Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Trau ynë i fundit

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Baxhaku
Trau ynë i fundit

Andej nga mesi i viteve ’80 të shekullit të kaluar, në Shkodër e Tiranë dhe në mbarë Shqipërinë pat bërë përshtypje të madhe një arratisje spektakolare. Një familje e tërë, deri në atë kohë e konsideruar si e besuar e regjimit, ia kishte mbathur për në Jugosllavinë e Titos. Nuk ishte aq shumë roli i protagonistit të ngjarjes, nuk ishte aq shumë mënyra se si diktatura po bëhej gjithnjë e më e pakënaqur edhe nga njerëzit që i kishte “rritur vetë”, nuk ishte dhe mënyra e planifikimit të kësaj arratisjeje të bujshme, që më pas doli në të gjitha stacionet e “TVJ”, më shumë se kaq bëri përshtypje një ide e vetme: ata kishin mundur të shpërthenin traun e kufirit.

Për ata që nuk e dinë dhe që nuk e kanë parë ndonjëherë, trau është një dru i gjatë, ndonjëherë mund të jetë edhe prej hekuri, që ulet e ngrihet sa herë që ushtari apo polici, që qëndron në krah të tij, urdhëron të ndodhë kjo gjë. Është një lloj minikufiri, është një cak që të tjerët e kanë vendosur të mos e kalosh, është fundi i lirisë tënde, është mënyra se si shteti apo shtetet e kontrollojnë lëvizjen e individit. Sot ka lloj-lloj trarësh, elektronikë, me karta, me retinë, me shenja gishtash, të thjeshtë si qëmoti, të dukshëm e të padukshëm. Trarë ka pasur, ka dhe do të ketë sa kohë që ekzistojnë kufijtë e shteteve dhe pronave. Është një kufizim i madh lirie, por një kufizim që të gjithë e pranojnë. Për shembull trarë ka edhe në parkimet private. Kjo është rruga e vetme për të mbledhur paratë e një shërbimi. Deri këtu jemi krejt në rregull.

Porse ndodh shpeshherë që një tra të shndërrohet edhe në një simbol të kohëve të shkuara, të kohëve kur njerëzisë së pafat i ishte shndërruar mendja aq fort saqë një tra, një trung i thjeshtë peme të shndërrohej në simbol. Autori i këtyre radhëve nuk është se është kundër trarëve, përkundrazi. Kur ata janë të fortë e në vendin e tyre bëjnë një gjë fort të vlefshme, sepse deri diku u caktojnë individëve cakun e tyre, individët shpesh edhe e teprojnë me lirinë e tyre.

Ka ndodhur në këto 10-15 vjetët e fundit që të shikojmë edhe “tra privat”. Për shembull në një fshat të Kurbinit një person kishte vënë një goxha tra në mes të xhadesë së fshatit dhe kishte shënuar mbi një llamarinë që kish nisur të ndryshkej: I zoti toks, cel… me pak fjalë që të shkoje në fshatin matanë, në shkollë, apo dreqi e di se ku do të shkoje, duhej më parë të merrje në celular të “zotin e toks”, të jepje llogari e më pas të vazhdoje tutje. Nëse atij nuk i mbushej mendja, koshi me gurë që ngre traun nuk do të tundej vendit. “Besa, boll punë e mençme!”, do të thoshin në Shkodër.

Ekziston ende një rrugë në Tiranë që është e mbyllur nga trarët, nga ana e jugut dhe nga ana e veriut. Si për çudi kjo rrugë quhet me emrin e njeriut më të njohur ndër shqiptarët. Ajo quhet rruga “Skanderbeg”. Pak njerëz kalojnë andej, sidomos tani në kohë vape. Një lokal, një qen plak që sillet vërdallë në kërkim të folesë së tij të vjetër, gardhe të mbyllura me hekura të lartë dhe njerëz që kur janë aty u duket sikur kanë takuar botën. Në hyrje dhe në dalje të kësaj rruge ka dy trarë si nga ata të qëmotit, që nuk dihet ende përse shërbejnë, pastaj ka edhe kioska llamarine, që shërbejnë që policin e radhës të mos e zërë shiu apo vapa, dhe pastaj duken shumë policë, që merren gjithë ditën me njëri-tjetrin, sepse as vetë nuk e dinë se kë ruajnë dhe se nga e ruajnë. Tani në vapë, policët janë edhe më të paqartë: Po kur diplomatët shkojnë me pushime, çfarë dreqin bëjmë ne këtu? Nuk është se policët e ngratë të ruajtjes së objekteve bëjnë ndonjë gjë të madhe. Secili mund të kalojë lirshëm anës traut. Nëse të pyesin mund të përgjigjesh fare thjesht: Mirdita, si u gdhitë? Nga shtëpia mirë të gjithë? Po ja unë po shkoj deri këtu, ashtu e kam një punë… Policët tundin kokën dhe ti shkon ku të dojë e bardha zemër. Kjo nuk është aspak faj i policëve të thekur nga dielli.

Ca dekada më parë, djali i një prokurori italian, i vrarë nga terroristët e viteve ’80, një djalë fare e kundërta e të atit, një antikonformist i përbetuar, pat thënë një gjë, që i doli nga shpirti i tij: I kam urryer gjithnjë ceremonitë, gradat, uniformat, simbolet, dekoratat, porse kur më dhanë dekoratën për tim atë të vrarë e kuptova se respekti dhe mirënjohja është një fjalë e madhe, porse këto duan një enë ku të shfaqet dhe kjo enë nuk mund të jenë gjë tjetër veçse simbolet, ceremonitë… Me pak fjalë, ndryshe nga sa na duket neve, në jetën e përditshme edhe dukja është po aq e rëndësishme se edhe vetë ajo që ndodh.

Tani, ne përbetohemi se jemi një shtet europian, madje që kur kemi lindur si shqiptarë, se jemi të gatshëm të japim kontributin tonë në NATO, në “mëmën Europë”, more po kudo që të na e kërkojnë xhanëm! A nuk kemi bërë kështu sa herë që na e kanë kërkuar të mëdhenjtë? Ne me miqtë tanë të huaj po shkojmë më në fund si s’ka më mirë. Shyqyr që na erdhi kjo ditë. Porse trau i kohës së Enverit, që ulet e ngrihet më kot në skajet e rrugës “Skanderbeg”, një grup policësh të lodhur që përtypin fara në skajet e saj, llamarinat e ndryshkura e të zhveshura nga rrebeshet e kohës, të gjitha këto nuk të kujtojnë një vend që tashmë është gati të jetë si shumë të tjerë në Europë. Në qoftë kërkesë e të huajve, atëherë kjo do të thotë se shumë prej ambasadave ende nuk kanë besim te ne shqiptarët, dhe andaj përbetimet e tyre se më në fund po të plotësojmë 12 pika, do të bëhemi të barabartë me ta, janë thjesht një demagogji. Në qoftë se ne vetë duam të ndahemi me tra nga të huajt që banojnë te ne, kjo do të ishte shumë e rëndë. Në qoftë se kjo bëhet për të mbrojtur diplomatët e huaj nga ndonjë mësymje e vjetër, kjo nuk ka kuptim, sepse tashmë të gjithë shqiptarët e dinë se nuk kanë nevojë të mësyjnë ambasadat si në ’90-n. Atëherë përse? Përse i japim kryeqytetit tonë një pamje prej Kandahari, pa pasur as më të voglën nevojë? A ka kuptim që një vend që kërkon të jetë në BE të të ndajë të huaj e vendas me një tra të vjetër? Sikur përgjigjja të jetë: Po policët e objekteve ku t’i çojmë? Kjo do të ishte përgjigjja më e ndershme. Nëse është kështu, atëherë trau i vjetër le të vazhdojë të na ndajë nga diplomatët e botës. Neve tashmë aq na bën. Po sikur të jenë dy të parat, servilizmi i pamat ndaj të huajve dhe një lloj inercie që na vjen që nga 20 vjet më parë, frikë nga vetja dhe frikë nga kontaktet me të tjerët, atëherë tregojmë, të paktën në fushë të simbolikës, se jo vetëm nuk mendojmë si europianë, po ku e ku më larg.

Zhdukini ato dreq gardhesh e trarësh në Rrugën e Ambasadave, që na kujtojnë histori të trishta. Për policët e objekteve ka plot vende të tjera pune. Kemi plot se ç’të ruajmë nga tonat. Do të jetë më mirë për mendjen tonë dhe të të huajve. Në fund të fundit, do të jetë një kufi më pak, mbase i parëndësishëm, por shumë simbolik. Përndryshe çfarë kuptimi kanë diskutimet e zjarrta mbi 12 pikat e famshme? Ndokush mund të thotë: Ose ju, shqiptarët keni frikë prej të huajve, ose ata, të huajt, kanë frikë prej jush. Duke qenë se asnjëra prej të dyjave nuk rezulton të jetë e vërtetë, po atëherë…?

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama