Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Kjo KQZ e ka mbushur kupën

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 13 vite më parë

Skënder Minxhozi
Kjo KQZ e ka mbushur kupën

Teksa zgjidhej Presidenti i Republikës, dy javë më parë, dikush me të drejtë shprehej se në kushtet aktuale, për vendin është më delikat posti i Arben Ristanit, sesa ai i Bamir Topit. Ndoshta ky përcaktim është më se i saktë. Kreu i lartë i shtetit ka pak influencë direkte mbi proceset zgjedhore. Dhe proceset zgjedhore janë, siç dihet, thembra e Akilit e demokracisë 22-vjeçare shqiptare. Pasi aventura e presidentit e mori një zgjidhje, të mirë ose jo të mirë (të huajt thanë se qe sërish një shans i humbur), tani lista e sfidës mes dy krahëve politikë parasheh rënien dakord për të reformuar zgjedhjet, Parlamentin dhe për të hequr imunitetet.

Reforma zgjedhore është kryefjala e vërtetë e sezonit politik ku ndodhemi. Dhe përbërja e KQZ nuk ka sesi t’i shpëtojë një rikonceptimi tërësor. Përse? Fare e thjeshtë. Hipoteka që ky Komision Qendror, i votuar nën inercinë e flirtit të famshëm të vitit 2008, ka krijuar gjatë kësaj periudhe kohore, është e mjaftueshme për ta arkivuar një herë e mirë këtë tryezë fanatikësh partiakë, të cilët janë kritikuar ashpër, më se një herë, nga raportet më serioze ndërkombëtare, e që sot kontestohen nga të paktën gjysma e popullit shqiptar me të drejtë vote.

Mësohet se sot, më në fund, KQZ do të thotë nëse do të lejojë një referendum për ligjin për mbetjet, apo do ta bllokojë nismën e panelit ambientalist. Përballja qesharake e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me thirrjen më se të arsyeshme të ambasadorit amerikan Arvizu, shënoi një tjetër gjest publik nihilizmi, në rekordet e një institucioni që është mësuar të thotë vetëm “Jo”, kur ka qenë fjala për respektimin e ligjit. Duhet parë nëse sot do të ketë një kthim kursi, nga ajo deklaratë publike e Ristanit, se ambasadori do të bënte mirë të informohej “përpara se të kishte prononcime për çështje të tilla”. Një këshillë që më shumë ngjan me një skeç të Portokallisë, sesa me reagimin e një zyrtari të lartë që paguhet për të qenë objektiv, i paanshëm dhe serioz.

Ka kaluar vetëm një vit nga saga e shëmtuar e zgjedhjeve lokale të Tiranës. Sot, një vit më pas, ai që u ul në mënyrë të hapur antiligjore në poltronin e kryetarit të bashkisë, mori jo vetëm përkrahjen direkte të asaj pjese të sistemit të drejtësisë që përfshihet në procesin ankimor të zgjedhjeve, por mbi të gjitha mbështetjen vulgare të një KQZ-je që u soll me vullnetin e lirë të votuesve të kryeqytetit, si një kazermë ushtarake e kohës së Petrit Dumes. Dy vjet pas shëmtisë së vitit 2009, kur KQZ dhe kreu i saj me kostum paraushtaraku, u çimentuan pas idesë fikse se kutitë s’mund të prekeshin (sipas SMS-ve që dërgonte Kryeministri), Ristani e ktheu 180 gradë pllakën, duke rrëmuar në gjithë cepat e Tiranës brenda pak orëve, për “fletë të hedhura në kutinë e gabuar”.

Ky dubël-standard i neveritshëm i një institucioni që duhet të numërojë votat, e jo të vendosë vetë se kush është fituesi, përbën precedentin më të keq, në funksion të vitit të ardhshëm. Me rolin thellësisht devijues e manipulator në dy proceset e fundit elektorale, e sidomos me precedentin flagrant të përmbysjes së rezultatit të Tiranës, ku fituesi i transmetua “live” në media, nuk ka më asnjë garanci se mund të kemi votime të lira në vitin 2013.

Nëse kultura e arrogancës dhe e dhunës së kartonit, që përfaqëson sot Ristani dhe ata që ka pranë, nuk merr një goditje finale tani, sa nuk është vonë, zgjedhjet e verës së ardhshme do të jenë një katrahurë ekzemplare. E treta në radhë, me shumë gjasë, ajo “e vërteta” për të ardhmen demokratike të këtij vendi. Vonesa në reformën zgjedhore do të komprometonte jo vetëm marrjen e statusit të vendit kandidat, por edhe ndryshimin e një situate në kufijtë e absurdit, që mbështjell të gjithë korpusin e rregullave të lojës, që drejtojnë zgjedhjet në Shqipëri.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama