Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Krimet kulturore ne parashoqerine tone

Shkruar nga: Aleksandër Çipa  
Botuar më: 13 vite më parë

Aleksandër Çipa
Krimet kulturore ne parashoqerine tone

Humbja e fondit të pikturave të të famshmit në disa kohë, Vangjush Mio, është një turp që nuk vlen vetëm për Korçën. Është një turp identifikues për gjithë përgjegjësinë kulturore kombëtare shqiptare. Kjo është një ngjarje, e cila vlen për të shenjuar pësimin tonë kulturor, sipas metaforës së “majës së ajsbergut”.

Humbja, vjedhja apo edhe trafikimi shitës i veprave të Mios është një ndër krimet madhore kulturore dhe pësuese në vitet e këtij tranzicioni shqiptar. Ky është procesi zhdukës i fondamentit tonë kulturor kombëtar në tërësi. Një proces vijues matanë politikës, që ndërsa ka një kosto të madhe e vështirë të përllogaritshme, zbulon fytyrën reale të shoqërisë sonë institucionale, e cila po dëshmohet jo si e tillë, por realisht si një parashoqëri.

Institucionalizmi kulturor shqiptar në rastin e skandalit me veprën e Vangjush Mios është tipikisht i papërgjegjshëm si edhe në rastin e vlerave të papërsëritshme. Të tillë e cilësojnë me të drejtë ekspertët e kulturologjisë këtë papërgjegjshmëri, kur në Gjirokastër u grabitën apo rrënuan muzetë apo shtëpitë monumentale të Zekatëve apo Skëndulatëve, kur në Berat u dëmtuan veprat unikale të Onufrit, në Shkodër me humbjen e fondit të së njohurës “Bibliotekë françeskane” apo me banesat e Luigj Gurakuqit apo Migjenit, në Elbasan me mozaikët e zbuluar rishtazi apo në Durrës me amfiteatrin e pazbuluar plotësisht për shkak të ndërtimeve uzurpante….

Krimi kulturor në Shqipëri e ka historinë më të madhe se vetë historia e kësaj kulture. I tillë, tronditës dhe i pashembullt në kohë të vjetra dhe në ditë të sotme mbetet ai. Krimi mbi veprat unike të kulturës sonë është vijues dhe gjithëpërfshirës. Humbin vepra arti, sikundër u zhdukën këmbëngulshëm monumentet ikonografike të hershmërisë sonë kombëtare. U zhdukën arkivat dhe u varfëruan ato, sikundër u shuan muzetë si të ishin vatra kulture të komunizmit….

Një konsistencë kriminale antikulturë vijon të dëshmohet e afishohet përmes ngjarjesh dhe dëshmish befasuese. E tillë, tronditëse si në çdo rast mbetet edhe zhdukja e veprave të Mios. Nuk shpërdorohet fjala kur thuhet veprat e Mios. Kohët e shkuara kanë qenë prova dhe çmimi i këtij pohimi, për të cilin fatmirësisht nuk ndahen edhe piktorët shpirtkatilë të mediokritetit nga gjykimi i të cilësishmëve. Por përgjegjësia e zhdukjes, edhe kësaj here, dukshëm shfaqet me paskrupullsinë e anonimitetit.

Ajo që kanë artikuluar deri më sot dy protagonistët e këtij skandali të sapozbuluar, është edhe më tepër tronditëse. E kemi fjalën për kujdestarin e dikurshëm vullnetar dhe për drejtuesin aktual të galerisë. Galeria e Arteve në Korçë paska qenë një institucion që administrohej vullnetarisht. Sa qesharak ky term!. Një ironi mbi këtë tragjizëm kulturor vetëm Shqipërisë së sotme mund t’i shkojë. Një verdikt i pagjendshëm në asnjë qytet të kësaj bote globale. Në vendin ku trafikohet shumëçka, paska galeri publike që administrohen vullnetarisht! Dhjetë vjet kjo galeri me vepra dhe autorë përfaqësues për artin figurativ shqiptar në më shumë se 150 vjetët e fundit, u mbajtka nën kujdestari spontane nga një piktor pa dijeninë dhe inventarin zyrtar. Kjo është një komedi më vete. Po ky qenka rast unik në gjithë përvojën e kujdestarisë kulturore në Europën e sotme! Kaq vite dhe ai fond paska qenë i painventarizuar, i pacertifikuar, i paregjistruar dhe më së shumti jashtë çdo statusi që lidhet me pronësinë intelektuale dhe autoriale!!!

Por komedia e kësaj humbjeje tragjike të fondit figurativ shqiptar, pasohet me akte të tjera, madje edhe me aktin e heshtjes së komuniteteve dhe grupeve të interesit kulturor të kësaj shoqërie. Ende nuk ka asnjë deklaratë nga shoqatat dhe asosacionet e artistëve. Nuk kemi një reagim nga shoqatat kombëtare kulturore dhe patriotike, a thua se nuk varfëron përfaqësimin tonë kulturor kjo zhdukje!

Vini re: Skandali ka brenda disa skandale. Një institucion arti me status të të qenit vendor, nuk qenka nën kujdesin administrativ të Bashkisë apo Prefekturës. Kjo është prova-kampion se ç’rol dhe ç’vend zë kultura dhe institucionet e mbetura të saj në detyrimin ligjor të të zgjedhurve dhe institucioneve që dalin prej zgjedhjeve në këtë vend.

Edhe pse ka kaq ditë që është zbuluar dhe shpallur skandali, ende nuk kemi një drejtor të Bashkisë së Korçës të shprehet për këtë humbje tragjike, sikundër vetë kryetari i bashkisë, zoti Niko Peleshi, nuk e ka ende në plan një dalje publike, për sqarimin dhe shprehjen e dhimbjes për këtë humbje. “Mjerë ti moj Korça lule!!!”.

Ky skandal nuk duhet të kapërcehet lehtë. Fatmirësisht përdorimin e tij e ka lënë për më vonë politika, por shoqëria dhe qytetaria shqiptare, këtë skandal duhet ta shohë me syrin e mendjes dhe ndërgjegjes identitare kulturore. Indiferenca ndaj tij do ta bëjë edhe më tepër vlerën dhe pasurinë tonë kulturore, pre të diktaturës së grabitjes dhe trafikimit. Pasurimi ynë kulturor është nga më të ngadaltët, por varfërimi përmes vjedhjeve të tilla i pasurisë sonë materiale të çon në zhdukje “të pastër” kulturore. Në ditë të tilla zhdukjesh dhe grabitjesh, Europa shpall realisht zinë e vet institucionale, ndërsa ne mund të ngremë një task-forcë lokale, por nuk kemi një dorëheqje të vetme, nuk kemi qoftë edhe një deklaratë ministri, sikundër nuk ngrihemi dot në një aksion kërkimi.

Përmbajtja dhe shumështimet e këtyre krimeve kulturore, po e shtojnë edhe më dilemën e qenies sonë në një shoqëri që më tepër ka përmbajtjen e një parashoqërie.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama