Warning: preg_replace(): Unknown modifier '{' in /home/shqiperia/application/views/helpers/Fetchterms.php on line 13

Notice: compact(): Undefined variable: extras in /home/shqiperia/library/Zend/View/Helper/HeadLink.php on line 381

“PËRRALLË” ME IMUNITET

Shkruar nga: Fatos Baxhaku  
Botuar më: 13 vite më parë

Fatos Baxhaku
“PËRRALLË” ME IMUNITET

Kjo puna e imunitetit e ka ndarë sërish politikën shqiptare në dy pole. Një palë (PD, LSI e të tjerë) që thonë se imuniteti dhe ndryshimet kushtetuese, të cilat lidhen me të, të hiqen shpejt e shpejt në një seancë të vetme, më 6 gushtin e ardhshëm dhe një tjetër, PS, e cila thotë se në parim është dakord, porse për të bërë këto ndryshime të rëndësishme duhet ca kohë, duhen disa konsultime dhe kështu që diskutimi mund të bëhet vetëm pas pushimeve të gushtit. Si zakonisht palët kanë nisur të akuzojnë njëra-tjetrën. Kjo është plotësisht e kuptueshme. Kishin kaluar disa ditë pa u sharë dhe kështu që…

Nuk besoj se ka njeri, ndër ne njerëzit e thjeshtë të paktën, që e prek direkt kjo masë, ndryshe nga sa propagandohet. Me imunitet, apo pa imunitet, deputetët tanë do të jenë këta që kemi pasur, me ndonjë ndryshim të vogël sigurisht, porse askush nuk pret nga ky amendim në Kushtetutë që të kemi një klasë politike më të mbarë a më të ndershme. Asnjëherë nuk u është mohuar organeve të Drejtësisë hetimi mbi ndonjë deputet. Nuk ka qenë pra imuniteti shkaku që përse nuk luftohet korrupsioni. Po atëherë përse kërkohet me kaq ngut heqja e tij me një entuziazëm gati-gati revolucionar? Përse njëra palë do të mbarojë punë shpejt e shpejt me të dhe pala tjetër heziton duke bërë lojëra fjalësh për të fituar kohë?

Le të mundohemi të kuptojmë ndonjë gjë në këtë qerthull të vaposur. Le ta nisim arsyetimin tonë nga pyetja: përse është vendosur imuniteti i deputetëve? Sigurisht që kjo gjë nuk është një shpikje e shqiptarëve. Kur është vendosur paprekshmëria e deputetëve ose askujt nuk i shkonte mendja që një deputet do të nisë të vjedhë duke përdorur postin e tij, ose (sidomos në Ballkan) e kundërta, për të gjithë ishte fare e qartë, madje gati e ligjshme që deputeti i ngratë të nxirrte ndonjë para nga ajo punë e lodhshme dhe shumë herë asokohe me kokë në torbë që po bënte. Imuniteti pra nuk është një gjë që ka lidhje me korrupsionin. Më së shumti ai ka pasur dhe ka lidhje me lirinë e fjalës së deputetit. Një njeri që përfaqëson popullin nuk duhet të ndiejë frikë të thotë atë që mendon, as nga shefi i tij dhe as nga shefi i të tjerëve. Ai duhet ta dijë se është i pacenueshëm për atë çka bën dhe që thotë. Kjo i jepte atij një dinjitet që njerëzit e tjerë, duke përfshirë edhe ministrat jo deputetë nuk mund ta kishin. Ky pozicion i jepte deputetit hijen e një njeriu të rëndësishëm. Pikërisht prandaj nuk ishte edhe aq kollaj të bëheshe deputet. Kështu e konceptonin të parët tanë figurën e përfaqësuesit të popullit. Shumë herë mbetën të zhgënjyer, porse ama imuniteti u jepte “miss-ave” shqiptarë një dinjitet fort të rëndësishëm në popull. Me ta nuk mund të luhej kollaj. Madje, edhe vetë mbreti nuk mund t’i përdorte si marioneta.

Tani, le të kthehemi në ditët tona. Është e kuptueshme se kjo ka lidhje me një nga pikat e kërkuara nga BE për të arritur statusin e vendit kandidat. Një nga pikat që është krejtësisht e pamatshme është lufta kundër korrupsionit. Atëherë çfarë bëhet? Atëherë hiqet vullnetarisht imuniteti dhe i thuhet Europës: Po tani? Kur ia hoqëm vetes imagjinoni pak se ç’u bëjmë të tjerëve, atyre që vijnë poshtë nesh! Këtë logjikë e ka kuptuar edhe trojka e ambasadorëve, e cila, e zënë sikurse ndodh zakonisht me të huajt nga “morbus Albanie”, para tri ditësh iu lut Ramës: Aman more Edi edhe ti, pse bën kështu? Votoni me 6 gusht që të rijmë rehat për pushime… Por Rama nxori Ruçin me një letër në të cilën kërkoheshin konsultime me konstitucionalistë, ekspertë, kohë, debate…

Në fakt, konstitucionalistët kanë folur. Ata në tërësi kanë thënë pak a shumë: Nuk duhet luajtur me Kushtetutën njësoj sikur të ishte një fletore shkolle. Kështu ajo zhvlerësohet. Por askush nuk ia vuri veshin burrave të ligjit themelor.

Tani le ta zëmë për një moment se nga 6 gushti e mbrapa do të kemi deputetë e gjyqtarë pa imunitet. Çfarë do të ndodhë? Do të nisë një aksion antikorruptiv i tipit “duart e pastra”? Nëse ka pasur deputetë të përzier me afera korruputive apo pazare të tjera të fortësh përse nuk është kërkuar me kohë heqja e imunitetit të tyre? Cila ka qenë pengesa në këtë drejtim? Vështirë që kësaj pengese t’ia vëmë emrin imunitet. Pastaj, ne jetojmë ende në një vend ku njerëzit e ndajnë veten në “ne” dhe “ata”. Pa shkuar shumë larg edhe një polic i zellshëm pro a kundër partisë në pushtet mund t’ia nxijë jetën po të dojë edhe deputetit më të rregullt nëse këtij i humbet ajo hija e paprekshmërisë që kishte më parë.

Përvoja politike e këtyre 20 vjetëve të fundit ka treguar edhe një tjetër gjë. Kur ndokush prej deputetëve a politikanëve ka shkarë deri në kufijtë e së dënueshmes prej ligjit, kjo gjë është përdorur nga ata që ka pasur mbi krye që ta mbajë gojën mbyllur. Është shumë e vështirë t’i mbyllësh gojën një të ndershmi. Është shumë e kollajtë të bësh shantazh mbi një njeri të zhytur në m… deri në grykë. Parlamenti ynë, ku ligji elektoral parashikon që deputetët të emërohen nga shefat e partive, ka vetëm pak zëra ndryshe edhe kështu si është, pra edhe me imunitet. Imagjinoni pak se çfarë mund të bëjë ndonjë shef i djallëzuar me tufën e deleve pa imunitet. Nuk është se po jetojmë në Danimarkë a gjetiu ku fjala e individit, jeta e tij private, qëndrimi i tij moral, mendimet e tij nuk konsiderohen si ato të ushtarit besnik, Lej Fen, ne jetojmë për fatin tonë të mirë a të keq në Shqipëri, në një vend ku tradita parlamentare do të dojë dekada që të ripërtërihet.

Kështu që si me imunitet, si pa imunitet skena politike shqiptare edhe për shumë kohë, do të jetë po kjo. Me pak fjalë, për të mos e zgjatur shumë, kjo heqja e imunitetit, nuk është gjë tjetër veçse një detyrë shtëpie që e kopjuar nga fletorja e shokut, pa mësuar aspak nga lënda. Të gjithë e dimë, para së gjithash vetë politikanët, se korrupsioni ka lidhje me shumë gjëra: me zhvillimin e ekonomisë, me qëndrueshmërinë e administratës shtetërore, me kulturën e përgjithshme demokratike, me nivelin e krahinarizmit, por sidomos me të kuptuarit e shtetit si shërbëtor dhe jo si pardon.

Në këto pika që përmendëm ne jemi mbase të fundit në Europë. Ligji thotë se dënohet njësoj si ai që merr ashtu edhe ai që jep para. Sa herë ka ndodhur kjo e fundit në Shqipëri? Sa kohë që kjo nuk ka ndodhur, sa kohë që korrupsioni nuk është në thelb një e ligë për shoqërinë, njësoj si plaçkitja, vrasja dhe të tjera të liga, për aq kohë edhe heqja e imunitetit do të jetë vetëm një përrallë, e bukur vërtet, porse dihet që përrallat shërbejnë vetëm për të të vënë në gjumë dhe për asgjë tjetër.

Reklama

Prona ne Tirane

Foto Flickr

Reklama