Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

A mund të rithemelohet PD?

Shkruar nga: Skënder Minxhozi  
Botuar më: 13 vite më parë

Skënder Minxhozi
A mund të rithemelohet PD?

Opozicioni i Mark Markut, i cili ka zënë faqet e para të shtypit gjatë ditëve të fundit, është tërësisht etik dhe i përmbajtur në aspektin e kumtimit politik. Është e vërtetë që deputeti Marku ngre disa nga shqetësimet serioze që prekin qeverisjen e sotme, e që, për hir të së vërtetës, nuk është se nuk qarkullojnë si ide në debatin publik në Tiranë e jashtë saj. Performanca e kabinetit Berisha, mënyra e zgjedhjes së kreut të shtetit, aleanca me LSI-në dhe lufta ndaj korrupsionit janë teza të nxehta, që e kanë tërhequr prej kohësh vëmendjen e politikës, medias dhe ndërkombëtarëve. E veçanta e këtij kumtimi është se, si rrallëherë, ai vjen nga brenda mazhorancës. Një ambient, që përgjithësisht është parë si një tokë e djegur, ku askush, veç Berishës, nuk flet, nuk mendon dhe nuk vepron.

Përtej kësaj, Mark Marku duket seriozisht i angazhuar për të sjellë një korrektim të sistemit ku militon politikisht, e jo një çmontim të tij. Marku nuk është as socialist, as simpatizant i FRD-së apo i Aleancës Kuq e Zi. Ai është thjesht një deputet i shumicës, që ka vendosur të mos heshtë më, përballë zullumit që po trashet prej shumë kohësh në Partinë Demokratike dhe në qeverisjen e saj. Në thelb, ky gjest duhet parë si një prurje pozitive dhe e mirëpritur e jo të goditet me gur. Kush kërkon të kryqëzojë Mark Markun përse foli, duke e akuzuar për “prishje uniteti”, është thjesht një hipokrit politik i radhës, pasi është vështirë të besohet se e pëlqen vërtet kulturën prej reparti ushtarak, që mbretëron në PD-në e sotme.

Nga ana tjetër, zhurma që shoqëroi kritikat e fundit publike të Markut dhe Xhepës, dëshmoi edhe një herë hapur se sa alergjik është ambienti i brendshëm në Partinë Demokratike, se sa e mbyllur dhe mbytëse është atmosfera brenda saj, ndaj zërave sado të ndrojtur kritikë, ndaj praktikës së të folurit hapur. Ashtu siç PS-ja është mësuar ndër vite që të menaxhojë një debat të brendshëm, që vazhdueshëm merr shpesh formën e një lufte të të gjithëve kundër të gjithëve, PD-ja është mësuar që në dy dekada e më shumë, të kultivojë një kulturë unitarizmi, heshtjeje dhe mbytjeje të çdo zëri alternativ, duke u fokusuar ekskluzivisht mbi figurën e kryetarit të partisë dhe mbi vullnetin e tij absolut. Për të gjithë komentatorët e politikës shqiptare, ky është ndryshimi më i madh bazë, mes dy formacioneve që kanë qeverisur këtë vend pas rënies së komunizmit.

PD-ja e sotme është një forcë politike, ku edhe dy vjet e gjysmë pas mbajtjes së kongresit, nuk janë zgjedhur ende një pjesë e forumeve drejtuese. Mjafton ky detaj, për të kuptuar se sa relative dhe e panevojshme është gjithë ajo strukturë formale partiake, e cila del nga sinoret e zyrës së kryetarit Berisha. Mjafton kaq për të prekur me dorë fiktivitetin institucional dhe karakterin tërësisht artificial të të gjithë ngrehinës partiake të kësaj force politike, e cila vazhdon prej njëzet vjetësh të jetë një “one man show”.

Mbledhjet thuajse komike të grupit parlamentar, nuk dallojnë shumë nga forumet e dikurshme të kohës së diktaturës. Porsi në ato sekuenca që vijnë nga një kohë tjetër, edhe në këto takime mbretëron një kinezëri kolektive, ku shefi flet dhe të tjerët vetëm dëgjojnë kokulur. A është ky standardi normal i një force politike që vepron në kuadrin e një demokracie parlamentare?! Mark Marku dhe të tjerë brenda PD-së, po na thonë me të drejtë se nuk është kështu. Ky ndërgjegjësim gradual, sado i butë dhe minoritar për momentin, është një shenjë e besueshme se konsumi shtatëvjeçar, devijimi i dukshëm nga programi politik e qeverisës, korruptimi i frikshëm dhe hyrja në aleanca politikisht të panatyrshme – të gjitha këto, kanë prodhuar një situatë të brendshme në PD, ku disidenca nuk mund të mos gjejë shtigje dhe të çara për t’u artikuluar. Mark Marku u shpreh se PD-ja duhet rithemeluar. Përtej analizës që ai bën nga pozita e deputetit të kësaj partie, ka shumë skepticizëm se një parti si ajo që drejtohet sot nga zoti Berisha, do të ishte e ndryshme, nëse do të rithemelohej nga i njëjti lider politik, sepse më shumë se sa të rithemelohet, PD-ja ka nevojë urgjente të ndërrojë lidershipin e saj njëzetvjeçar, i cili vazhdon ta mbajë me dhunë të lidhur në djepin e një kulture politike, që rrjedh nga koha kur Muri i Berlinit nuk kishte rënë akoma. Por ndoshta këtë zoti Marku nuk ka mundësi dhe hapësirë ta thotë. Të paktën për momentin.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama