Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Vetëm për pak respekt

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Baxhaku
Vetëm për pak respekt

Pemë të sharruara mizorisht, Tan Lame dhe miqtë e tij ekologjistë që protestojnë, punëtorë të zënë në hall e të djersitur jo vetëm nga vapa, duke mos ditur se nga t’ia mbajnë dhe pastaj kalimtarë që kalojnë andej duke shkuar në punën e tyre, krejt indiferentë, njësoj sikur të kalojnë pranë një filmi që e kanë parë kush e di se sa herë. Ishte një skenë e trishtë ajo e para disa ditëve në anë të parkut të madh të liqenit të Tiranës, atje ku po zgjerohet rruga që do të na çojë më shpejt në Elbasan. Çështja u politizua menjëherë. Llogaria është e thjeshtë: rruga e re është konsideruar si një nga arritjet më të mëdha të qeverisë së sotme, atëherë detyrimisht kush ngacmon në këtë pikë bën lojën e opozitës. Pra njerëzit që protestojnë nuk dashkan që të shkojnë më shpejt në Elbasan, Pogradec a gjetiu?! Për ta politizuar edhe më këtë ngjarje, e cila nisi vetëm si një aksion ambientalistësh, mbase ka ndikuar edhe prezenca e një grupi “paratërinjsh” të një partie të sapokrijuar, shumë herë edhe më aktive se sa vetë opozita, të cilët si për çudi, u treguan edhe më të inatosur se sa ekologjistët vetë.

U tha se për punimet që prenë pemët nuk janë letrat në rregull, madje nuk ekzistoka as edhe një leje e vetme. Në qoftë vërtet kështu kjo është një gjë e dënueshme, e patolerueshme, për një shtet që pretendon të jetë model për fqinjët. Porse problemi është se letrat për pushtetin nuk janë fare një telash. I bën brenda ditës edhe aq. Por ndërkohë një copë e marshallashme e parkut të madh, pjesë e rëndësishme e kujtesës historike të Tiranës dhe e banorëve të saj ka kohë që është gllabëruar. Problemi duket se është gjetiu, ai ka rrënjë të thella historike, morale, kulturale, që madje shkojnë aq larg sa që prekin edhe pjesë të karakterit tonë kombëtar. Nuk ka dyshim se Eqrem bej Vlora është në mos i pari, të paktën ndër të parët ambientalistë shqiptarë. Në 1906 ai bëri një udhëtim të gjatë nga fshatrat e Bregut deri në Llogora, Dukat e Tërbaç. Në kujtimet e tij ai ka dhënë i pari alarmin për mbrojtjen e natyrës. Më poshtë po ju paraqesim një pjesë nga kujtimet e tij. Është një paragraf ca i gjatë vërtet, po ama ia vlen të lexohet. Mbase do të ndihmojë të kuptojmë më mirë se cilët jemi në të vërtetë:

“… Pas ndonjë ore ngjitjeje të vështirë, nëpër rrëzoma gurësh dhe shkëmbinj të thepisur dhe pasi lamë pas një lug të ngushtë, u gjendëm në një livadh të madh malor, ku befas njerëzit e mi hoqën pushkët nga krahu dhe shtinë. Pa u shuar mirë jehona e përcjellë nga shpatet e maleve, unë pashë as 50 metra më larg, një tufë kaprojsh, rreth 30 krerë. ‘Mos shtini, mos shtini’ – thirra unë me sa zë që pata dhe pastaj shijova atë pamje madhështore e unikale. Unë e urrej gjahun dhe gjahtarët, mua më neverit vrasja arbitrare e të ashtuquajturave ‘kafshë të egra’. A ka qenie më të egër se njeriu mundohesha unë t’u shpjegoja njerëzve të mi, por edhe atë nuk e vret dot po s’deshe të kesh punë me ligjin! Mirëpo nga mënyra se si më shihnin, ashtu si të shushatur, unë e kuptoja mirëfilli se retorika ime alla ‘shoqata për mbrojtjen e kafshëve’ nuk ishte fort bindëse. Dhe më mirë të mos thellohesha për të gjetur se çmendonin ata, me këtë rast për mua…

…Nuk dëshiroj t’i zmadhoj gjërat, por nuk mund të rri edhe pa thënë se për Shqipërinë, i ashtuquajturi qytetërim i parakohshëm dhe i papërgatitur, i cili midis viteve 1914-1944 përmbysi gjithçka në vend që të zëvendësonte dhe të ndërtonte dalëngadalë, krahas shumë dëmeve të tjera që iu bënë vendit dhe popullit, solli edhe zhdukjen e faunës së tij. Sepse, edhe pse çdo shqiptar e kishte një pushkë të gjatë, deri para 1912 shqiptari nuk ka qenë kurrë gjahtar. Nga trupat pushtuese italiane (1914-1920, 1939-1944), të cilët kërkonin të provonin trimërinë e tyre duke vrarë lejlekë dhe dallëndyshe, shqiptari mësoi të qëllojë e të vrasë gjithçka që zvarritej e fluturonte. Pa qenë alpinist, as gjahtar, në vitet 1906, 1908 dhe 1909 unë kam ndeshur arinj në Bokë (në vargullin e Çikës) në Tomor dhe në Gramoz, kam parë gjurmë rrëqebulli në pyllin e Kuçit, në grykën e Bënçës dhe në Shpat, në Tërbaç (Maja e Zezë) kam parë gjela të egër, kam trembur derra të egër, kaproj, dhi të egra në kope dhe kam ndeshur baldosa, mace të egra, vdira dhe ujq. Në liqenin e Prespës, Lurë dhe Martanesh kam adhuruar drerët. Me mijëra kanë qenë shpendët shtegtarë, këngëtarë dhe ujorë të Shqipërisë. Kam parë me zemërim thasët e mbushur me të përbrendshme kafshësh të një karvani në Dardhë (Tomor) më 1906. Ato çoheshin në Durrës dhe shiteshin për disa piastra copa. Ç’kasaphanë e panevojshme është kryer mbi faunën shqiptare atëherë, por edhe më vonë, për të kënaqur etjen e njerëzve për të vrarë e për të fituar…”. (Eqrem bej Vlora; Kujtime; Vëllimi I 1885-1912; përktheu Afrim Koçi; SHLK, Tiranë 2001).

Kështu kemi qenë para një shekulli e ca. Nuk kemi pasur respekt për natyrën, nuk kemi pasur respekt për veten, nuk i kemi kuptuar ata që mundoheshin të na shpjegonin se po bënim një gabim të madh. Dhe mungesa e respektit, e shoqëruar me injorancën, çon në gafa të mëdha, sikurse qenë aksionet për hapjen e tokave të reja (Ju kujtohet: T’u qepemi kodrave dhe maleve dhe t’i bëjmë ato pjellore si fushat?), tarracimet pa kriter, zhdukja e pyllit shekullor të dusheve të Dumresë e plot të tjera. Të gjitha këto bëheshin në emër të zhvillimit, madje edhe me letra në rregull. Po respekt nuk kishte gjëkundi.

E njëjta gjë po ndodh, dhe jo vetëm në rastin e parkut të Tiranës, në ditët tona. Është e sigurt që vendi do të ecë përpara. Kjo nuk është aspak meritë e partive apo e qeverive që do të venë e do të vijnë. Është një kërkesë e kohës, e njerëzve sikurse ecën përpara çdo shoqëri njerëzore. Përplasja mes betonit dhe natyrës nuk është vetëm problemi ynë. Ai ndihet ngado rreth e rrotull. Vetëm se ne, në ndryshim nga të tjerët, mendojmë se po të kemi një pushkë, kemi të drejtë të qëllojmë, po të kemi një sëpatë, kemi të drejtë të presim, po të kemi një sharrë, kemi të drejtë të sharrojmë ku të duam e si të duam. Me pak fjalë nuk kemi as më të voglën shenjë të respektit për atë çka brezat paraardhës na kanë lënë si trashëgimi të përbashkët, mos të flasim pastaj respekt për kujtimet, sepse kjo do të ishte fare e tepërt… Me pak, fare pak respekt, mund të ishte gjetur një zgjidhje tjetër për Rrugën e Elbasanit, me letra apo pa letra. Me fare pak respekt Tiranës do t’i ishte shpëtuar një pjesë e kujtesës së saj njerëzore, monumenti i dashurive të saj të fshehura. Fare me pak respekt Tiranës do t’i kishim shpëtuar një pjesë të madhe të mushkërive të saj të lodhura. Me pak respekt nuk do të kishim përse t’i përjetonim ato pamje të trishta të disa ditëve më parë me njerëz që i ndërsehen njëri-tjetri për gjëra që nuk i kanë aspak në dorë.

Sa për ta mbyllur. Është thënë se në vend të pemëve të prera do të mbillen afër 500 të reja. Bukur, të paktën kjo, në u arriftë është diçka. Vetëm se nuk është zgjidhje dhe as justifikim. Është njësoj sikur, larg qoftë, një ditë një rrugë e re do të kalojë përmes sheshit të Libohovës dhe do të na duhet të sharrojmë rrapin mbi 500-vjeçar. Po atëherë çfarë do të themi? Mos u mërzisni se kemi gati 500 rrapushë të vegjël?!

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama