tek ai mobilizim si për luftë i shtetit shqiptar, tek një si regjim policor që u vendos në Tiranë (mbaj mend rrugët krejt, krejt amá, të boshatisura orë të tëra përpara se avioni “Air Force One” të ulej në Rinas), tek një propagandë shtypëse që të bënte të të dukej vetja si një mizë dheu në vendin tënd e në shtëpinë tënde, dhe ç’ka qenë më e dukshmja, ajo gjendje trance-i, në të cilën kaloi për dy ditë me radhë i gjithë kombi shqiptar (të paktën, mjetet e informimit, të huaja e shqiptare, këtë ide përcollën).

Nuk mbeti televizion e gazetë e rëndësishme e botës pa folur për këtë lajm; CNN, BBC, “Al Jazeera”, “The Guardian”, “Washington Post”, “New York Times” etj., etj., e mbuluan këtë lajm; dhe të kuptohemi, lajmi nuk ishte që Presidenti Bush vizitoi Shqipërinë (kush do e vinte ujin në zjarr për këtë?), por që njeriu më i kritikuar i botës për momentin, ai që konsiderohej si një nga presidentët më të dobët e më të paaftë në historinë e SHBA-ve (kështu konsiderohet dhe sot e kësaj dite nga të shumtit), njeriu që kish nisur një luftë bazuar në një rrenë, njeriu që pritej me protesta kudo që shkonte, pikërisht ky pra, pritej në Shqipëri si një hero e shkuar heroit. Në fakt, është pritur si të ish më shumë sesa kaq. Është pritur si i dërguar nga Providenca, prekej nga njerëzit si një hajmali, shihej në sy prej shqiptarëve buzë rrugëve në atë mënyrë, a thua se donin që kontaktin e pamundur fizik ta realizonin me një ndukje sysh. Pamjet e Fushë-Krujës ishin raportimi më i saktë gazetaresk i asaj vizite. Fjalët ishin të tepërta. Ishin pamje që ishin parë në situata krejt të tjera, me yje rroku në skenë, me fans-a të ekzaltuar në rreshtat e parë. Kur fans-at e Juves përcollën Del Piero-n në ndeshjen e fundit të kompeticionit Serie A (ishte dhe ndeshja e fundit e Del Piero-s), m’u faneps Bush-i në Fushë-Krujë. Ishin situata gati identike. Vetëm se Del Piero nuk kish orë për ta hequr nga llëra e dorës.

Arben Cici thosh në intervistë se ajo vizitë “u kthye në një reklamë të madhe për Shqipërinë”, dhe ai ka të drejtë të shohë njërën anë të medaljes. Por kjo e fundit ka dhe anën tjetër. Dhe ana tjetër të sillet sërish si një reklamë e madhe, por si një reklamë me kokë poshtë; jep një lloj sikleti, a bezdie, a zori. Ajo pritje madhështore ishte një akt veçimi nga bota. Dhe ne jemi të vetmit për të bërë akte të tilla. Pse, ky i pamundësisë fatale për të gjetur një njeri e për ta zgjedhur si kreun e shtetit, nuk është veçim nga bota? Sigurisht që është, ashtu siç është dhe fakti që jemi të vetmit në rajonin e Ballkanit që s’po mundim dot të bëjmë zgjedhje të rregullta e normale.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama