Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Lotaria, s’na bie lotaria

Shkruar nga: Andis Harasani  
Botuar më: 13 vite më parë

Andis Harasani
Lotaria, s’na bie lotaria

Të rinjtë e sotëm, ata që do të votojnë për herë të parë  vitin e ardhshëm, ndoshta nuk e kanë dëgjuar kurrë këtë histori. Prindërit e tyre edhe mund ta kenë harruar atë trill të çuditshëm financiar që lulëzonte në Shqipërinë e diktaturës, kur “bankat shtetërore” ishin vetëm si kumbara fëmijësh ku hidheshin monedhat e kursyera dhe quheshin arka kursimi. Paralelisht me të, gjysmë ilegalisht dhe toleruar nga shteti që nuk e jepte këtë shërbim, në Shqipëri ekzistonte lotaria e famshme e punonjësve. Që organizohej që nga ata që punonin në aparatin e Komitetit Qendror të komunistëve edhe deri te shërbimet komunale.

Nën sytë gjysmë të mbyllur të shtetit që shihte gjithçka, në mënyrë ciklike, kur merreshin rrogat standarde, punonjësit organizonin një lotari. Paguanin një shumë të caktuar parash që i mbante një nga ata dhe pastaj me short, shumën e mbledhur e merrte fituesi i lotarisë, pesëmbëdhjetëditëshin e dytë e merrte i dyti, më pas i treti e kështu me radhë. Shuma e konsiderueshme shërbente për të blerë zakonisht televizorin, lavatriçen dhe frigoriferin, tri mobiliet përfundimtare të familjeve shqiptare. Me raste, paratë shërbenin për dasma, funerale të papritura dhe atëherë, me mirëkuptim, ndodhte që radha e lotarisë prishej. Ky ishte një lloj kreditimi naiv në kushtet e mungesës së kreditimit, ishte një kredi pa interes, që në atë varfëri të përgjithshme afronte megjithatë një shërbim.

Sot kohët kanë ndryshuar, por jo zakonet. Sepse me zakonet e vjetra kanë ardhur nga ajo kohë e vjetër ata që drejtojnë sot vendin. Po! Shqipëria po tenton të ngrejë një lotari kombëtare. Si e gjithë dynjaja, thuhet zakonisht. Por po si zakonisht, në Shqipëri, do t’i jepen edhe kësaj sipërmarrjeje ngjyra “lokale”. Kupto, pa transparencë, me procedurë të errët dhe plot konflikte interesi. Në këtë histori që mendohet se do të kapë një xhiro prej dhjetëra milionë eurosh, me saktësi matematike, duart që kanë në dorë për të ndërtuar procedurat dhe për të vënë firmat, kanë llogaritur edhe xhepat e tyre. Jo në kuptimin, na ra lotaria, por në kuptimin, bëmë bingo!

Dhe publiku hesht. Në këtë vapë të madhe dhe sipas parimit të rrënjosur komunist, çfarë është e përbashkët, nuk është e askujt, qytetarët “mirëkuptojnë” se organizatorët kanë të drejtën e tyre dhe se po të kenë shans, ndoshta u bie atyre lotaria.

Ka shumë të panjohura që duhet të zbardhen. Ato nisin që me terrin në të cilin janë bërë procedurat e shpalljes së garës për kompaninë që do të organizojë Lotarinë Kombëtare në Shqipëri. Muaj më parë, Berisha e kishte pritur një të tillë. Zyrtarisht e kishte mirëpritur idenë e tyre për të organizuar Lotarinë Kombëtare. Se çfarë është thënë jashtë njoftimit për shtyp dhe se çfarë nuk ka funksionuar siç duhet mes palëve, mbetet vetëm të hamendësohet. Ka një detaj që do të hidhte në erë gjithë procesin deri në këtë moment. Fakti që kompania e konsulencës që pagoi qeveria shqiptare është e lidhur me kompaninë fituese, është i mjaftë që të kthehemi në nivelin e shkresës zero. Dhe sa më i madh skandali, aq më qesharak bëhet shpjegimi për të: Nuk kemi kontaktuar me shefin e kompanisë, por me sekretaren e tij, justifikon konfliktin e interesit qeveria shqiptare. Brrrrrr…avoooo! Rrrrr, qeveria shqiptare e ka ulur piacën e saj deri në këtë nivel. Si një i dehur që gjen gjithmonë justifikim për gotat që pi duke thyer premtimin, edhe këtë herë qeveria shqiptare thotë se është nisur në vendimmarrjen e saj nga serioziteti i kompanisë fituese. Më parë kriter i pandryshueshëm për të ka qenë çmimi. Si në rastin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën. Nuk janë të marrë, janë hileqarë!

Dhe përpos kësaj, premtohet një komision hetimor parlamentar. Si një nga mjetet që do ta bënte të vërtetën të fshihej në procedura që nuk mbarojnë kurrë dhe që kur duket se mbarojnë, e kanë sjellë të vërtetën në pikën e nisjes: ata, pushteti, gjithçka në rregull, ne, opozita, gjithçka e parregullt.

Këtej gardhit ia vlen sërish kritika. Pse ne, opozita, u kujtuam në momentin e fundit? Cilat janë garancitë që nesër, ne, opozita në pushtet, do ta anulojmë këtë procedurë?

Ka një mundësi të fundit. Përcaktimi në dokumentet e tenderit të ri që këtë lotari ta bëjnë vetë shqiptarët. Në mungesë të eksperiencës, mund të përdoret e quajtura Exit Strategy, që përcakton se një kompani e huaj, e përfshirë në këtë lotari, të kalojë çdo vit një përqindje të caktuar për kompaninë shtetërore që do të bëjë një gjë të tillë deri në momentin që aksionet e saj të bëhen 100 për qind shtetërore. Duhet të përcaktohet që sot se sa për qind e shumës së mbledhur do të kalojë për pensionet, edukimin, për zonat dhe shtresat e varfra. Ndryshe, nesër, pavarësisht se ministri i Financave do ta ketë blu apo rozë kravatën, ato para do të përdoren si zift për të mbyllur gropat e buxhetit.

Kam një frikë. Kam frikë se qeveria shqiptare e ka tjetërkund idenë. Lotaria Kombëtare, kështu siç është gatuar, mund të jetë një burim parash të pakontrolluara që do të shërbejnë për financim të fushatës së saj elektorale, si një licencë pushteti që blen të drejtën për të qeverisur edhe për katër vjet shtetin.

Dikur, lotaria që bënin me rrogat e tyre prindërit tanë, ishte shumë më e ndershme. Sepse ishte një procedurë transparente. Askush nuk humbiste, pothuaj të gjithë fitonin kohë. Sot, me këtë lotari humbasim të gjithë. Edhe kohë. Por koha është e Perëndisë dhe për të, për kohën, zakonisht në Shqipëri, nuk e vret mendjen njeri.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama