Kandidati i dorëhequr për President, Artan Hoxha, në këtë rrëfim të guximshëm për jetën e tij zbardh dokumentet që ka zbuluar rreth vetes, mbi të ashtuquajturin ‘bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit’. Gjithçka ka ardhur pas takimit me sigurimsin, i cili kishte kërkuar ta rekrutonte si bashkëpunëtor në moshën 17-vjeçare, e që mori si përgjigje një JO, sipas Hoxhës “të qartë dhe të pandëshkueshme”. Në këtë pjesë të dytë të reagimit publik, Artan Hoxha pohon se, sipas dokumenteve që ka mundur të sigurojë këto ditë, Sigurimi i Shtetit e ka tërhequr si bashkëpunëtor më 21 shtator të vitit 1981, pas takimit me sigurimsin.
“Më ka larguar si bashkëpunëtor me vendim të arsyetuar të këtij organi të datës 28 dhjetor 1982, e pasqyruar në kartelë më 5.1.1983 e me motivacionin “e inaktivitetit dhe padobisë … pasi nuk ka dhënë gjatë kësaj kohe asnjë material për qëllimin që u tërhoq”, -rrëfen Hoxha në një shkrim të gjatë, të publikuar në faqen e tij në Facebook. Ai komenton edhe disa prej ngjarjeve që kanë shenjuar jetën e tij, të diskutuara edhe këto në orët kur u shpall kandidat për President, si përfshirjen në lëvizjen e Dhjetorit, emërimin në kabinetin qeveritar, largimin nga strukturat e PD-së, hetimin për çështjen e njohur si “druri i arrës”, afrimi në kabinetin “Nano” dhe mbështetjen publike që i dha PD-së para zgjedhjeve të 2005.
Rënia e regjimit
U vendosa për herë të parë në Qytetin Studenti. Koha punonte kundra regjimit dhe në favorin tim. Qyteti Studenti ziente. Tirana përreth përgatitej për diçka. Kudo lëvizje. Vendosa të lëviz. Me një grup të ngushtë shokësh hodhëm idenë e krijimit të një organizate, me qëllim e përmbajtje shkencore në formë, me synime politike në thelb. Synime në fillim ende të ndrojtura e gradualisht gjithnjë e më të guximshme. Në ato javë intensive të tetorit e nëntorit u njoha me shumë pedagogë të rinj dhe pasuniversitarë, që jetonin në Qytetin Studenti, kryesisht në atë që quhej godina e pedagogëve. Lëvizja po na bashkonte. Një pjesë e madhe e tyre u bënë protagonistë të lëvizjes studentore e të Partisë Demokratike.
Gjatë nëntorit, me miqtë nismëtarë ndërmorëm disa takime edhe me personalitete të njohura të kohës për të diskutuar idenë e shoqatës. Një nga takimet ishte edhe ai me profesor Hamit Beqa. Rasti e kish dhënë që unë të kisha shoqëri me Adën, një vajzë nga Durrësi, që ishte fejuar me djalin e profesorit, Ilir Beqen, sot deputet i Partisë Socialiste. Takimi u bë në një nga ditët e festave të nëntorit, në shtëpinë e profesorit. Unë dhe miqtë e mi i prezantuam idenë. Mbante era politikë. Profesori e kuptoi qartë. Ndonëse na mbështeste, këshilla e tij, si e një plaku të urtë, ishte që ta shtynim krijimin e shoqatës, pasi të kryheshin zgjedhjet e përcaktuara në shkurt të 1991, të ashtuquajtura pluraliste sipas Ramiz Alisë, ndryshe do t’ju paragjykojnë. Nuk e tha, por nënkuptoi këtë të fundit. U ndamë miqësisht me profesorin, por vazhduam rrugën tonë. Në ditën kur përfaqësia e studentëve do të takonte Ramiz Alinë, u takova përsëri me profesor Beqen, ndërsa edhe ai po i ngjitej “malores” në hyrje të Qytetit Studenti. Revolta dhe forca studentore ishte një magnet i parezistueshëm. U përshëndetëm përzemërsisht. Më 14 dhjetor, në një mbledhje urgjente në një nga godinat e Qytetit Studenti, Eduard Selami, në emër të Grupit Nismëtar të PD së sapoformuar kërkoi që secili të shkonte në rrethet a qytetet e lindjes për të nisur themelimin e degëve të PD. Të nesërmen shkova në Durrës dhe nuk iu ktheva më studimeve në fakultetin e Gjeologji –Minierave.
Jeta mori tjetër drejtim. Në pak ditë, bashkë me një grup burrash me emër e kurajozë themeluam degën e PD së Durrësit. Ditët e fundit të dhjetorit ishin të vështira, por gjithçka u lehtësua pas mitingut të paparë më 3 janar 1991, ku mori pjesë masivisht qytetaria durrsake. Durrësi ishte kundra regjimit. I këtillëkishqenë me kohë. Ai qytet, që konsiderohej problematik për mungesën e entuziazmit në aktivitetet masive politike gjatë regjimit, tregoi një entuziazëm, mobilizim dhe civilizim që në mitingun e parë, ku pata rastin të mbaj fjalimin e hapjes. Rindjeva mbështetjen e qytetit. E doja. Më donte. Në zgjedhjet e 31 Marsit 1991, fituam bindshëm në shumicën dërmuese të zonave elektorale të rrethit dhe humbëm vetëm njërën prej tyre. Durrësi, si edhe disa qytete të tjera kryesore, me Tiranën në radhë të parë, nuk e pranuan dot rezultatin. Lëvizjet masive qytetase, politike e sindikaliste, diktuan rrëzimin e qeverisë “Nano”, të zgjedhur nga Kuvendi me shumicë dërrmuese të deputetëve të PPSH dhe iu hapën rrugë zhvillimeve demokratike më të shpejta. U krijua Qeveria e Stabilitetit dhe u vendos që zgjedhjet të kryheshin pas një viti. Ngjarjet rrodhën; vizita e Bejker; rënia e qeverisë në dhjetor; kryerja e zgjedhjeve më 22 Mars 1992. Në Durrës fituam thellë dhe gjerë. Asnjë zonë elektorale e humbur. Rezultatet në qytet ishin afro 80% në favor të PD dhe aleatëve të saj.
Koherenca afatgjatë dhe disa nga akuzat e lapangjozëve
Në shtator 1991 u zgjodha kryetar i Degës së PD të Durrësit nga konferenca e parë e kësaj dege e njëherazi anëtar i Këshillit Kombëtar të PD. Qoftë në zgjedhjet e 31 marsit 1991 dhe në ato të 22 marsit 1992 nuk pranova të kandidoja për deputet. Ndërsa merresha me organizimin e zgjedhjeve, kisha ndjesinë që unë vetë nuk duhej të përfshihesha për të evituar çdo konflikt aparent interesi. Një arsye edhe më e fortë ishte se dëshiroja, në rastin më të parë, të vazhdoja studimet pasuniversitare jashtë vendit. Gjithsesi, propozimi i Sali Berishës për t’u bërë Ministër i Tregtisë dhe Bashkëpunimit Ekonomik me Jashtë m’u duk tërheqës, pasi e mendova si mundësi për të zhvilluar reforma ekonomike e për të cilat kisha filluar të studioja me kohë. Tek e fundit, detyrën e ministrit nuk e mendoja detyrimisht katërvjeçare, si ajo e deputetit. Propozimi im në detyrën e ministrit u mirëprit nga kryesia e PD. Bëri ca përshtypje në publik mosha ime e re, kur sapo i kisha kaluar 27 vite, por kaloi shpejt dhe shihej megjithatë më shumë me simpati sesa me dyshim. Nga këtu, ngjarjet janë mjaft më të njohura, ndaj nuk po zgjatem. Unë qëndrova rreth 18 muaj në detyrën e ministrit dhe vetëm 1,5 muaj në detyrën e Drejtorit të Agjencisë së Privatizimeve. Ato ishin kohë keqkuptimesh të mëdha, analizën e të cilave e kam bërë me kohë.
Qeverisja e vendit po bëhej në mënyra gjithnjë e më të papërputhshme me idetë e mia dhe që nga janari 1994 shkëputa lidhjet me çdo strukturë të PD, e ndoqa rrugën time. Pas disa muajsh pa ndonjë angazhim konkret, në korrik 1994 shkova për studime pasuniversitare Master në Ekonomiksin e Energjisë dhe Mjedisit në Shkollën Enrico Mattei të Grupit Eni në Milano. Shkolla iu jepte mundësi studimi të rinjve nga e gjithë bota. Ishte një vit produktiv e i dobishëm. Iu riktheva jetës studentore, me plot kënaqësi, moskokëçarje, por edhe plot sfida. Studiova me metodë e sistem shkencat ekonomike që deri në atë moment e kisha studiuar vetë. U ktheva në Shqipëri në gusht 1995.
Një nga shpifjet e lapangjozëve që vazhdon e qarkullon edhe sot e kësaj dite, është ajo që jam arratisur me skaf a gomone nga frika e arrestimit. Hetimi i çështjes që njihet me termin “druri i arrës”, përmes së cilës u akuzuan tre ish-ministra, unë, Genc Ruli dhe Rexhep Uka, u hap pas referendumit të nëntorit 1994 dhe u mbyll në mars 1995 pas rrëzimit të kërkesës për heqjen e imunitetit të deputetëve Ruli dhe Uka, kundra së cilës votuan shumica e demokratëve dhe socialistëve bashkë. Vetë këto data rrëzojnë shpifjen e arratisjes, ndërsa lidhur me çështjen, ajo u komentua nga vëzhguesit me objektivë të kohës si një proces politik dhe jo si një proces gjyqësor. Me kthimin në Shqipëri, ndërsa fillova aktivitete studimore dhe konsulence, rivendosa kontaktet politike, tashmë me segmentet e politikës në opozitë me qeverisjen demokratike.
Veprimtaria ime politike u rrit pas zgjedhjeve të dështuara të majit 1996 dhe veçanërisht gjatë krizës se piramidave dhe kolapsit të shtetit në mars 1997. Qëndrimi im politik ka qenë në opozitë me ekstremizmin demokratik që vazhdoi deri nga fundi i vitit 2001 dhe kam bashkëpunuar me qeveritë socialiste për kryerjen e reformave të asaj kohe, veçanërisht ato që lidheshin me forcimin e shtetit. Nga fillimi i vitit 2002 politika shqiptare filloi normalizimin dhe unë fillova gradualisht të inkurajoj e mbështes konstruktivizmin opozitar, derisa në janar 2004 dhashë dorëheqjen edhe nga këshilltar i jashtëm i Kryeministrit Nano dhe fillova mbështetjen e plotë të demokratëve për një rotacion të shëndetshëm pushteti që ndodhi në 2005.
Gjatë 2005-2009 unë kam patur shumë pak aktivitet mediatik. Angazhimet e mia ishin thelbësisht të lidhura me reformat. Pranë zgjedhjeve 2009, komentova disa herë sondazhet, kryesisht ato të Zogby, të porositura nga Top Channel. Në komentet e mia të atyre kohëve kam qenë mjaft analitik dhe shumë pak preferencial. Qeverisja kishte kryer disa detyra të mëdha, opozita sillej konstruktivisht. Politika më se normale ishte e shëndetshme për vendin. Ndërkaq, teoria e politikës së vjetër e të re, programi inekzistent socialist dhe konflikti me LSI do të ishin objekti i analizës sime, por tek e fundit, këto nuk ishin kritika ndaj PS, të paktën sipas meje, por thjesht analiza e fakteve që më çonin në përfundimin se shanset për fitore i buzëqeshnin aleancës së gjerë të demokratëve, siç edhe ndodhi. Përfshirja ime në debatin politik përmes studiove televizive dhe shkrimeve në shtypin e përditshëm erdhi e u rrit në proporcion me ekstremizmin e politikës pas zgjedhjeve 2009.
Në një nga shkrimet e para të miat në gazetën “Shqip”, në nëntor 2009, me titullin “Paqja pa luftë apo lufta për paqe”, analizova zhvillimet nga këndvështrimi i një pale të tretë, asaj që unë shpesh e përkufizoj si të këtillë, që “nuk ushqen dashuri dhe/ose urrejtje” për një nga palët politike në fjalë. E vetmja zgjidhje që përkonte me interesin e palës se tretë dhe atë publik njëkohësisht ishte angazhimi i Gjykatës Kushtetuese në shqyrtimin e kushtetutshmërisë së hetimit parlamentar, pozicion ky që u adoptua nga demokratët vetëm pas disa muajsh, por që nuk u pranua asnjëherë nga socialistët. Një pozicion të këtillë këndvështrimi të analizave të mia nga një palë e tretë jam përpjekur ta mbaj në çështjet kryesore të diskutuara në këto 3 vite konfliktuale politike. Unë i kam bërë vetë zgjedhjet e mia edhe në këto tri vite të ashpra, duke i qëndruar koherent vetvetes në këto 20 vite.
Sa për ilustrim, ndërsa kam qenë kritik për ekstremizmin demokratik në vitet 1998-2001, kur demokratët kishin mijëra arsye të pretendonin dhunë mbi opozitën dhe manipulime të zgjedhjeve s’kish se si të mos isha kundra ekstremizmit opozitar socialist pas zgjedhjeve 2009, ndërkohë që socialistët s’kishin asnjë fakt mbi manipulimin e zgjedhjeve dhe nxorën teorinë e pakuptimtë e lehtësisht të rrëzueshme të vjedhjes së të paktën 75 mijë votave nga një ushtri e padukshme demokratësh manipulatorë. Unë kam qenë kritik ndaj sulmit të dhunshëm të demokratëve në 14 shtator 1998, që erdhi pas vrasjes së deputetit Hajdari, hero i lëvizjeve demokratike dhe lider i PD, e po kështu kam qenë kritik edhe për largimin e Kryeministrit Nano dhe dorëzimin e shtetit në duart e dhunës. Ndaj, s’kish se si të mos isha kritik, në fakt duhej dhe isha proporcionalisht edhe më shumë kritik me demonstratën e organizuar qëllimshëm të ishte e dhunshme më 21 Janar 2011 të socialistëve dhe s’kish si të mos vlerësoja qëndresën e strukturave në mbrojtje të institucioneve e të Kryeministrit në detyrë e në godinë. Kam thënë e kam shkruar se demokratët u gjakosën pa sulmuan Kryeministrinë në 14 shtator 1998. Socialistët sulmuan pa u gjakosën në 21 Janar 2011.
Mua më duket gjithashtu se ka një ndryshim të madh në lidhjen shkak-pasojë, ndaj jo vetëm kam ruajtur koherencën në qëndrimin kritik ndaj atij që kryen ekstremizëm, por kam qenë edhe proporcional në kritiken time bazuar në lidhjen shkak-pasojë. Hetimet i takojnë sistemit të drejtësisë, analizës politike i takon të analizojë faktet dhe të nxjerrë konkluzionet, duke i qëndruar besnik vetvetes ndër vite dhe jo duke e dredhur sipas rastit. Për te njëjtat ngjarje e fenomene duhet përdorur një peshë e një metër, pavarësisht distancës në kohë.
Edhe lidhur me çështjen e votave në kutinë e gabuar, që në rastin më të parë kam arritur në përfundimin se çështja e vetme që ia vlente të shqyrtohej ishte ajo e vlefshmërisë së votës së hedhur në kutinë tjetër. Përgjigjen për këtë e japin më se miri parimet dhe angazhimet tona ndaj OSBE/ODHIR, ndryshe të njohura si standardet zgjedhore. Vota në kutinë tjetër, vetëm dhe vetëm për këtë shkak, s’ka se si të mos jetë e vlefshme. Për rrjedhojë, çdo pretendim lidhur me procedurën ishte i pakuptimtë, pasi, nëse biem dakord për parimin e vlefshmërisë së votës, si me njërën procedurë, ashtu edhe me tjetrën, do të arrinim në të njëjtin përfundim në favor të Lulzim Bashës. Po aq bajate në historinë e zgjedhjeve të 8 majit 2011 ishin edhe ajo e manipulimit të rreth 10 mijë votave natën në Tiranë e më të njëjtin mekanizëm si ato 75 mijë votat në 2009 në gjithë Shqipërinë, siç shkruante Edi Rama në “Kurban” disa muaj më vonë, ndërkohë që më 9 Maj, duke parë kutitë e para projektonte një avantazh prej rreth 10 mijë votash dhe e quante të pathyeshme ushtrinë e komisionerëve socialistë.
Qëndrimet e mia kanë rënë ndesh me pozicionet ekstreme të opozitës socialiste sot, e asaj ekstreme demokrate vite më parë. Asnjëherë nuk kam ngurruar të mbështes qëndrimet konstruktive, qofshin opozitare, apo mazhoritare. Në një hark kohor më të gjerë kam kaluar nga qeveria në opozitë dhe anasjelltas, e disa herë sipas bindjeve të mia. Gjithnjë kundër ekstremizmit.
Pozicionet e mia në raport me politikën nuk kanë patur lidhje me asnjë interes financiar. Kur mbështeta dhe inkurajova konstruktivizmin opozitar demokratik që nga viti 2002, kjo s’kish si të përputhej me interesat e mia ekonomike e financiare, aq më shumë kur lashë pozicionin e këshilltarit të Kryeministrit që në Janar 2004 dhe i dedikova mjaft kohë e mbështetje rotacionit politik. Se ç’interes financiar do të kisha me këtë lëvizje, veç lapangjozët mund ta marrin me mend.
Pozicioni im i katër viteve të fundit është argumentuar nga disa lapangjozë të radhës me akuzën se kam marrë si kundërshpërblim miliona euro projekte nga ky regjim fashist e i korruptuar. E vërteta është krejtësisht e kundërta. Të ardhurat vjetore të Institutit të Studimeve Bashkëkohore (ISB) arritën pikun në vitin 2007 si rezultat i kombinimit të disa projekteve të fituara shumica para se demokratët të vinin në pushtet, e që nga viti 2008 e deri në fund të 2011, të ardhurat vjetore kanë rënë në pikiatë dhe janë sot disa herë më të ulëta se 5 vite më parë. Edhe aktiviteti i Tirana Business University, në vitin e dytë të tij akademik është ende në fazën e investimit dhe pra të ardhurat janë më të ulëta se shpenzimet operative dhe kapitale, ndonëse në vitin e dytë shkalla e humbjeve është zvogëluar. E gjithë akuza lapangjoze e interesit financiar kundër shërbimeve ndaj regjimit është një sajesë që rrëzohet lehtë me shifra.
Një tjetër akuzë e lapangjozëve është ajo që shërbimet e mia ndaj regjimit fashist të Berishës i mbajtur me patericën e Metës, e janë bërë për arsye të dëshirës sime për karrierë politike. E vërteta është krejtësisht e kundërta. Në këto vitet e fundit të aktivitetit më intensiv mediatik unë kam dhënë dorëheqjen edhe nga ato dy angazhime të pjesshme shtetërore që kisha para disa vitesh, njëri në Këshillin Mbikëqyrës të KESH-it, e tjetri në Këshillin e Administrimit të UT. Edhe një tjetër fakt ilustrues: ndërsa isha anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bursës së Tiranës nga 2002, me t’u emëruar në këshillin mbikëqyrës të KESH-it dhashë dorëheqjen nga ai i bursës, ndonëse edhe vendimi tepër kufizues i Qeverisë Berisha lejonte pjesëmarrjen deri në dy borde.Pokështu, i jam përgjigjur negativisht ftesave serioze të Sali Berishës në gjithë këto vite për pozicione të ndryshme shtetërore. I vetmi pranim, në instancë të fundit, për shkak të rrethanave të krijuara papritmas, e si shprehje e ndjenjës së detyrës ndaj shtetit, aq më shumë në kurriz të projekteve e jetës sime private ishte kandidimi për Presidentin e Republikës, kandidim nga i cili u tërhoqa sapo konstatova se rrethanat binin ndesh me parimet e mia e veçanërisht atë të shmangies së konfliktit në aparencë të interesit.
Shkurt, kushdo mund të më ketë aleat, pa kosto e kundërshpërblim. Mjafton të na përputhen idetë. Por kujdes, mund të më kesh lehtësisht kundër, pa kosto e shpërblim nga kundërshtari, mjafton që të kemi ide të kundërta. Por gjithnjë jo me dogmatizëm, ekstremizëm a nihilizëm. Pa fyerje, sharje e shpifje gjithashtu. Vetëm analizë faktesh dhe ballafaqim konkluzionesh.
Rishfaqja e Sigurimit të Shtetit përmes lapangjozëve
Si edhe akuzat e tjera të lapangjozëve që janë rrekur të përdoren për të shpjeguar pozicionet e mia politike e publike, edhe kjo e bashkëpunimit me Sigurimin e Shtetit është përdorur sistematikisht nga kundërshtarët e momentit, herë demokratë e herë socialistë. Në këto vitet e fundit, këtë akuzë në përmbajtje e variante të ndryshme e lexoj shpesh edhe në komentet e lapangjozeve anonimë, që komentojnë në shkrimet e mia apo në atë që shkruhet për mua në gazeta të ndryshme. Sipas dy-tre anonime mjaft te zellshëm, bashkëpunimi im me Sigurimin paska marrë më qafë mjaft njerëz e unë paskam arritur të spiunoj edhe njerëz mjaft të afërt, deri tek bashkëshorti i motrës sime. Ndoshta shumë lexues mund t’iu kenë rënë në sy këto komente. Cilido që ka dëshirë t’i lexojë, mjafton të bëjë kërkim me emrin “artan hoxha” në faqet online të gazetave, e të gjejë plot xhevahire të këtilla lapangjozësh.
Unë nuk e kam bërë ndonjëherë qejfin qeder për kësi akuzash. Duke ditur të vërtetën time, këto nuk më kanë ndikuar a diktuar asnjëherë të marr vendimet e duhura e që më takojnë tërësisht mua dhe vetëm mua. Të rrekesh të vërtetosh se zgjedhjet e mia politike në këto 22 vite qenkan bërë nën diktatin e dikujt që ditkërka një sekret timin është teoria më idiote. E para, për ç’sekret bëhet fjalë ne këtë vend, ku veç sekrete s’ka e ku kushdo që ka dashur e kur i ka interesuar e ka përdorur akuzën e bashkëpunimit tim me Sigurimin dhe e dyta, nëse çdo krah politik e paskërka ditur sekretin tim si shpjegohet që kam lëvizur nga njëri tek tjetri në kërcënimin e nxjerrjes a mosnxjerrjes së sekretit? Rezultati do të duhej të ishte moslëvizja nën kërcënimin e atij që nuk duhej ta tradhtoja dhe lëvizja nën kërcënimin e atij që duhej t’i bashkohesha ndërsa të dy e posedonin sekretin magjik në fjalë. A merr përsipër ndonjë lapangjoz ta zgjidhë këtë paradoks. Ka vetëm një përgjigje të thjeshtë. Zgjedhjet e mia janë bërë në lirinë time të zgjedhjes. Kaq.
Tërheqja nga kandidimi për postin e Presidentit te Republikës u bë nga unë, por në konsultim dhe në mirëkuptim me liderët e Mazhorancës, pasi nuk ishte një zgjedhje vetëm e imja. Në mëngjesin e së hënës, mua më erdhën shumë sinjale dhe të dhëna që, ndër të tjera, më lanë te kuptoj se historia lidhur me bashkëpunimin me Sigurimin nuk ishte aq për t’u neglizhuar. Të dhënat e grumbulluara vetë dhe ato që dolën nga konsulta me liderët e mazhorancës më krijoi njëfarë bindjeje se kishte diçka që binte ndesh me besimin mbi të vërtetën time. Diçka kishte ndodhur, që unë nuk e dija dhe nuk kisha vrarë mendjen ndonjëherë të informohesha e të verifikoja. Atë ditë kuptova thelbin e çështjes. Mendja më shkonte edhe tek manipulime te mundshme të dokumenteve veçanërisht në periudhat e shthurjes së Shtetit. Çështja m’u qartësua në ditët në vijim mes informacioneve nga njerëz të ndryshëm dashamires. Por atë të hënë, ndër shkaqet baze të dorëheqjes ishte shmangia i konfliktit në aparencë të interesit, nëse si President do filloja të merresha me sqarimin e të kaluarës sime. Arsye bazë ishte edhe zhgënjimi që ndjeva mes qëndrimit zyrtar socialist dhe qindra mesazheve mbështetëse, shumë prej të cilëve majtas, që më erdhën gjatë natës së të dielës dhe mëngjesit të së hënës.
Gjithsesi, le të mbetemi tek akuza lapangjoze. Në fund te thuajse një jave takimesh dhe informacioni nga disa drejtime arrita të krijoj tablonë e plotë të anës tjetër të medaljes. Jo asaj të së vërtetës sime, por asaj se ç’kishbërë Sigurimi i Shtetit kundra vullnetit dhe pa dijeninë time. Këtu më rezultuan tri fakte dokumentare, ku dy pohojnë të vërtetën time e njëri e mohon atë duke e vendosur Sigurimin e Shtetit në kontradiktë me vetveten.
Shkurt, drejt e në thelb, sipas dokumenteve (këtu për qëllim të ruajtjes së besueshmërisë dhe integritetit të burimeve, as nuk pohoj dhe as nuk mohoj autenticitetin e dokumenteve që kam shqyrtuar, por besoj se disa nga lapangjozët do ta kuptojnë menjëherë se unë kam parë po ato që edhe ata kanë parë në fotokopje), rezulton se Sigurimi i Shtetit më ka tërhequr (kupto rekrutuar) si bashkëpunëtor të tij në 21.9.1981 pas takimit me sigurimsin me 18.9.1981; më ka larguar si bashkëpunëtor me vendim të arsyetuar të këtij organi të datës 28.12.1982 dhe pasqyruar në kartele me 5.1.1983 e me motivacionin “e inaktivitetit dhe padobisë … pasi nuk ka dhënë gjatë kësaj kohe asnjë material për qëllimin që u tërhoq”. E vërteta ime pohohet nga motivi i largimit tim si bashkëpunëtor pas 15 muajsh, në mes të maturës, për inaktivitet të plotë dhe asnjë material. Vetë Sigurimi i Shtetit ka hequr dorë nga ideja e tij fillestare se unë mund të isha një bashkëpunëtor i dobishëm për ta. Qëndrimi im plotësisht refraktar, gjatë gjithë periudhës, vete e me mbështetjen e plotë të familjes, e bëri Sigurimin të arrijë në këtë përfundim. Për lapangjozët, ky fakt, që me siguri e dinë, nuk ka rëndësi.
Poç’ndreqin pati që më regjistroi si bashkëpunëtor? A mos iu dukPOajo JO-ja e imja dhe e familjes sime, Një JO e qartë, por e pakapshme dhe e pandëshkueshme të paktën sipas nesh. Por, mungesa totale e aktivitetit dhe informacionit faktuar nga vetë Sigurimi, tregoi se JO-ja ishte zgjedhja konstante dhe definitive imja dhe e familjes time gjë që e dobëson hipotezën e keqkuptimit fillestar pa e rrëzuar atë gjithsesi.Apoia donte plani i rekrutimeve që shpesh bëheshin shumë e për lumë siç kam dëgjuar të thuhet?Apos’mund të kthehej i dështuar nga takimi me një kalama kur, sipas dokumenteve sigurimi kishte rreth katër muaj që më studionte para se të ndërmerrte kontaktin e parë më 18 shtator 1981?
Apomos mendoj se nëse do raportonte kundërshtimin për bashkëpunim që ne fillim, mund të fillonin reprezaljet mbi mua dhe familjen dhe ai ndoshta nuk donte t’ia hynte e të bëhej një shkaktar i njohur i një krimi të këtillë?
Unë nuk mund të zgjedh asnjë nga variantet e mësipërme. Këtë përgjigje mund ta japin vetëm ata që kështu vendosën, njëanshmërisht, kundra vullnetit tim të shprehur sa me fjalë e aq më shumë me vepra.
Por, pasi u njoha me shënimet dokumentare të Sigurimit te Shtetit më ka lindur një tjetër dyshim. A mos vallë kalvarin e mohimit të së drejtës së studimit për shkollën e lartë edhe pse me rezultate të shkëlqyera dhe dy herë kampion i matematikës e kam peshqesh nga Sigurimi pasi me vlerësoi inaktiv, të padobishëm dhe që nuk iu dhashë asnjë material. Biografia e familjes përballë rezultateve te mia, qoftë edhe me standardet më sektare të kohës nuk do të ishte një arsye e mjaftueshme. Unë nuk kam fakte që të vërtetoj këtë dyshim pra, se ka qenë Sigurimi që ka nxitur a diktuar mosdaljen e së drejtës se studimit, por që nuk më ka ndihmuar kjo duket qartazi për çdo njeri me mend në kokë, përveç lapangjozëve që shkruajnë në anonimitet se motivimi im prej gjimnazisti për të bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit ishte dëshira për të më ndihmuar të më jepnin të drejtën e studimit.
Sfida juridike për aksesin në dokumentet e Sigurimit
Ndërsa këtu mbaron rrëfenja ime për publikun ju njoftoj se kam filluar hapat juridike për sigurimin e provave dhe rrëzimin formal si të padrejtë të këtij regjistrimi. Sot kam bërë kërkesën zyrtare pranë Shërbimit Informativ Shtetëror për akses në të dhënat e mia personale, deri aty ku nuk cenohet siguria kombëtare dhe interesi i palëve të treta. Ndërkaq, po krijoj bindjen se një rast i këtillë nuk është i vetëm. Shumë shqiptarë mund të kenë pësuar diçka të ngjashme. Nuk i kanë shërbyer Sigurimit me asnjë material a informacion dhe janë regjistruar prej tij si bashkëpunëtorë. Unë arrita t’i lexoj dokumentet e njëanshme, të shkruara në padije timen e në keqbesim nga Sigurimi i Shtetit. Tashmë, më mbetet t’i dokumentoj ato, hap pas hapi e pa ndonjë nxitim.
Por sa te tjerë janë që nuk e kanë këtë mundësi?! Transparenca mbi dosjen nuk është vetëm për të demaskuar maskarenjtë, por edhe për t’u dhënë shansin viktimave të Sigurimit të vënë në vend dinjitetin, që sot mund t’iu nëpërkëmbet edhe nga kushedi se çfarë lapangjozësh. Për këtë iu drejtohem autoriteteve shtetërore, Kuvendit, Qeverisë, Opozitës, SHISH, Avokatit të Popullit, Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar, organizatave në mbrojtje të të drejtave të njeriut, medias dhe opinionit publik të mbështesin të drejtën e aksesit në të dhënat personale të vetat nga çdo individ e për aq sa nuk cenohet as siguria kombëtare dhe as interesi i personave të tretë. Ky është minimumi i minimumit të domosdoshëm.
Kujtesë për lapangjozët
Sa për ju lapangjozët, besoj se e keni kuptuar se unë di të luaj edhe me armët tuaja, e ndonjëri nga ju do më bjerë në rrjetë nëse vazhdon avazin. Mjerë ti që do biesh, s’e do heqësh kusuret e të tjerëve. Një më mjafton për të gjithë.