Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

Regjimit i duhet bërë rezistencë atëherë kur regjimi s’e ka me ne

Shkruar nga: Mustafa Nano  
Botuar më: 13 vite më parë

Mustafa Nano
Regjimit i duhet bërë rezistencë atëherë kur regjimi s’e ka me ne

Para një muaji shkrova për “Shqipin” shkrimin me titull “Shqetësime publike mbi motivime personale”, dhe si fabul pata një PD-ist nga Vlora që i shkruante një sms nervoze Berishës në momentin që po votohej për Presidentin e ri, Bujar Nishani. Ky lajm u mor vesh nga një fotografi e Franc Zhurdës. Ky i fundit, i gjendur në lozhën e Kuvendit, kish bërë disa shkrepje mbi Berishën, dhe pastaj, duke bërë zoom in mbi celularin në dorën e Berishës, kish zbuluar përmbajtjen, që ish një qortim korrekt, por i rëndë në adresë të kryeministrit. I kapur më pas në telefon nga gazetarët e “Shekullit”, zotëria nga Vlora thosh: “Nuk kam problem pronash. Kam problem me punësimin tim. Kam qenë në punë në Prefekturën e Vlorës dhe jam shkarkuar në kundërshtim me të gjitha ligjet nga njerëz të korruptuar. Ky është shqetësimi im, e për këtë arsye, i kam dërguar shpesh mesazhe të tilla Kryeministrit”.

Ky ishte motivi i shpërthimit të tij, që më erdhi në mendje dje teksa lexoja një intervistë të Mimoza Ferrajt, dhënë “Shekullit”. Ju kujtohet Mimoza Ferraj? Është ish-studente e dhjetorit 1990, e larguar më pas në SHBA, ku dhe jeton. Në dhjetor të vitit 2010, ajo u kthye në Shqipëri për të festuar 20-vjetorin e lëvizjes, në të cilën ajo, tok me shumë të tjerë, ish protagoniste. Mimoza u bë star i jetës publike shqiptare ato ditë të dhjetorit. Dha një numër intervistash, u takua me do eksponentë të politikës, u shfaq në krah të njërit apo të tjetrit, bëri deklarata e mori zotime të forta. Një nga këto ish dhe deklarata e mëposhtme, të cilën e kam marrë nga arkivi i “Panoramës”: “PD-ja që është sot, është PD-ja që nuk duhet të jetë. Dëshira ime është të kthehem në PD, sepse ajo ka qenë PD-ja ime ku kam kujtimet e Azemit, Arbenit, Doktorit etj., dhe nëse është rrëzuar pak dhe i ka hyrë qelbëzimi, dëshiroj që me ndihmën e Doktorit, ta çojmë atje ku ishte. Nëse doktori na mbështet, [ne mund të arrijmë ta] pastrojmë qelbëzimin në PD”.

Siç shihet, kjo zonjë kish ardhur nga SHBA-të për të pastruar tok me doktorin, e me ndihmën e doktorit, Partinë Demokratike. Atëmot shkrova diçka për këtë zonjë patetike, që të tërhiqte vëmendjen me optimizmin e me qasjen e vet autoreferenciale, dhe në thelb thoja se kjo ndërmarrje, d.m.th pastrimi i PD-së me ndihmën e doktorit, ishte e pamundur, ishte një pesë me hiç, ishte donkishoteske. Thoja në fund të fundit se PD-ja pastrohet duke luftuar kundër doktorit, e jo tok me doktorin.

Dje pra mora vesh se Mimoza është dakord me mua. Në intervistën e dhënë për “Shekullin”, ajo ngrinte zërin kundër sundimtarëve të Tiranës. Çfarë nuk thosh! Thosh fraza të llojit: “Këtu funksionon vetëm korrupsioni, ryshfeti dhe aferat familjare të komanduara nga kryeministri e ministrat”, ose “Korrupsioni që ka përfshirë qeverinë më komuniste sot në Europë të kryesuar nga Sali Berisha, interesat e familjes mbretërore berishiane e fazlliçiane, që po i marrin dhe pikën e fundit të gjakut popullit shqiptar…”, ose “Duke qenë në krye një njeri i tillë [doktori], [i cili] është në mbrojtje të interesave antikombëtare e të korrupsionit, kuptohet që edhe drejtuesit e institucioneve të tjera qendrore e vendore janë të aftë të kryejnë çdo korrupsion”, etj., etj.

U deshën të kalonin 22 vjet e gjysmë nga lëvizja “e saj” që përmbysi komunizmin dhe 1 vit e gjysmë nga “kthimi pretencioz” në Shqipërinë e saj për të pastruar PD-në, që ajo të merrte vesh se doktori është problemi në PD, dhe jo njeriu me të cilin duhet zgjidhur problemi. Mirëpo përveç kohës që ka kaluar është dashur dhe një hall i veti, që ajo s’ka mundur ta zgjidhë. Dhe ja ku dolëm në dukurinë e njohur, sipas së cilës “shqetësimet tona publike ne shqiptarët i ngremë rëndom mbi motivime personale”.

Si është puna? Zonja Ferraj ka një hall të vetin për ta zgjidhur. Dhe nuk po ia del ta zgjidhë. Ka një pronë që i takon asaj, por që ka qenë dhe është ende nën pronësinë e kompanisë “Albpetrol”, që i është njohur familjes së saj nga Gjykata e Vlorës (këtu kemi të bëjmë me një fakt shumë kureshtar: ky vendim është marrë nga Skerdilajd Konomi, që u ekzekutua në mënyrë mafioze në mes të Vlorës verën e shkuar), e që Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave po e pengon zbatimin e këtij vendimi. Është hall mbi hall, nuk diskutohet. Zemërimi i saj në këtë moment, ashtu si përpjekjet e saj për ta fituar këtë betejë me institucionet e korruptuara të Republikës, janë absolutisht legjitime. Madje, edhe shqetësimi publik i saj lidhur me kryeministrin Berisha, i ngritur mbi këtë motivim personal, është logjik e shumë i kuptueshëm, por …. sikur të isha në vend të saj do mendohesha pak për të dhënë atë intervistë që ka dhënë për “Shekullin”. Ajo ka gjithë të drejtën e botës për ta kërkuar pronën që e ka të vetën (do të isha gati t’i jepja dhe unë si gazetar ndihmë në këto përpjekje që po bën për ta çarë murin e institucioneve shurdhe e të korrupsionit shurdhues), por ajo duhet të mendohet mirë përpara se të synojë të bëjë denoncime e kryqëzime të tilla publike të kryeministrit të vendit. Ky i fundit nuk u korruptua tani, me pronat e Mimoza Ferrajt. Ishte i korruptuar edhe një vit e gjysmë më parë, kur Ferraj kërkonte ndihmën e tij për të hequr qelbin brenda PD-së. Dhe fakti që s’ka mundur ta vërejë këtë fakt, e bën, më e pakta, jo inteligjente.

Duhet thënë se ilustrimi i dukurisë së “ngritjes së zërit për të mirën publike, apo kundër së keqes publike, vetëm në rrethanat kur na cenohet e mira private” me Mimoza Ferrajn është pak i padrejtë, pasi këtë gjë e kanë bërë gjithë kohës të tjerë më të rëndësishëm se sa ajo. E duhet thënë se kjo dukuri nuk është vetëm shqiptare. Është bërë proverbial ai rrëfimi i atij pastorit gjerman (Martin Niemöller) që ka përjetuar eksperiencën e nazizmit. I janë referuar shumë atij rrëfimi, por unë po e bëj dhe këtu, pasi është një rrëfim shumë domethënës:

“Në fillim ata [nazistët] u morën me socialistët, por unë nuk bëra zë, pasi nuk isha socialist; pastaj ata u morën me sindikalistët, por unë sërish nuk bëra zë, pasi unë nuk isha sindikalist; pastaj – dihet – iu vërsulën hebrenjve, por unë prapë nuk e ngrita zërin, pasi unë nuk isha hebre; në fund më erdhën mua, dhe pashë se s’kish mbetur askush që ta ngrinte zërin”.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama